Neuro-politika shqiptare në spitalin e ideve
Janë vite të arta për neuro-shkencën. Të panjohura deri dy dekada më parë, sot shtëpitë botuese të Oksidentit publikojnë me shumicë libra mbi argumentin; universitet - qoftë tokësore, qoftë ekstra-diellore, po hapin kurse të diplomimit ndryshe. Prandaj nëse është e vërtetë që ka fjalë që ka njëfarë shije, prefiksi “neuro” është më përfaqësuesi i kësaj kategorie. Ka gjeneruar neuro-psikologjinë, neuro-ekonominë dhe neuro-estetikën, por padyshim edhe neuro-etikën. Si çdo modë që hapen në Oksident vala e saj arrin dhe brigjet e Adriatikut, duke infektuar plazhe mendore të virgjra. Veçse kjo “neuro” sapo mbërrin në Shqipëri si çdo gjë tjetër ajo shndërrohet, modifikohet, ajo bëhet neuro-politikë me fansat e vet (neuro-maniakët), dhe pak më ndryshe (në neuro-skeptikët).
Po ç’është neuroza-politike? Përgjigja vjen në po atë esse që analizojnë neuro-politikën: ku neuroza vjen si rezultat i rritjes së problemeve, si të stresit social, ashtu edhe stresit politik, bile duke u shtuar shpeshtësia. Neuroza nuk njeh moshë dhe quhet si një ankth a stres nervor. Ajo vjen si rezultat i një mbingarkese nervore e emocionale. Më të predispozuar për këtë sëmundje janë njerëzit e ndjeshëm ndaj faktorëve socialë (puna, shoqëria dhe familja). Kjo sëmundje ka prirje të bëhet kronike.
Në politikë ne kemi shembullin e pandashëm të opozitës, e cila është aksionere kryesore në stresin tonë publik. Me një llaf, politika opozitare është shtruar në spitalin e ideve, ku ka disa pacientë që vuajnë nga neuroza prej skepticizmit dhe bien në një konflikt me botën, afërmendsh pastaj menjëherë vijnë në përfundim se kjo që ka ndodhur për shkak të tyre: figurë përfaqësuese e kësaj dogme është Blushi. Ndërsa kur iu ndodh kjo njerëzve me personalitet te çrregulluar, atëherë ata akuzojnë tërë botën (edhe politike) si fajtore, vetëm veten jo.
Tani nisim nga fundi për të arritur në krye:
Neuro-skeptiku/Të parët që thithin ajrin e modave politike dhe estetike në botë janë njerëzit që lexojnë dhe shkruajnë. Kuptohet vetiu se Ben Blushi bën pjese në klubin e neuro-skeptikëve, dhe si pjesëtar i një mendimi ndryshe që e shfaqi hapur - pas disa ditësh letargji mediatike, se Rama po “demotivon” bazën socialiste - po e bën atë “inekzistente” dhe po bëhet çdo ditë e më shumë “vendime personale” të kryetarit të PS.
Mirëpo fatkeqësisht faturimi i çdo sjelljeje jopolitike në Partinë Socialiste po i shkon Ramës, që është bërë burri i nënës së çdo mendimi; qoftë ndryshe, qoftë sozie të vendimmarrjes. Politikani Ben Blushi është skeptik në parim, por në veprim është nulifikimi i çdo mendimi demokratik, sepse duke qëndruar në hijen fiks si një satelit i tokës mëmë, nuk bën gjë tjetër veçse të përtypë vendimet e marra. Ndërsa po shkohet mbrapa një bojkoti të një politike të re pa kauzë, me ide memece dhe me një make-up llafoshtypi përpara një selie. Blushi nuk është edhe aq i sinqertë, kur thotë se zgjedhjet e pjesshme lokale të Bashkive dhe komunave janë një test politik për PS, kur dihet qartazi dhe pritet që të fitohen krejt nga e djathta, por kurthi taktik i kryesisë ndryshe për ta futur Ramën në tjetër përballje pa armë dhe pa lek do të thotë që këtij t’i hapej një tjetër plagë mosbesimi.
Neuro-maniaku/Truri nuk shpjegon se kush jemi, por origjina biologjike po. Shume njerez vuajnë nga neuroza apo nga personaliteti i ç’rregulluar. Këto dy gjendje janë çrregullim i përgjegjësive, dhe si të tilla bien ndesh me përshtatshmërinë ndaj botës dhe ndaj problemeve të saj. Edi Rama me veprimet dhe mosveprimet po tregohet gjithmonë e më shumë se është një politikan që ka hyrë në një transfert ideologjik me paraardhësit e tij gjenetik, madje po kërkon të shkojë sa në një cep në cepin tjetër të vendit për t’u karikuar dhe xhinxhilosur në sytë e militantëve si kryetari legjitim i tyre. Tashmë protesta e radhës do të bëhet në bastionin e Beratit, sepse në Tiranë qytetarët e snobuan dukshëm, dhe ndoshta në të ardhmen e shpejtë edhe në Fier. Por këto ekskursione politike nuk të thonë asgjë tjetër përveçse se ngasjen e një qerreje që frenon reformat për integrimin në standardet e BE.
Qëllimi i pathënë i Ramës ta kalojë vitin e ri në bojkot do të thotë se në vigjiljen e ndërrimit të viteve nisi edhe fushata elektorale për Bashkitë e mëdha. Më pas ai deklaroi - a thua se ishte në spitalin e ideve - se "Ne nuk ndalemi, nuk zmbrapsemi, nuk lodhemi”. Një konferencë e përditshme në bahçen e PS-së, ku Rama, me tensionin arterial që e karakterizon, thotë një silogjizën kompulsiv, të nxjerrë nga sutaku i politikës se re, e që përkthehet se Edvini dhe të tjerët lodhen duke mos punuar, por nuk ndalen duke mos u nisur dhe nuk zmbrapsen duke mos mësyrë gjëkund.
...