E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët, Rama nis përzgjedhjen

05/05/2009  PS është përfshirë në një fazë të re, në përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë

Eksponentët e selisë rozë janë të përjashtuar nga diskutimet mbi këtë proces

Kampi rozë është përfshirë në një tjetër fazë jo pak të rëndësishme lidhur me garën elektorale të 28 qershorit, e konkretisht hartimi i listës së kandidatëve për deputetë. Aktualisht i gjithë debati është fokusuar në numrin e deputetëve aktualë që do të bëjnë pjesë në listën fituese të kandidatëve për deputetë. Burime pranë selisë rozë bëjnë me dije se prej pak ditësh kreu i PS-së Edi Rama është angazhuar në takime individuale me deputetë e kësaj partie, duke konsultuar me ta pikërisht pozicionin e gjithsecilit në listën e konkurrentëve. Deri tani bëhet me dije se një pjesë e mirë e ligjvënësve socialistë kanë marrë garancinë për të qenë pjesë e listës fituese të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ndërkohë një pjesë tjetër ende e ka të papërcaktuar vendin në këtë listë, por gjatë takimeve me kreun socialist mësohet se nuk mungojnë dhe opsionet motivuese, në rast se nuk do të kenë mundësinë e marrjes së një tjetër mandati për në legjislativin shqiptar. Por krahas konsultimeve me ligjvënësit socialistë kryetari Rama po zhvillon takime dhe me të tjerë pretendentë për të qenë pjesë përbërëse e listës së kandidatëve për deputetë. Edhe gjatë ditës së djeshme bëhet e ditur se në këtë kuadër kreu socialist ka zhvilluar takime në kupolën rozë, duke preferuar që të jetë ai që të vendosë mbi emrat që do të garojnë nën siglën e Partisë Socialiste. Ndërkohë pritet që java e ardhshme të zbardhë listën zyrtare të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Kështu, përzgjedhja e kandidatëve që do të konkurrojnë në këtë garë elektorale pritet të jetë pika më e nxehtë e debatit të brendshëm në Partinë Socialiste. Ishte folur më herët se ndër piketat kryesore mbi të cilat do të hartohet lista e kandidatëve për deputetë do të ishin pikërisht studimi dhe testimi shtresor i çdo qarku. Profili elektoral do të ndërtohej mbi bazën e një studimi shtresor të çdo qarku, ku natyrisht filtri kryesor do të jetë ai elektoral. Në këtë mënyrë, analiza dhe testimi i detajuar në të gjitha zonat elektorale do të jenë dy shtyllat kryesore mbi të cilat do të bazohet lista shumemërorë e kandidatëve të PS-së për garën elektorale të 2009-s. Por deri më tani kupola rozë jo vetëm nuk ka zbardhur asnjë kriter mbi të cilin do të bëhet përzgjedhja e konkurrentëve, por për më tepër në këtë fazë të gjithë eksponentët e lartë të PS-së janë të përjashtuar nga ky proces, duke qenë vetë Rama ai që vendos për këtë. Nga ajo që mësohet deri tani lista e kandidatëve për deputetë pritet të përbëhet nga kandidatë që do të rikandidojnë sërish, por njëkohësisht ajo do të përshijë dhe emra të rinj, duke sjellë në këtë mënyrë eliminimin disa prej figurave aktuale në PS. Statuti i Partisë Socialiste nuk ka të përcaktuar në mënyrë përfundimtare kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, të cilët mund të përfaqësojnë këtë parti në garat elektorale për pushtetin qendror apo atë vendor. Por në këtë statut kërkohet që përzgjedhja e kandidaturave të bëhet në respekt të rregullave statutore, të cilat të jenë të bazuara në teknologjitë moderne të konsultimeve, sondimit të brendshëm dhe thithjes së mendimeve nga një kuorum më i gjerë se partiak.

Koalicionet zgjedhore

PS-ja në pritje të qëndrimit të PBDNJ-së për aleancë

Partia Socialiste është në pritje të qëndrimit që PBDNJ-ja do të mbajë lidhur me ftesën e bërë për aleancë parazgjedhore me socialistë. Madje, është pikërisht zyrtarizmi i këtij qëndrimi që mban peng formalizimin e koalicionit të PS-së me aleatët e majtë. Tashmë Partia Socialiste e ka bërë të qartë se do të bëjë koalicione me aleaten e saj të vjetër: PSD-në e Gjinushit, PDS-në e Milos dhe me grupimin politik “G-99”. Por tani në limitet kohore, ku ky koalicion duhet të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor, Partia Socialiste duhet të nënshkruajë marrëveshjen parazgjedhore me këto parti. Por përpara këtij formalizimi kupola rozë ka preferuar të presë më parë përgjigjen e PBDNJ-së. Ndërkohë në bazë të Kodit Zgjedhor dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Tashmë brenda kampit të majtë janë konturuar qartë dy koalicionet e saj: PS, PSD, PDS dhe “G-99” nga njëra anë dhe nga tjetër dhe LSI, PSV ’91 dhe së fundi kësaj aleance iu bashkua dhe Partia e Gjelbër. Me zhvillimet e fundit brenda së majtës dhe deklaratat e qarta të dy krerëve të majtë, Rama e Meta, pothuajse janë shuar shpresat për një koalicion të përbashkët të forcave të majta. Zgjedhjet lokale të vitit 2007 ishin edhe modeli i bashkimit të së majtës. Duke lënë mënjanë akuzat, e majta u bashkua e gjitha në një koalicion të vetëm, çka solli fitimin nga e majta të bashkive kryesore të vendit. Por bashkimi i tyre solli edhe fitimin për herë të tretë të bashkisë së Tiranës. Edhe e djathta kandidoi në një koalicion të përbashkët në zgjedhjet lokale të 2007.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›