Nëse nuk u jep shpirt rolit, personazhi vdes pa lindur
05/05/2009 Rrëfen aktori Syrja Meço: Ndihesh aktor vetëm kur të thërrasin me emrin e personazhit
KORÇE- “Një lajm i keq kishte mbërritur te nëna ime në fshatin Kosovë të Përmetit. Dikush i kishte thënë se djali i saj po ia nxinte faqen, ose më mirë kështu e kishte kuptuar nëna ime. I kishin thënë se djalin e saj e kishin parë në qytetin e Korçës të veshur si lolo, ku të gjithë qeshnin dhe gajaseshin me të. I kishin thënë sikur unë kisha filluar të mos mbaja qëndrim të mirë politik, pasi, sipas thashethemeve, mua më kishte pëlqyer të bëhesha herë fashist, herë ballist dhe herë komunist. “Po na turpëron laneti”, kishte thënë babai, por ajo që nuk duronin dot kishte të bënte me qenien time si lolo. “Ndoshta ka mbetur pa punë”, kishin menduar prindërit e mi dhe vjen vërdallë për një copë bukë. Që të gjitha këto e kishin trembur nënën time. Veç kësaj kishte filluar të ndjente frikë se mos më arrestonin. Të gjitha këto do t’i merrja vesh pak më vonë”. Kështu e nis tregimin e jetës së tij, aktori i mirënjohur, Syrja Meço, tashmë 65 vjeç.
Drejt vendlindjes
“Kisha vite që jetoja në qytetin e Korçës, por kisha mjaft kohë që nuk kisha shkuar dot në vendlindjen time, në Kosovë të Përmetit”, nis të tregojë sërish, Syrja Meço. “Puna e aktorit në teatrin “Andon Zako Çajupi”, nuk po më linte për të shkuar të prindërit e mi. Në të vërtetë më kishte marrë shumë malli. Së fundi, shfaqjet mbaruan, u nisa për në Përmet. Ishte viti 1974. Unë atëherë isha 30 vjeç. Kisha vendosur t’i rrëfeja nënës time, Mysylesë, se si më kishte ecur puna deri atëherë, si kisha nisur të ngjitesha në skenë dhe kush më kishte ndihmuar. Do t’i tregoja se kush ishte Mihallaq Luarasi, Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Llazi Serbo, etj. Do ta pyesja nëse kishte dëshirë të vinte ndonjë ditë në Korçë dhe të më shihte kur luaja në skenë, por ajo nuk mundi të më shihte asnjëherë në gjithë jetën e saj. Në skenë nuk më pa ndonjëherë as babai, Shefqeti. Nëna ime ishte shtëpiake, ndërsa babai punonte si rojtar pyjesh. Në shtëpi kthehej vetëm në mbrëmje. Gjithsesi isha nisur të bisedoja me nënën e t’i rrëfeja jetën time, veç kësaj më kishte marrë malli”.
Takimi me nënën
“Me këto mendime isha nisur drejt fshatit tim në Kosovë të Përmetit. Përfytyroja se si nëna do të më përqafonte me mall dhe do të ndihej e gëzuar për djalin e saj, por nuk ndodhi kështu. Në çastin kur po hyja në oborrin e shtëpisë, nëna që u ndodh aty, më hodhi një vështrim dhe mbeti si e ngrirë. Më vështroi ashpër dhe pas një çasti më tha: “Nuk të dërguam në Korçë për të na turpëruar…”. “E ka marrë vesh gjithë njerëzia që je bërë turp i botës…”. “Sot që erdhe këtu, na paske veshur rroba të reja…”. “Më thuaj, kujt ia ke marrë këtë kostum”?!
Mbeta i befasuar, nuk dija çfarë t’i thosha. “Përse po m’i thoshte të gjitha këto nëna ime”, mendova. “Je bërë lolo”, më tha ajo. “E di shumë mire që ty tani në Korçë nuk të thërrasin më “Syrja”, por “Bardhosh”, ç’janë gjithë këto turpe që po na bën, ndonjë ditë do të thërrasin Ziko more ditëzi”.
Të them të drejtën vetëm kur dëgjova fjalën “Bardhosh”, nisa të ndihem i qetë. Ky ishte emri i një personazhi që kisha luajtur kohët e fundit, përkrah aktores së madhe Dhimitra Plasari, ku unë isha i dashuri i saj. Do të më duhej që të gjitha këto t’ia shpjegoja nënës time dhe pas atij çasti, isha i bindur se edhe ajo do të qeshte me të madhe. Do të qeshte edhe babai, motrat e mia, Mineja dhe Kadria, por edhe vëllezërit e mi, Mustafai me Esatin, sepse vëllai i madh, Maloja, punonte në Maliq dhe vinte shpesh e më shihte në teatrin “Çajupi”.
Rolet
“Kur nëna ime m’i kishte zbrazur të gjitha ato që kishte menduar për ditë të tëra, më tha: “Hyr brenda”! Hyra duke qeshur me veten time. Tashmë i kisha kuptuar të gjitha. Pasi më pyeti nëse kisha qenë mirë me shëndet ose jo, më tha: “Pa më trego tani si është ajo puna e Lolos dhe Bardhoshit”? Shpjegimi ishte dhe s’ishte dhe aq i vështirë. Megjithatë, u mundova t’ia tregoja të gjitha. Edhe më besonte edhe nuk më besonte. I tregoja dhe qeshja. “Mos më qesh mua, më tha nëna, sepse e di shumë mirë që të kanë parë të veshur edhe si ballist dhe doje të vrisje një grua… nuk më kujtohet si e kishte emrin…”.
“Marro Mokra”, iu përgjigja unë. Po, po Marro, ma thanë edhe mua, por nuk e di t’i që po u bëre ballist të arrestojnë, nuk e di ti që yt vëlla, Maloja, ka punuar edhe me italianët, kurse ti kërkon të bëhesh fashist. Do të na marrësh më qafë! Nejse, pa më thuaj si është ajo puna e ballistit, Dane Brinja, sepse m’i kanë treguar të gjitha. Ishe veshur njëlloj si ballist, edhe hundën e kishe zgjatur… apo nuk ishe ti? Më kanë gënjyer…”? nëna ime priste të merrte një përgjigje nga mua.
“Unë isha moj nënë, unë isha, por ishte lojë. Hundën e kisha zgjatur me një lloj brumi që ngjitet në fytyrë, i thashë. Të kujtohet kur shkonim në arë për të korrur grurin…? Të kujtohet kur unë doja të ikja të luaja dhe bëra sikur preva dorën me drapër…”? Të kujtohet që t’i më besove dhe nise të ndiheshe e shqetësuar…?. Ja kështu është puna e Dane Brinjës. Njerëzit qeshin kur më shikojë të vishem si lolo, qeshin kur bëj sikur jam i marrë apo kur bëj sikur të jem mbreti”. Nxora nga çanta një palë mustaqe të mëdha dhe i vura po atë çast. “Ja si të dukem tani”? e pyeta. Nëna vuri buzën në gaz, pastaj qeshi me të madhe. Këtë histori do t’ia kujtoja herë pas here, ndërsa ajo do të qeshte gjithnjë. Sa herë shkoja për ta parë atje në Kosovë të Përmetit, kur ikja më thoshte: “Dëgjo, dhe bëji mirë ato rolet që t’i japin”.
Fëmijëria
“Në Kosova të Përmetit shkoja herë pas here”, vazhdon rrëfimin e vet Syrja Meço. Isha rritur larg prindërve të mi dhe më merrte malli për nënën, babanë, vëllezërit dhe motrat. Edhe ata kishin mall për mua. Kisha lindur në Kosovë të Përmetit, por shkollën fillore e mbarova në Kuçovë. Vëllai i madh, Maloja, më kishte marrë me vete. Ai ishte tornitori më i mirë në kohën e Italisë. Që kur isha fëmijë më kishte pëlqyer të luaja rolin e më të rriturve, përpiqesha t’i imitoja. Pas mbarimit të shkollës fillore, im vëlla, Maloja, u transferua në Maliq të Korçës, si tornitor në fabrikën e sheqerit. Më mori edhe mua me vete. Shkollën 8-vjeçare do ta përfundoja aty. Profesor pata Gaqo Veshin. Ai nisi të më aktivizonte në të gjitha spektaklet që organizonte shkolla. Më vonë mora pjesë edhe në cirkun e Maliqit, ndërsa më pas, në vitet ‘64-‘67 më morën ushtar në Repartin e Aviacionit të Urës Vajgurore. Fatmirësisht atje gjeta një shok të mirë nga Shkodra, Hasan Vejukën. Luanim bashkë në estradën e repartit. Kisha filluar të ëndërroja të bëhesha aktor. Emocionohesha i gjithë kur gjendesha përballë me aktorët shqiptarë që kishin emër të madh. Së fundi, pas mbarimit të ushtrisë u ktheva sërish në Maliq të Korçës. Për gati 3 vjet me radhë do të aktivizohesha në Pallatin e Kulturës të kësaj qyteze dhe më pas në teatrin “Çajupi”. Do të luaja shumë role, ndërsa nëna gjithë do të më pyeste: “Hë, më thuaj tani, të kanë vënë ndonjë emër të ri atje në Korçë”? Nëse do t’i thosha tashmë kam mbetur pa emër, e ndjeja që ajo trishtohej. “Mos ke pasur ndonjë hall”, më pyeste pastaj.
Familja
Tashmë që nga fillimet e mia e deri më sot ka rrjedhur shumë ujë. Ajo çfarë me ka mbetur në kujtesën time, janë ëndrrat e mia, emrat e personazheve që më ndoqën pas, ime shoqe, Afërdita, që për mua do të mbetet një grua ideale, sepse më mbështeti në çdo çast të jetës dhe dy fëmijët e mi, Nikolini që jeton në Greqi dhe Oriola në Amerikë. Gjithnjë na merr malli që ata të vijnë një ditë në shtëpi. Në raste të tilla më kujtohet nëna ime që gjithnjë priste të shkoja në Kosovë të Përmetit, por gjithnjë do të më kujtohet edhe trishtimi i saj nga që kishte marrë vesh se në Korçë nuk po më thërrisnin me emrin që më kishte vënë vet ajo, por me një emër tjetër që asaj nuk i kishte pëlqyer. Nuk do t’i pëlqente edhe sikur të më thërrisnin me emrin e artistit më të madh të botës. Më pas do ta kuptonte se çfarë ishte një emër i ri, ashtu siç kupton aktori se pa i dhënë shpirt rolit, personazhi vdes pa lindur mirë. Që të gjitha këto edhe sot e kësaj dite më ngrohin e më japin shpirt dhe ndërsa ditët kalojnë gjithnjë ëndërroj për një rol të ri…ndoshta dhe për një emër të ri”, përfundon tregimin e jetës së tij, aktori i mirënjohur Syrja Meço.
Dramat
Një jetë në tetarin “Andon Zako Çajupi”
“Regjisor i Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë ishte Mihallaq Luarasi, kujton Syrja Meço. Që të gjithë ne që aktivizoheshim në estradën e Maliqit, ëndërronim sikur të vinte ndonjë ditë që edhe ne të punonim me Mihallaq Luarasin. Kjo gjë dukej e pamundur, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Ai erdhi për të ndihmuar estradën e qytezës sonë. Fillimisht u njoh me aktorët, me lojën tonë dhe pastaj bëri një listë se kë do të merrte në grupin e estradës që do të ngrihej nga vetë ai. Unë dridhesha i tëri. A do të ishte edhe emri im në atë listë apo jo? Shpëtova nga ankthi vetëm kur Luarasi përmendi edhe emrin tim. Pas përgatitjeve të shumta, shfaqja u vu në skenë. Sigurisht u prit shumë mire. Atë shfaqje e dhamë edhe në Tiranë. Përveç roleve që kisha, unë këndoja duet me Jorgaq Nanon dhe profesoren time të rusishtes, Lirika Treska. Ishte viti 1968. Regjisori mbeti i kënaqur, por unë ende kisha frikë se çfarë përshtypjesh i kisha lënë Mihallaq Luarasit. Kur ai do të largohej sërish për në Korçë më tha: “Syrja, ti je aktor i mirë. Do të të marrë në trupën profesioniste të Korçës”.
“Njerëzit e minierës”, drama e parë
“Regjisori Mihallaq Luarasi më dha rolin e Llambros, te drama që ishte shkruar nga ai vet, “Njerëzit e Minierës”. Do të luaja me Pandi Raidhin, Dhimitër Trajçen, Vangjush Furxhiun. Nuk e besoja. Më dukej sikur isha në një ëndërr dhe nuk zgjohesha dot. Të them të drejtën në ato çaste pyesja vetën: “A është e vërtet që unë do të luaj me aktorë kaq të mëdhenj”. Kur të shkoj në Kosovë, mendova, do t’ia tregoj të gjitha nënës. Me siguri që ajo do të gëzohet. Megjithatë, një ndjenjë frike më kishte pushtuar të gjithin. A do të mundesha t’ia dilja dot mbanë, apo do të më thoshin: “Syrja t’i duhet të kthehesh prapë në Maliq”. Kjo ndjesi më ndoqi deri ditën e parë kur dhamë shfaqjen. Në përfundim të saj prita se çdo të thoshte Mihallaq Luarasi. “Vura re se punove me përkushtim, më tha ai, kjo është gjë e mirë, artisti duhet të jetë këmbëngulës. Pas këtyre fjalëve, tashmë e kisha marrë fletëhyrjen për në teatrin e ëndërruar të “Çajupit”, por ende nuk më linte të qetë mendimi, nëse do të isha i suksesshëm sërish, apo ajo që kishte ndodhur kishte qenë vetëm një rastësi. Pas dramës së parë, Luarasi më dha një rol tjetër te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit. Kisha rolin e një inxhinieri. Sërish do të luaja me aktorë të tillë si, Llazi Serbo, Minella Borova, Zhani Ziçishti dhe Dhorkë Orgockën. Kjo e fundit do të luante rolin e madam Hihi. Nuk di çfarë magjie fshihej te ajo grua, por edhe sot e kësaj dite mbaj mend që Dhorka përmes rolit të saj sillte një atmosferë të mrekullueshme humori, që e bënte sallën të ngrihej në këmbë dhe të duartrokiste pa reshtur. Ndërkohë ishte drama “Era e Lartësive” që më dha emrin e personazhit, Bardhoshi. Me këtë emër do të më thërrisnin shumë gjatë, kujton jo pa nostalgji aktori i mirënjohur Syrja Meço. Si gjithnjë luaja me Pandi Raidhin, Dhimitra Plasarin, Spanja Pipa, Sotiraq Bratkon etj. Mihallaq Luarasi kishte shkuar në Tiranë, ndërsa drama u vu në skenë nga regjisori Dhimitër Orgocka. Ishte një dramë që pati mjaft sukses. Vetëm atëherë ndjeva se edhe unë mund të luaja përkrah aktorëve me emër të madh. Pas saj do të luaja te drama e Skënder Luarasit, “Stuhi në prill”, te “Otello”, “Tartufi”, “Nata e fundit”, “Djemtë e Bato Gorës”, “E bukura ime”, “Shi në Plazh”, ku kisha rolin e Çomes, ndërsa partnere, të paharruarën, Dhorkë Orgocka. Kisha luajtur në shumë pjesë klasike dhe shqiptare, por te “Kopraci” pamë vërtet fuqinë e aktorit. Rolin e Harpagonit e kishte Koço Qëndro, ndërsa unë të Shigjetës, por mund të them se me atë shfaqje mundëm të linim të mrekulluar gjithë spektatorët në të gjitha qytet e Shqipërisë, kudo që shkuam. Ajo shfaqje u dha 320 herë.