E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks emigrantëshzyrat e Gjendjes Civiletë mbyllura në fundjavë

TIRANE- Në këtë periudhë pushimesh verore kur i gjithë shteti, doganat dhe pikat e kalimit kufitar kanë shtuar sportelet, policia ka ndërtuar plan të veçantë masash dhe shërbimet turistike janë vënë në shërbim të emigrantëve që kthehen për të pushuar në atdhe, zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike dhe karta identiteti, jo vetëm që nuk kanë shtuar orarin dhe personelin, por bëjnë pushim të shtunën dhe të dielën. E kundërta ndodh në zyrat e Postës Shqiptare, të cilat punojnë me orare të zgjatura edhe gjatë fundjavës, enkas për t’ju shërbyer emigrantëve me kuponët e pagesave për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike.

Burime pranë Ministrisë së Brendshme shprehen se kompanisë private që ka marrë përsipër prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, i është komunikuar marrja e masave për situatën që mund të krijojë një dyndje emigrantëve, të cilët gjatë qëndrimit në atdhe duan të aplikojnë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimit për jashtë vendit. Kompanisë i është lënë “fakultative” se, në rast se ka dyndje apo njerëz të interesuar që presin për të aplikuar, atëherë zyrat do të mbahen hapur. Në fakt me ndërmjetësimin e Ministrisë së Brendshme, në rastet e dyndjeve të emigrantëve për festat e fundvitit apo të pashkëve, zyrat e aplikimit për pasaportat biometrike kanë qëndruar të hapura dhe kanë punuar me orare të zgjatura.

Sipas Ministrisë së Brendshme, deri në 16 korrik kishin aplikuar për karta identiteti, 2 191 000 qytetarë dhe ishin prodhuar 2178000 copë. Për pasaporta biometrike kishin aplikuar 802 mijë qytetarë dhe ishin prodhuar 783 mijë copë. “Gazeta Shqiptare” bëri dje një monitorim të zyrave të aplikimit, të cilat rezultuan të mbyllura pasi ishte ditë e shtunë. Në zyrat e aplikimit paraqiteshin qytetarë të ndryshëm, të cilët ndiheshin “të gënjyer” nga zyrat e postave që u kishin dhënë kuponët e pagesave, ndërkohë që pranë zyrave të Gjendjes Civile nuk gjenin njeri të nisnin procedurat për pasaportë. Kompania private prodhon vetëm në një pikë për të gjithë Shqipërinë dokumentet e reja të identifikimit, siç janë pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, apo siç njihen ndryshe letërnjoftimet elektronike. Kompania i dërgon dokumentet e prodhuara, vetëm një herë në javë në drejtoritë e policive në qarqe, ku dhe shpërndahen dy herë në javë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Mungesa e një përditësimi të dokumenteve që vijnë në pikat e prodhimit, bëjnë që ndonjëherë të ketë edhe vonesa artificiale deri në javë për pasaportat që janë prodhuar, në një kohë që një ditë vonesë për emigrantët mund t’u kushtojë vendin e punës në vendin ku ata jetojnë.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›