E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nëse miratohen 3 ligjet, brenda marsit Shqipëria merr statusin e vendit kandidat”

25-01-2013 / Gazeta 55

Apeli final/Komisioneri për Zgjerim të BE, Stefan Fyle deklaron në Asamblenë Parlamentare të KE

Bashkimi Europian i jep një tjetër shans Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. “Në varësi të progresit, një raport për Shqipërinë është i mundshëm”, deklaroi komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle duke nxitur kështu politiken shqiptare te përmbushë 3 kushtet brenda muajit mars. Ka qenë vetë eurokomisioneri Stefan Fule i cili ka raportuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg. E reja për reformat e integrimit, është se vendet spirante përfshirë edhe Shqipërinë do të kenë edhe 130 mijë faqe të reja  të legjislacionit të aprovuar mbi bashkimin bankar për të adaptuar në legjislacionin kombëtar. Fyle konfirmoi se në pranverë Komisioni Europian do të prezantoje raportet e ndërmjetme për Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë e Kosovën. “Duke parë punën për zgjerimin, në pranverë Komisioni Europian do të publikojë raport monitorimin e tij të fundit për Kroacinë dhe një sërë raportesh, në bazë të të cilave Këshilli do të gjykojë nëse është bërë progres i vazhdueshëm për të hapur negociatat me Serbinë dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, dhe të miratojë një mandat për të çelur negociatat me Kosovën për stabilizim asocimin. Në varësi të progresit, mund të jetë i mundur dhe një raport për Shqipërinë”, ka deklaruar Fule. Komisioneri Fyle bëri të ditur se 2013-ta do të shënojë edhe avancim në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën. Sipas tij, Serbia e Kosova nuk mund ta bllokojnë njëra-tjetrën. Eurokomisioneri Fyle theksoi se nuk ka rëndësi se çfarë emri do të marrë procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut në Bruksel. Me rëndësi, sipas tij, është që Serbia dhe Kosova nuk mund ta bllokojnë njëra-tjetrën drejt rrugës për anëtarësim në BE. “Kjo është baza e asaj që po bëjmë në BE”, ka thënë Fyle në një konferencë për shtyp. Fyle ka theksuar se në pranverë pritet, një numër i raporteve, mbi bazë të të cilave, Këshilli do të shqyrtojë nëse do të miratojë nisjen e bisedimeve me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ai shtoi se këtë vit duhet të shihet edhe përparimi në dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›