E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesrin Lushtës, i plas delli

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta njohë në tërësi vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në mënyrë që votimet për kryetar komune të përsëriten edhe në Gjilan.

Një ditë pasi KQZ’ja kishte vendosur t’i përsërisë votimet në Prizren e Lipjan dhe u përcaktua që fletëvotimet e Gjilanit të hetohen, e më pas të rinumërohen, Ambasadori Christopher Dell takoi Kryesuesen e KQZ’së, Nesrin Lushta.

Në një deklaratë të lëshuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, Ambasadori Dell theksoi ka theksuar se, “Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e KQZ’së të datës 22 dhjetor për të implementuar, pjesërisht, vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) të datës 19 dhjetor, që udhëzoi përsëritjen e rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan”.

“Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet të respektojë vendimin e KZAP’së për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan”, thuhet në këtë deklaratë.

Sipas deklaratës, qëllimi i ligjit në këtë çështje është i qartë dhe “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgjegjësi të qartë të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në të tri komunat, sipas vendimit të KZAP-së të datës 19 dhjetor”.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet e Kryetares së KQZ’së, znj. Lushta, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe i inkurajojmë të gjitha partitë dhe entitetet politike të respektojnë, si germën ashtu edhe frymën e ligjit, gjersa ky proces vijon si dhe të përmbahen nga përpjekjet për të minuar institucionet dhe proceset e vendosura me ligj për avantazhet e tyre partiake”, thuhet në deklaratë.

KQZ’ja është mbledhur të mërkurën në mbrëmje dhe takimi i Lushtës me Ambasadorin Dell është përmendur vetëm si një “informatë” nga Kryesuesja e komisionit.

Pas mbledhjes, ajo është shprehur se deklarata e Ambasadorit Dell, pavarësisht jehonës që krijoi, nuk e obligon KQZ’në.

“Kjo deklaratë nuk e obligon KQZ’në, sepse KQZ’ja e ka marrë një vendim dje. KQZ’ja ka marrë vendim vetë dhe KQZ’ja është një institucion i pavarur”, ka thënë Lushta, të mërkurën.

Por ajo nuk ka përjashtuar mundësinë e rishikimit të vendimit të KQZ’së për Gjilanin.

“Mund të rishikohet nëse ka ndonjë lëshim, nëse ka diçka shtesë. Përndryshe jo. Ne kemi vendosur për rinumërim në Komunën e Gjilanit dhe vetëm nëse hetohen shkelje aq të rënda që tregojnë se ka nevojë për rivotim edhe në këtë komunë, atëherë do të shkojmë në rivotim”, ka thënë Lushta.

Rinumërimi i fletëvotimeve në Gjilan, sipas Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ’së, Xhemajl Peqani, nuk do të mund të fillojë para ditës së hënë (28 dhjetor).

Anëtari i KQZ’së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi ka thënë se deklarata e Ambasadorit Amerikan në Kosovë duhet të merret parasysh, pavarësisht se ajo, sipas tij, nuk është obligative për Komisionin.

“Edhe ju e dini që ajo deklaratë nuk e obligon KQZ’në, por realisht është një këshillë të cilën KQZ’ja është mirë ta marrë parasysh”, ka thënë Dushi.

Ai nuk ka pranuar të flasë për atë se çka mund të ndodhë në ditët e ardhshme rreth Gjilanit, por ka lënë të hapur mundësinë që vendimi i së martës i KQZ’së të mund të rishqyrtohet.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka shfaqur nevojën për të pasur sqarime shtesë nga Ambasadori Dell rreth deklaratës së tij.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi ka paralajmëruar një takim të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ambasadorit Christopher Dell për të biseduar rreth kësaj çështjeje.

“Do të marrim edhe mendimet e tij konkrete, meqenëse nga deklarata mbetet pak e paqartë se çka ka menduar të thuhet konkretisht përmes kësaj deklarate. Kështu që në komunikimet e ardhshme besoj se do të kemi edhe detaje më të sakta”, ka thënë zëdhënësi Memli Krasniqi.

Ai ka thënë se KQZ’ja dhe KZAP’ja janë institucione të pavarura, të cilat “kanë autoritetin dhe legjitimitetin për të marrë vendime pa u ndikuar” nga asnjëra palë.

Përmendet 24 janari

Data e 24 janarit është përmendur si datë e mundshme në të cilën votuesit e Prizrenit e të Lipjanit do të dalin para kutive të votimit për t’u përcaktuar për herë të tretë për kryetarin e ardhshëm të Komunës.

Ndonëse është lënë që të shqyrtohet e vendoset gjatë mbledhjes së sotme, anëtarët e KQZ’së duket të jenë pajtuar që zgjedhjet të mbahen në këtë datë.
Anëtari i KQZ’së nga PDK’ja, Betim Gjoshi ka zbuluar gjatë mbledhjes së djeshme ‘sekretin’ duke u kapur për këtë datë dhe duke kërkuar nga Sekretariati sqarime nëse teknikisht është e mundur që të përgatiten zgjedhjet.

Por Xhemajl Peqani nga SKQZ’ja nuk ka përmendur ndonjë datë konkrete.
Ai ka thënë se gjatë ditës së sotme, ky Sekretariat do të dalë me një plan operativ për të parë se sa kohë nevojitet për procedurat e prokurimit, listën përfundimtare të votuesve dhe ndërrimin e këshillave të vendvotimeve.

“Nesër do ta marrim planin konkret dhe propozimin nga kryeshefi i ekzekutivit dhe nesër do të vendosim”, ka thënë Nesrin Lushta, kryesuese e KQZ’së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›