E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: U prodhua karta e identitetit e njëmiliontë



Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka qenë i pranishëm gjatë procesit të prodhimit të kartës së njëmiliontë të identitetit. Numri një i Ministrisë së Brendshme është shprehur se procesi i pajisjes me letërnjoftime elektronike i qytetarëve po shkon normalisht. Nishani hodhi poshtë akuzat e bëra nga opozita se është e pamundur që të gjithë shtetasit të pajisen me kartën e identitetit. Sipas tij, “procesi i pajisjes me karta identiteti për qytetarët shqiptarë është i suksesshëm dhe i realizuar. Çdo gjë po ecën mirë”. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij Nishani u shpreh se në ditët në vazhdim do të aplikojnë vetëm shtetasit pa pasaportë, në mënyrë që ata të kenë mundësi të votojnë më 28 qershor. “Pas marrëveshjes me firmën “Sagem” për shkak të zgjedhjeve, jemi të angazhuar në procesin e aplikimit për letërnjoftime elektronike të personave pa pasaportë”, - vazhdoi ai.

Gjithashtu, numri një i Ministrisë së Brendshme informoi publikun se numri i personave pa pasaportë që kanë aplikuar për kartën e identitetit, ka arritur numrin e 460 mijë personave. Ai u rikujtoi edhe një herë të gjithë këtyre personave, që të paraqiten pranë qendrave të zonës së aplikimit që të tërheqin letërnjoftimet. Shumë qytetarë, pas kryerjes së këtij procesi, nuk kanë shkuar për t’i tërhequr kartat. Një gjë e tillë mund të ketë probleme me kalimin e ditëve, pasi nëse lihen për më vonë, mund të krijohen radhë të gjata dhe vonesa në marrjen e tyre. Kjo, si pasojë e dyndjes së njerëzve në ditët e fundit para zhvillimit të zgjedhjeve.

Ministri i Brendshëm gjithashtu theksoi se nuk ka asnjë rrezik që të ngelë ndonjë shtetas shqiptar pa marrë kartën e identitetit. Kjo, pasi janë marrë të gjitha masat e janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet maksimale për të bërë që çdo qytetar pa pasaportë të mund të aplikojë dhe të mund të pajiset me të deri në mes të qershorit. Një gjë e tillë bën që procesi zgjedhor të zhvillohet normalisht dhe të mos vihet në rrezik. Opozita akuzoi se procesi i pajisjes me karta identiteti është në rrezik dhe se mund të ngelen votues pa u pajisur me të, duke humbur kështu të drejtën e votimit. Por, për numrin një të Ministrisë së Brendshme, nuk ka asnjë problem, pasi janë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për të pajisur me letërnjoftim elektronik çdo qytetar deri më datën 28 qershor, ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Letra e MB-së për Partinë Socialiste

Ministria e Brendshme i ka dërguar ditën e djeshme një letër Partisë Socialiste, ku i dorëzon asaj informacionet e kërkuara në lidhje me aplikimin e shtetasve shqiptarë për letërnjoftimet elektronike, pas kërkesës së kësaj të fundit. Në letrën e dërguar kësaj partie dhe të bërë publike shkruhet: “Në vijimësi të përgjigjeve tona të përmendura edhe në letrën e datës 27.05.2009, të cilat ju i mohoni, por që janë të hapura për publikun në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme në ikonën “Infrastruktura zgjedhore”, ju bëjmë me dije se procesi i pajisjes së qytetarëve pa pasaportë me letërnjoftimin elektronik po ecën normalisht dhe ka në dispozicion kapacitetet maksimale”.

Sipas informacionit të dhënë nga MB-ja, numri i aplikuesve deri në datën 29 maj është 1 149 211 votues. Gjithashtu, pas verifikimeve të kryera, grupi i personave pa pasaportë rezulton se është 418 956 aplikues.

Gjithashtu, në letër thuhet se kapacitetet e instaluara lejojnë pajisjen me letërnjoftim të të gjithë votuesve pa pasaportë që do të paraqiten për të aplikuar deri më datën 15 qershor 2009.

“Ministria e Brendshme sqaron se mbetet maksimalisht e angazhuar për të siguruar ecurinë maksimale të procesit dhe për të përmbushur tërësisht standardet zgjedhore. Në këtë këndvështrim, transparencën e procesit e kemi konsideruar si kusht thelbësor për mbarëvajtjen e tij dhe për një klimë pozitive për zgjedhje”.

Por, ajo ka kërkuar nga të gjitha forcat politike mbështetjen pa lëkundje dhe pa mëdyshje të këtij procesi jetik jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për çështjen e integrimit evropian.

.......

Posta Shqiptare kompenson 98% të pensionistëve për kartat

Posta Shqiptare ka kompensuar deri tani 98 për qind të pensionistëve shqiptarë, të cilët kanë aplikuar për kartat e identitetit. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Postës, Bruno Gjymshana, tha se në një periudhë të shpejtë, të gjithë pensionistët do të kompensohen nga posta. “Është drejt përfundimit procesi i rimbursimit të pensionistëve në zbatim të VKM-së 366, dt. 15.04.2009. Deri tani ky proces ka përfunduar në masën 98% në filialet e Postës Shqiptare Tiranë, Lezhë, Kukës, Korçë e Mat, ndërkohë që në gjithë Shqipërinë janë rimbursuar mbi 80% e tyre”, - tha Gjymshana. Deri tani vetëm në rrjetin e Postës Shqiptare janë shitur 1 milion e 100 mijë kuponë për letërnjoftim elektronik. Njëkohësisht, Posta ka bërë me dije se po shiten kuponët me çmim 200 lekë në sasi të madhe. “Zbatimi i VKM-së 419, dt. 30.04.2009 për shitjen e kuponëve me vlerën 200 lekë, po ecën gjithashtu me ritme tepër të shpejta dhe në mënyrë të shkëlqyer. Strukturat e Postës Shqiptare kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në funksion të këtij procesi gjatë gjithë ditëve të javës, duke e vlerësuar maksimalisht si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm, përfshirë edhe ditët e pushimit dhe të festav, duke punuar me orare të zgjatura deri në orët e vona të mbrëmjes derisa t’i shërbehet edhe qytetarit të fundit që ndodhet në zyrën postare”, - shtoi zëdhënësi, duke garantuar se Posta është në gatishmëri në të gjitha pikat e saj. Njëkohësisht, Posta sqaroi se ajo bën kompensimin e pensionistëve, ndërsa kategoritë e tjera që përfitojnë nga skema e kompensimit, paguhen në institucionet përkatëse si: bashki, komuna, rektorate etj.

Kartat, PS-ja, letër të tretë për Ministrinë e Brendshme

Partia Socialiste vazhdon të këmbëngulë në kërkesën drejtuar Ministrisë së Brendshme për të pasur në veçanti listat e qytetarëve që s’kanë aplikuar për karta identiteti. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami, ka nisur dje të njëjtën letër në ministri, një fakt që e ka bërë për të tretën ditë radhazi. PS-ja i kërkon ministrit Nishani një listë të detajuar për shtetasit që kanë pasaportë, për shtetasit që janë pajisur me letërnjoftime elektronike dhe së fundi, një listë për shtetasit që kanë aplikuar për të marrë letërnjoftime elektronike. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme shprehet se informacioni është dërguar pranë PS-së si dhe ka garantuar qytetarët se do të pajisen. Por në letrën e saj, PS-ja kërkon të njëjtin informacion. “Ju bën paraprakisht me dije se mungesa e një përgjigjeje apo një përgjigje negative do të vlerësohen tregues shtesë me ndikim negativ në analizën dhe vlerësimin e procesit”, - mbyll letrën e tij sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›