Nesër dita ndërkombëtare e leucemisë kronike, vjen trajtimi i ri
Për herë të parë në 2011 është propozuar që 22 shtatori të shpallet si Dita Ndërkombëtare e Sensibilizimit kundër Leukozës mieloide kronike ose CML. Është zgjedhur kjo datë sepse ndryshimet gjenetike që shkaktojnë Leukozën mieloide kronike ndodhin pikërisht në kromozomin 22 dhe 9 (22/9/2011).
Kjo ditë ka për qëllim të inkurajojë pacientët, punonjësit e kujdesit shëndetësor, qeveritë dhe gjithë komunitetin për të punuar së bashku për të përmirësuar diagnozën, trajtimin dhe kujdesin për pacientët me CML. Sensibilizimi i gjithë komunitetit për rëndësinë e kapjes së hershme të CML vetëm nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku, është një nga objektivat e kësaj dite.
Në lidhje me këtë sëmundje të rëndë në vendin tonë flet mjeku hematolog në Shërbimin e Hematologjisë në QSUT, Arben Ivanaj i cili shpjegon se Leukoza Mieloide Kronike (CML) është një sëmundje gjaku gjatë së cilës trupi i njeriut prodhon qeliza të bardha jonormale ose kanceroze të cilat janë të paafta të kryejnë funksionin e tyre normal.
Bazuar në statistika, në Shqipëri rastet me Leukozë Mieloide Kronike janë rreth 70, që po mjekohen aktualisht, ndërkohë bazuar në përllogaritjet, raste të reja për një vit (incidenca) janë 1-2 raste për 100 000 banorë, pra duke patur parasysh numrin e popullsisë shqiptare, afërsisht 20-25 raste të reja në vit. Kjo do të thotë që ka akoma raste të pa- diagnostikuara, të cilat sigurisht do të paraqiten në faza të mëvonshme, më të avancuara,- thekson Ivanaj.
Sipas tij diagnoza Leukozës mieloide kronike është shumë e thjeshtë sepse vetëm një analizë e thjeshtë gjaku mund të zbulojë në kohë
një leucemi kronike. Të dhënat mjekësore tregojnë se kurimi i saj varet shumë nga grada në të cilën e kap sëmundjen pacienti. Sa më herët të zbulohet sëmundja aq më shumë ka rezultate ka mjekimi, dhe e gjithë kjo ndikon në rritjen e mbijetesës dhe përmirësimit të cilësisë së jetës. Sa i takon trajtimit doktor Ivanaj thekson se lajmi i mirë është se shkenca sot ka zbuluar preparate të cilat mund të trajtojnë Leukozën mieloide kronike.
Preparatet e sotme në dispozicion të këtyre të sëmurëve ndihmojnë që të mbajnë Leukozën mieloide kronike në fazë kronike. Kështu pacientët me Leukozë mieloide kronike mund të jetojnë më gjatë dhe mbi të gjitha të kryejnë aktivitetin e tyre ditor. Për fat të mirë këto preparate janë sot në edhe në Shqipëri. Së fundmi është shpikur edhe terapia e cila vepron direkt mbi mekanizmin e sëmundjes duke bërë kështu të mundur eleminimin e semundjes, shpjegon Ivanaj.