“Nëse nuk votojmë, nuk flasim”
Nasho Bakalli / Mësimdhënës universitar
- Edhe universi nuk është aq i pasur sa për të blerë lirinë e votës. Prandaj çfarëdo monedhe politike, ekonomike, sociale, kulturore, etnike, racore, gjinore, familjare etj., të hedhë në tregun zgjedhor kryeministri Sali Berisha, dhe eskorta e tij laramane, nuk janë gjë tjetër veçse belbëzime elektorale. Vota është simbol i njeriut të lirë. Këtë parim demokratik madhor, ambasada amerikane në Tiranë ua përcolli të gjithë qytetarëve shqiptarë, para pak ditësh, nëpërmjet thirrjes “Nëse nuk votojmë, nuk flasim”. “Nëse nuk votojmë, nuk flasim” është një kushtrim, i cili ka për qëllim të na zgjojë të gjithëve, që të kuptojmë se vota e lirë u ka kushtuar shumë mundime dhe përpjekje shqiptarëve për ta fituar, por edhe i ka ndihmuar të ndërgjegjësohen për atë çka duhet të jenë. Me ndihmesën e tyre primitive Sali Berisha dhe Fatos Nano e përdhosën kuptimin e dlirë të votës, aq sa e kthyen atë në një të keqe, e cila molepsi edhe pjesët e shëndetshme të sistemit politik qeverisës në vend. “Nëse nuk votojmë, nuk flasim”, na sqaron se çdo dukuri indiferente ndaj politikës, e për pasojë ndaj së ardhmes sonë, mund të lërë rrotull kutive të votimit më 23 qershor 2013, vetëm atë tufë votuesish, të cilët nuk heqin dorë jo vetëm nga votimi, por as edhe nga grabitja e votës së të tjerëve. “Nëse nuk votojmë, nuk flasim”, na kumton fare hapur se ata qytetarë të cilët nuk marin pjesë në votim, nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë sundimin e Sali Berishës dhe të fiseve rreth tij. Do të ketë padyshim disa njerëz, të cilët nuk do të mundin të votojnë. Kjo ka ndodhur dhe ndodh për të sëmurët, për të moshuarit që nuk dalin dot ngabanesa, dhe raste të tjera të pazakonta. Mirë është që edhe këtyre njerëzve të mos u mohohet e drejta e votës. Zgjidhja e këtij problemi është përgjegjësi e qeverisë Berisha. Moszgjidhja është papërgjegjshmëri e qeverisë Berisha. Nga statistikat, mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, mësojmë se një numër gjithmonë e në ulje votuesish nuk merr pjesë në votime duke i shprehur ose mos shprehur motivet që i kanë shtyrë t'i përvidhen votimit. Më buroi ideja e nxitjes, vetënxitjes, bashkënxitjes për veprim praktik edhe nga libri, best seller, “Getting Things Done”, i David Allen – i mirënjohur si krijues dhe konsulent i çështjeve të produktivitetit, të menaxhimit të veprimeve, i trajnimeve me karakter qeverisës – dhe, o zotërinj, është e habitshme se sa shumë gjëra lëmë jashtë ne shqiptarët, kur mund t’i bëjmë ato për një kohë të shkurtër. Siç është edhe votimi, meqë atje e kemi fjalën. Ta përqafojmë të gjithë “Nëse nuk votojmë, nuk flasim”, sepse ajo është ndryshimi, dhe ndryshimi ndodh menjëherë sapo fillon veprimi. Dhe pjesa më e rëndësishme e çdo pune është fillimi - fillimi ka rëndësi vendimtare. Përfundimisht, momenti në të cilin shpërtheu “Nëse nuk votojmë, nuk flasim” nuk ishte një rastësi. Ishin pikërisht ato ditë kur kryeministri Berisha lëshoi publikisht mesazhe shpërfillëse ndaj të dërguarit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të presidentit Obama në vendin tonë. Dhe të gjithë kuptuam: Nëse ne amerikanët nuk votojmë për rrëzimin e Sali Berishës, kjo ndodh pasi nuk e kemi këtë të drejtë në vendin tuaj, e nëse ju doni të flisni, të jetoni të lumtur, votoni kundër Sali Berishës.