E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia me plane konkrete për siguri në shkollat e kryeqytetit

Prishtinë, 26 gusht  – Rasti i një viti më parë kur për shkak të grindjes së të rinjve kishte mbetur një nxënës i vdekur, ka ndikuar që sivjet Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me organet komunale të jenë më syçelë, sidomos në muajin e parë të vitit të ri  shkollor. Ky fakt është bërë i ditur në mbledhjen e rregullt të Këshillit Lokal të Sigurisë në Bashkësi për Komunën e Prishtinës, të mërkurën, të cilën e ka udhëhequr kryetari  i Prishtinës, Isa Mustafa. Humbja e jetës së nxënësit ishte bërë në oborrin e shkollës “28 Nëntori”.  
Në këtë takim përfaqësuesi i Policisë Rajonale në Prishtinë, majori Rexhep Sijarina, ka thënë se kjo polici sivjet është më e përgatitur që fillimi i vitit shkollor të jetë më i sigurt.
“Policia ka hartuar strategjinë e veprimit, ka kontaktuar organet komunale të arsimit dhe e ka hartuar planin detal që fillimi i vitit të ri shkollor, sidomos gjatë muajit të parë, kur nxënësit më pak kanë angazhime në mësim,  të jetë në nivel”, ka thënë Sijarina. Ai ka theksuar se kohët e fundit janë shtuar edhe patrullimet këmbë të policisë. Sipas tij, aktualisht në kryeqytet patrullojnë këmbë 90 për qind e policisë. Sijarina gjithashtu ka treguar se në Komunën e Prishtinës janë ndarë 16 sektorë të Policisë së Kosovës dhe se secili i ka përfaqësuesit e vet, që nuk ndërrohen.
“Krejt kjo bëhet me qëllim që komuniteti të ambientohet me të njëjtët oficerë dhe ta ketë më të lehtë bashkëpunimin”, ka thënë ai.
Ndryshe,  majori Sijarina, duke e paraqitur gjendjen e përgjithshme të sigurisë, ka theksuar se përgjithësisht ajo është e mirë në Komunën e Prishtinës.
Ai e ka arsyetuar këtë me atë se, sipas tij, krimi krahasuar me një muaj më parë ka shënuar rënie për 35 për qind. Ai nuk ka folur me numra për këtë rënie krimi. Mirëpo, kur ka folur për gjendjen në komunikacion, Sijarina ka theksuar se ka pasur një shtim të tyre. As këtu ai nuk ka paraqitur numra,
Më pastaj janë angazhuar edhe anëtarët e tjerë të këshillit, si drejtori i Shërbimeve Publike, Agim Gashi, i cili ka thënë se edhe më herët ka ekzistuar bashkëpunim i mirë i policisë me organet shkollore.
Këshilli Lokal i Sigurisë në Bashkësi, po në këtë takim, ka miratuar një rregullore të punës, ndërsa është zotuar se do të bëhen edhe projekte për sensibilizimin e opinionit, me qëllim që siguria të jetë edhe më e mirë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›