E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtohen 38 shtëpi për romët në Mitrovicë

Udhëtimit të gjatë të jetës nëpër kampe po i vjen fundi. Në lagjen e Romëve po fillon një jetë e re, u tha në ceremoninë e vënies së gurëthemelit për ndërtimin e shtëpive për 38 familje të komunitetit RAE që kanë shprehur gatishmërinë për t’i braktisur kampet dhe për t'u kthyer në lagjen e tyre në jug të Mitrovicës, njofton KosovaLive.

Drejtues të Komunës së Mitrovicës, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe të tjerë, kanë marrë pjesë të enjten në vënien e gurëthemelit për ndërtimin e 38 shtëpive në lagjen e romëve, të cilëve u kanë uruar mirëseardhje dhe u kanë premtuar përkrahje për një jetë më të lumtur.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati në emër të qytetarëve të kësaj komune, u dëshiroi mirëseardhje komunitetit RAE, duke theksuar se ka trashëguar një ecuri të mirë nga paraardhësi i tij, tani ministër, Bajram Rexhepi, që këtyre qytetarëve të iu ofrojnë një jetë më të lumtur.

Ministri për Kthim e Komunitete, Sasa Rasic ka përgëzuar të pranishmit për fillimin e punëve në ndërtimin e shtëpive të reja, duke iu dëshiruar punë të mbarë dhe përfundim sa më të shpejtë të tyre.

Ky fillim i punëve sipas tij, dëshmon se Qeveria punon për një të ardhme më të mirë të komuniteteve, në bashkëpunim me ministrinë përkatëse.

Ndërkaq, kryesuesi i Misionit ECLO, Kjartan Bjornsson, vlerësoi se ky është një projekt i një rëndësie të veçantë, një mundësi për një jetë më të mirë për këtë komunitet, që e kishte shumë të vështirë jetën në kampe.

Përfaqësuesi i Komunitetit REA, Latif Mesurica, duke konsideruar se udhëtimit të gjatë të jetës nëpër kampe po i vie fundi, dhe se në Lagjen e romëve po nis një jetë e re, falenderoi komunën e Mitrovicës dhe qytetarët e saj për mbështetjen që po i dhënë këtij komuniteti, si dhe organizatat ndërkombëtare që po ndihmojnë në rindërtimin e këtyre shtëpive.

Ky projekt që përveç rindërtimit të shtëpive për familjet e komunitetit RAE nga kampet “Lugu i qeshmes” dhe “Osterode”, përfshinë edhe ekzaminimin dhe trajtimin mjekësor, gjenerimi i të ardhurave dhe përkrahja e jetesës, arsimim, etj, ku përkrahet nga Komisioni Evropian dhe Mercy Corps.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›