E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni vazhdon

Bayern Munchen ka udhëtuar drejt Anglisë me një synim të vetëm: për ta mbrojtur në Old Trafford ndaj Manchester United rezultatin e ndeshjes së parë, 2:1. Edhe pse shpresuan shumë, megjithatë anglezët do të hyjnë në këtë ndeshje pa sulmuesin kryesor, Wayne Rooney, i cili nuk stërviti fare të martën.

Pasi pranoi gol në minutën e fundit në ndeshjen e parë, që e realizoi Ivica Olic, ekipi i Sir Alex Ferguson humbi me rezultat identik edhe nga rivali kryesor në Premierligë, Chelsea.

Anglezët do të tentojnë të sulmojnë që nga fillimi dhe do të mundohen ta shkrijnë disavantazhin prej një goli të gjermanëve, pa marrë parasysh mungesën e golashënuesit më të mirë, Wayne Rooney, i cili iu shtua listës së gjatë të mungesave të rëndësishme të ndeshjeve të kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas Carles Puyol, Gerard Pique, Zlatan Ibrahimovic, Cesc Fabregas, Andrei Arshavin, Lisandro Lopez e Milos Krasic.

“Rooney kishte përparime, stafi mjekësor ka bërë punë fantastike, por unë nuk jam i gatshëm të rrezikoj, kur futbollisti nuk është 100 për qind gati”, ka thënë menaxheri Ferguson.

Dy humbjet e fundit nuk e brengosin shumë menaxherin skocez, i cili beson në skuadrën e tij, me gjithë mungesën e sulmuesit anglez.

“Ishin dy rezultate të këqija, që nuk ndodhin shpesh këtu. Duhet të marrim mësim nga këto dhe rruga për të dalë nga kjo është paraqitja më e mirë e ekipit. Nëse bëjmë paraqitje më të mirë sesa në Gjermani, do të kemi mundësi të mirë. Kualifikimi në gjysmëfinale do të ishte një arritje fantastike, pasi do të riktheheshim pas një goli disavantazh ndaj Bayern. Është gjithmonë nxitje kur e arrin gjysmëfinalen”, vazhdoi Ferguson.

Bayern është në kërkim të gjysmëfinales, për herë të parë që nga viti 2001. Bavarezët presin rikthimin e dyshes së rëndësishme, Bastian Schweinsteiger e Arjen Robben. Gjermanët kanë fituar besim pas fitores në Bundesliga ndaj Schalke 04.

“Presioni është në anën e futbollistëve të United. Ata e dinë se krejt çka na nevojitet është shënimi i një goli dhe puna do të kryhej. Do të ishte e pamundur të riktheheshin në lojë. Ne tashmë e kemi dëshmuar se mund ta mposhtin klubin anglez dhe besojmë se do ta bëjmë këtë sërish. Unë jam i etur për të luajtur. Ishte me të vërtetë e vështirë për mua që të ulem në bankinë dhe ta shikoj ndeshjen e parë, pa mundur të jem i gatshëm ta jap kontributin në fushë”, tha holandezi Robben.

Çifti tjetër i së mërkurës do të jetë ai francez, Bordeaux-Lyon. Nisma e mirë e ekipit të Laurent Blanc ka filluar ta marrë tatëpjetën. Fillimisht u mposht në finale të Kupës së Francës nga Olympique Marseille, 3:1, ndërsa më pas me rezultat identik nga Lyon, në ndeshjen e parë çerekfinale.

Blanc është i vetëdijshëm se ka deficit prej dy golash, por do të mundohet ta bëjë të pamundurën që t’i mposhtë rivalët kryesorë. Derisa Bordeauxit i nevojitet së paku një fitore 2:0, për Lyonin nuk do të ketë shumë presion.

Ky ekip do të jetë i hendikepuar pa sulmuesin kryesor, Lisandro Lopez, i cili është i suspenduar, plus pa sulmuesin Sidney Govou. Por, Lyon shkon në Bordeaux me mendimin për ta mbrojtur rezultatin e ndeshjes së parë dhe për ta siguruar një vend ndër katër skuadrat më të mira evropiane, për herë të parë në histori të klubit.

E mërkurë
Man. Utd-Bayern M. 20:45
Bordeaux-Lyon 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›