Meta: Maxhoranca e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për të gjitha reformat
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta deklaroi sot se "maxhoranca i ka bërë të gjitha përpjekjet dhe i ka lënë të gjitha dyert e hapura për të bashkëpunuar me opozitën për ecurinë e të gjitha reformave në vend". Gjatë një konference për shtyp, z. Meta përshëndeti progres-raportin e publikuar dje nga Komisioni Europian për Shqipërinë, ndërsa theksoi se "maxhoranca ka vullnetin që në respekt të sistemit kushtetues në vend dhe pavarësisë së gjyqësorit, të krijojë të gjitha hapësirat dhe mundësitë që opozita të zgjidhë pretendimet e saj brenda institucioneve. Nëse opozita e kthen në një qëllim në vetevete bojkotin, me strategjinë për të paralizuar institucionet, atëherë do të bëjë një gabim shumë të madh për veten e saj, pasi do të marrë një përgjegjësi lidhur me procesin integrues ku gjithë shqiptarët presin të prekin rezultatet konkrete", tha zoti Meta. Sipas tij "opozita duhet të marrë përgjegjësitë edhe për ecurinë e procesit të liberalizimit të pritshëm të vizave", edhe pse në këtë drejtim, zoti Meta u shpreh optimist se vendimi do të merret vitin e ardhshëm. Nuk mundet kurrësesi që axhenda e cilitdo, të bllokojë aspiratat e një populli të tërë", tha në përfundim, zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Meta.
...