E Diel, 1 Nëntor 2026

Nesër në Kosovë raundi i dytë i provimit “Matura Shtetërore 2010”

Prishtinë, 26 gusht – Nesër, e premte, 27 gusht 2010, në 29 komuna te Republikës së Kosovës , do të organizohet provimi "Matura  Shtetërore 2010 ",  afati  gushtit. Provimi fillon njëkohësisht në të gjitha qendrat në ora 10 00 deri në ora 13 00.
Nxënësit patjetër duhet të paraqiten në qendrat shkollore të caktuara  për këtë qëllim  ndërsa  me vete  duhet të kenë  dokumentin identifikues.
Në këtë test do të sprovojnë edhe njëherë dijen e tyre , nxënësit që nuk ishin të suksesshëm në afatin e qershorit, ata që nuk patën sukses vitin e kaluar si dhe ata  nxënës që për shkaqe të ndryshme nuk patën mundësi të  jenë pjesëmarrës në  testin e parë.
Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa, ka deklaruar se tashmë çdo gjë është gati për  organizimin e këtij testi të rëndësishëm  për maturantët.
Provimi do të mbahet në 54 qendra  shkollore ne tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërkaq janë caktuar administratorët  dhe vëzhguesit ( 1600) , si dhe 216 anëtarë komisioni  dhe monitorues  të testit.
Mustafë Kadriu, udhëheqës  Njësisë për Standarde dhe Vlerësim në MASHT,  tha se sipas  të dhënave nga Drejtoritë Komunale të Arsimit  për  këtë test dije janë paraqitur 11.530 nxënës  ndërsa rezultatet pritet që të shpallen brenda një afati të shkurtër kohor .
Përpilimi dhe  shpërndarja e  pyetësorit  është bërë dhe po bëhet në masa të rrepta të sigurisë për çka kujdeset Policia e Kosovës.
Nxënësit të cilët edhe kësaj radhe nuk do të kenë sukses  duhet të presin qershorin e vitit të ardhshëm për t’i krijuar vetes mundësinë e shkollimit të lartë .

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›