E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina nis sensibilizimin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, opozita dyshon

Prishtinë 26 gusht – Përderisa një pjesë e opozitës dhe e shoqërisë civile shprehen skeptikë që Komuna e Prishtinës do t’ia arrijë në krye me procesin e nisur të legalizimeve, ashtu nuk mendojnë zyrtarët komunalë. Ata janë shprehur të bindur se niveli i përgatitjeve të tyre premton çuarjen deri në fund të procesit të nisur për trajtimin e ndërtimeve pa leje, shkruan sot gazeta Koha Ditore. Sipas tyre, qysh gjatë kësaj jave do të nisë një fushatë informuese për qytetarët në lidhje me atë se çka përfshin dhe çka nënkupton legalizimi i objektit të ndërtuar pa leje.
“Do të dalim edhe nëpërmjet mediave, do të shpërndajmë broshura informuese dhe se në zyrën për legalizime në Komunë, që do të hapet më 1 shtator, do të jenë në dispozicion persona përgjegjës të cilët do t’u shpjegojnë qytetarëve paqartësitë eventuale”, ka thënë Asdren Osaj, këshilltar politik i kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa. Këshilltari Osaj i ka quajtur të pabaza pohimet dhe aludimet që Komuna nuk ka qenë transparente gjatë kohës sa ka zgjatur ecuria e përgatitjeve për të nisur procesin e legalizimeve.
“Ka më shumë se 1 vit që KK-ja e ka miratuar Rregulloren për trajtimin e objekteve pa leje. Që nga ajo kohë, Rregullorja gjendet në faqen e internetit të Komunës. Pos kësaj, në të gjitha debatet me qytetarë është biseduar për legalizimin e ndërtimeve dhe nëse gjithë kësaj ia bashkëngjisim edhe faktin që Komuna ka hartuar dhe shpërndarë manualin e legalizimeve, atëherë shumë qartë shihet ndjekja e një politike transparente dhe përgjegjëse karshi nisjes së këtij procesi”, ka potencuar Osaj.
Njohësit e zhvillimeve në kryeqytet thonë se fillimi i procesit të legalizimeve do të jetë njëra ndër çështjet me delikate me të cilat është përballur Komuna që nga koha e pasluftës. Krenar Shala, hulumtues në Institutin GAP, është shprehur që Komuna e Prishtinës në radhë të parë duhet të jetë e përgatitur për t’u rezistuar presioneve që mund të vijnë nga qarqe të ndryshme rreth legalizimit të ndërtimeve pa leje në kryeqytet.
“Institucionet komunale, edhe pse domosdoshmërisht duhet t’i ndërmarrin të gjithë hapat për të bërë të mundur rregullimin e kësaj problematike, ata nuk kanë kapacitet administrativ për t'i shkuar kësaj pune deri në fund. Presionet politike nga klane dhe qarqe të ndryshme, duke përfshirë këtu dhe shantazhet dhe kërcënimet, si dhe elementët korruptuese do ta pengojnë shumë këtë hap të nisur nga Komuna”, është shprehur Shala. Sipas tij, që procesi i legalizimeve të jetë i suksesshëm kërkohet një bashkëpunim dhe bashkëveprim i ngushtë midis autoriteteve komunale dhe qytetarëve të Prishtinës.
“Shpresoj që autoritetet komunale do ta marrin këtë proces shumë seriozisht, pasi që nuk ka alternativë. Shpresoj që edhe  qytetarët të bashkohen dhe të ndihmojnë sundimin e ligjit”, ka potencuar Shala. Ndërkaq Besnik Vllasaliu nga OJQ “Qendra për Avokim dhe Qeverisje Lokale” është shprehur që nisma e Komunës për legalizimin e ndërtimeve pa leje ka dilema të mëdha.
“Sot në disa lagje të kryeqytetit është duke dominuar logjika e krijimit të ndërtesave kolektive apo e njohur ndryshe si banesa. Shtëpitë private po rrënohen, pyetja e thjesht shtrohet se çka nëse unë sot i paguaj deri në 5 mijë euro Komunës për të legalizuar shtëpinë, ndërsa pas një kohe të vijë ndonjë kompani që në atë vend dëshiron të ndërtojë banesa”, ka thënë Vllasaliu. Sipas tij, kjo nuk është dilema e vetme që e përcjell këtë proces. “Dilema tjetër është se çka do të bëhet me objekte të cilat as përafërsisht nuk i plotësojnë kriteret për t’u legalizuar dhe numri i tyre nuk është i vogël”, ka thënë Vllasaliu. Ndryshe, fillimi i legalizimit këtë vit nga  Komuna e Prishtinës përmendet edhe në planin katërvjeçar të zhvillimit të Prishtinës. Aty thuhet që nga legalizimet në buxhetin e Komunës pritet të alokohen vetëm në fazën e parë afërsisht 22 milionë euro. Sipas të njëjtit plan, legalizimi nuk mund të bëhet në pjesët e kryeqytetit, të cilat ende nuk kanë plan urbanistik. Ndërkaq, në lagjet ku vlerësohet që planet urbanizuese kanë përfunduar, legalizimi do të bëhet sipas kategorive A dhe B. “Kategoria A nënkupton legalizimin e objekteve që gjenden në kuartetin e objekteve që janë shfrytëzuar ose që mund të shfrytëzohen për qëllime afariste, ndërsa kategoria B do të përfshijë të gjitha objektet e banimit pa leje, të cilat  pastaj do të futen në kategorizimin e objekteve të mëdha, të mesme dhe të vogla”, thuhet në planin e zhvillimit të Prishtinës 2009 -2013.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së në KK të Prishtinës, Shemsi Veseli, ka thënë të mërkurën se i japin mbështetje nismës për legalizimin e ndërtimeve pa leje, por sipas tij një proces i tillë nuk do të duhej të bëhej nga strukturat e tanishme komunale, ngase, siç ka thënë ai, pjesa dërrmuese nga ajo strukturë janë njerëz të korruptuar dhe që nuk përfaqësojnë ndonjë nivel cilësor të arsimimit.
“Mënyra se si është duke menduar udhëheqja e tanishme e Komunës është absurde, ngase ka nxjerrë rregullore për legalizime pa pasur ligj në nivelin qendror për diçka të tillë. Njëherësh kriteret të cilat i ka nxjerrë Komuna që një objekt të legalizohet bien ndesh me praktikat e dhënies se lejeve të ndërtimit në kryeqytet. Shembull për këtë janë ndërtimet aktuale me leje që janë duke u bërë në rrugën ‘Agim Ramadani’ dhe distanca midis objekteve është aq e vogël saqë e ngufasin njëra-tjetrën. Si mund të ndodhë legalizimi aty”, është shprehur Veseli. Ai ka kritikuar edhe nivelin e transparencës në Komunë të Prishtinës. “Asnjë nga deputetët e KK-së nuk e ka marrë zyrtarisht manualin për legalizime dhe nga kjo shihet se sa Komuna është transparente dhe përgjegjëse për një proces kaq delikat që ka nisur”, ka thënë Shemsi Veseli. Ky i fundit thotë se Prishtina është degraduar nga puna ose mospuna e njerëzve që aktualisht udhëheqin me kryeqytetin. “Këta që kanë filluar tani legalizimet deri tani kanë bërë degradimet dhe nuk mund të pritet nga dikush që e ka bërë kaosin ta vendosë rendin”, ka theksuar ai. 
Ndryshe vlerëson homologu i këtij të fundit, Shefqet Sylejmani (AAK) në Kuvend të Prishtinës.
“Nisma për t’u legalizuar ndërtimet pa leje duhet përshëndetur dhe duhet mbështetur. është nismë e cila mëton të vërë rregull dhe ligj në sferën e urbanizimit. Kjo është dashur të ndodhte edhe më herët”, është shprehur Sylejmani. Sipas tij, edhe niveli i transparencës së Komunës karshi legalizimeve është për t’u përshëndetur.
“Ka pasur diskutime, debate dhe forma të tjera të prezantimit, përmes të cilave është proklamuar dhe sensibilizuar nisma për legalizime. Nuk duhet fshehur edhe faktin se në shumë debate publike janë qytetarët ata të cilët mungojnë dhe kjo e bën të pamundshme informimin dhe debatin”, ka thënë Shefqet Sylejmani.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›