E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neshat, një film mbi “Pallatin e Ëndrrave”

Shirin Neshat, regjisorja iraniane, e cila një vit më parë fitoi “Luanin e argjendtë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia me filmin “Women without men”, ka vendosur të realizojë një film mbi një prej romaneve më të njohura të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, “Pallati i ëndrrave”. E bërë e njohur me filmin e saj të fundit, Shirin Neshat ka rrëfyer për mediat e projektin e saj të radhës. “Më ka ngjallur një interes të veçantë një tjetër roman i shkruar nga shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, titulluar “Pallati i Ëndrrave”.

Ky film do të realizohet në gjuhën angleze dhe xhirimet do të kryhen më së shumti në Evropën Lindore. Ndonëse ky roman sureal nuk lidhet drejtpërdrejtë me Iranin, është një alegori që lidhet me Iranin, sa i përket mënyrës se si ‘partia në pushtet’, ‘shteti’ përpiqet të kontrollojë imagjinatën e njerëzve, madje edhe ëndrrat e tyre”, tregon regjisorja, e cila ka nisur punën për realizimin e këtij filmi. “Shoh se aty ka shumë rrugë për të eksploruar, absurditeti, rrethi vicioz, që na kërcënon edhe sot. Te ‘Pallati i Ëndrrave’ unë shoh një paralele të bukur mes historisë së errët shqiptare, luftën kundër komunizmit dhe çështjes iraniane me revolucionin islamik”, shton regjisorja, gjithnjë e interesuar për temat e forta.

Shirin Neshat lindi në Iran në vitin 1937, largohet nga vendlindja për të studiuar art në Los Anxheles e më tej në San Fracisko, ku studion në një kolegj dominikan. Në Iran rikthehet në vitin 1990, ku fillon të merret seriozisht me artin. Ajo nisi një seri punësh, të titulluar “Women of Allah” (“Gratë e Allahut”), të cilat i referoheshin kodeve sociale, kulturore dhe fetare në vendin e saj, sidomos në raportin mes femrave dhe meshkujve. Më tej ajo vijoi me realizimin e filmave me metrazh të shkurtër, gjithnjë mbi tema sociale. Punët e saj morën karakter ndërkombëtar në vitin 1999, kur ajo fiton një çmim në edicionin e 53-të të Bienales së Venecias. Ndonëse jeton në Nju Jork, puna e regjisores fokusohet në vendin e saj të lindjes. Në punët e saj të para ndihet kultura, e kaluara, dhimbja e largimit, në një kohë që mban një pozicion asnjanës kundrejt islamit. Por kur regjimi islamik në Iran filloi të bëhet shtypës, veprat e saj morën karakter më të hapur politik dhe më kritik. Kulmin në karrierën e saj e arriti një vit më parë me filmin “Gra pa burra”, me të cilin fitoi një nga çmimet më të mëdha në festivalin e rëndësishëm të Venecias.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›