Arrestohet pas një viti arratie, kërkohej për vrasje
SHKODËR- Policia e Shkodrës arrestoi sot një 24 vjeçar, i shpallur në kërkim një vit më parë për akuzën vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim me vëllanë e tij, tashmë i arrestuar.
"Besmir Dhampiraj, lindur dhe banues në fshatin Shtoj i Ri të komunës Rrethina në Shkodër, kishte marrë masën e sigurisë arrest në burg nga gjykata e rrethit, si një nga autorët e vrasjes me armë zjarri të shtetasit Hysni Shpuza", thanë burime zyrtare të policisë lokale. Sipas të njëjtit burim, bashkëpunëtori i 24 vjeçarit në këtë krim, Ermal Dhampiraj, u arrestua fill pas ngjarjes.
Ngjarja për të cilën akuzohen dy vëllezërit ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar, në vendin e quajtur tregu i fruta - perimeve në fshatin Dobraç të komunës Rrethina. Ata akuzohen për veprat penale "vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim" dhe "mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake".