E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër, konkursii magjistraturës

TIRANE- Shkolla e Magjistraturës ka njoftuar të gjithë të interesuarit, se numri i kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar, që do të ndjekin studimet e avancuara për periudhën 2010-2011 do të jetë 8 vende. Konkursi i pranimit të kandidatëve për magjistratë, do të zhvillohet ditën e hënë, datë 13 shtator 2010, ora 8:00, në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Rregjistrimet do të kryhen gjatë periudhës 16 Gusht - 03 Shtator, nga ora 9:00 - 13:30, pranë sekretarisë mësimore të Shkollës së Magjistraturës. Kandidati duhet të plotësojë këto kushte: Të jetë diplomuar “Jurist” në një nga Fakultetet e Drejtësisë, Publike apo jo publike të akredituara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, brenda apo jashtë vendit; me programin minimal katër vjeçar ose pesë vjecar, me diplomë DIND ose ekuivalente me të; të ketë notë mesatare mbi 8-të; të mos jetë i dënuar.

Programi i pranimit përmban lëndët: E Drejtë Civile dhe Tregëtare, E Drejtë Penale, Proçedurë Civile, Proçedurë Penale, E Drejtë Kushtetuese dhe E Drejtë Administrative, E Drejtë Familjare dhe e Drejta e Punës, Etika Profesionale. Program i pyetjeve përbëhet nga dy teste: Testi i Përgjithshëm, i cili përmban një test inteligjence, një ese dhe një test të etikës, komunikimit dhe sjelles qytetare (e cila shtohet për herë të parë si pjesë e konkursit) dhe Testi Profesional, që ka pesë pyetje teorike nga fushat më të rëndësishme të së drejtës dhe dy kazuse praktike. Shkolla e Magjistraturës ka një fond prej gati 600 pyetjesh, të cilat futen në 10 zarfe. Për shembull, 100 ese në një zarf, 50 teste inteligjence në një zarf, 100 kazuse civile në një zarf, 100 kazuse penale në një zarf etj. Ditën e provimit për çdo zarf,(që përmban tezat e një fushe) zgjidhen pyetjet e provimit në mënyrë rastësore nga kandidatët në sallë që dalin vullnetarisht për të tërhequr një tezë. Pyetjet lexohen publikisht para kandidatëve, të cilët i mbajnë shënim në bllokun e madh. Testi i inteligjencës dhe kazuset fotokopjohen për të gjithë kandidatët pasi u janë dhënë dhe shënuar nga kandidatët referencat e vendimit gjyqësor nga është marrë kazusi praktik, etj.

Programi
Tërheqja e programit bëhet pranë sekretarisë mësimore të Shkollës. Konkursi do të zhvillohet vetëm në një ditë dhe me shkrim. Për të testuar, jo vetëm njohuritë me karakter profesional, por edhe ato të kulturës së përgjithshme dhe të inteligjencës e të mënyrës së të shkruarit, teza do të përmbajë pyetje përshkruese, ese, çështje të etikës, komunikimit dhe sjelljes qytetare, teste të zakonshme inteligjence, si dhe raste praktike. Fitues shpallen kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të pikëve në rend zbritës, por jo më pak se 60 % të totalit të pikëve maksimale deri në plotësimin e numrit fitues të përcaktuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›