E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamjet jonormale që vijnë nga e majta shqiptare tek diaspora e SHBA-së

Këtu, në Nju-Xhersi, në një kafene shqiptarë, të vjetër e të rinj, shpesh shohin në ekran  një qenie me pamjen e një kafshë shtëpiake, jo me emrin Balo, as Muro, as Xhufi, por Ramo, tek shfaqet e zhduket në pragun e portës së selisë së PS, i zemëruar, sme ham-ham e me kuisjen “të hapen kutitë!”. Po kalimtarët që sillen përqark me disa valuta të çuditshme ndër duar, s’ua varin as torbën e as hejbet, por ndërkohë habiten se drejt ndërtesës së kuqe flakë të partisë, nuk nxiton më askush nga bosët e mafiozët e financimit me pare nën dorë a në xhep të fushatës zgjedhore, meqë vanë e shkuan më kot ato të 28 qershorit. Hyrjet janë paksuar sa s’ka, kurse largimet priten të marrin pamjen e eksodit. Nga ana tjetër duken tek zvarriten heshtas brenda, kokulur, të zbardhur e të zverdhur, ish ministri i arsimit të Ramiz Alisë, Gjinushkë-delenxhiu dhe xhaxhi Ngjela - shtegtar i palodhur partish - me telashe për kolltukët e humbur të Kuvendit. Venë e qajnë të dy me lot për paratë, që duhen kthyer sa më parë. Para se të largohen, i pari jep porosinë e vlefshme të kryetarit Rama: “mos u dorëzo, qendro si burrë, përballë gjithë botës”! Ndërsa i dyti, “juristi i shquar”, i dorëzon projek-ligjin “Mbi hapjen e kutive”, për t’u votuar me firma pleqsh të përgjumur mbi letër nëpër rrugë e sokaqe, në ferra e driza... Për t’i dhënë zemër kryetarit të trishtuar që kapsallit sytë drejt qiellit, duket edhe poeti i madh devollit, i himnit të rebelimit komunist 1997, që dikur tek rrapi me degë i zgjaste cigaren Enverit ndërsa mendohej për popujt e botës, me thirrjen “ndize bre burrë, e di se ke halle, por ne frap shkrepim masatin dhe flakë i vëmë dynjasë!”. Nga larg antishqiptari Qose, marksisti revolucionar i vonuar, i kujton kryetarit ditët festive të 97-s me flakë e gjak.

Më së fundi kryetari E. Rama, gjuhëtarja e politikania e rreptë miope L Shamku, T. Balla i dëbuar nga Europa, E Veliaj, këmbëzbathur e i çjerrë vende-vende, pas dështimit në Tiranë, vendosën të arratisen në Berat. “Miting! Miting! Miting! Duam fitoren!”- ngjiren para mikrofonave tek porta e ndërtesës me xhama. Pas tyre do t’u ngjitet si rrodhe edhe Mero Tema, për reportazhe me gënjeshtra e sajime. Ku shkon bre Edi? Po Bashkinë ku e le? Po sheshet me gropa, rrugët-labirinte e pa trotuare, kujt ia le? Kujdes në Berat! Nuk ka vend për parkim për autobuzat e tu brenda në qytetin-muze, për shkak të ardhjes së turistëve të shumtë me autovetura. Kalo më mirë nga hyrja e re dhe parko në bulevardin e gjerë me katër korsi e me urën madhështore të përuruar këtë vit nga Qeveria. Kujdes në Berat nga komisionerët e tu! Kujdes se Berati e Skrapari me tradita patriotike tashmë u takojnë demokracisë. Do të bëje mirë ta mbaje mitingun në fshatin e thelle Dodovec, ku dole i fituar 50-0!!! Shtegun ta tregon miku yt E. Braçe, kryeplaku i fshatit dhe shoqja e partisë Lulushe me thirrjen “nuk duam as bukë, as ujë, as drita, por duam unitetin!”

Ndërkohë Kuvendi dhe Qeveria s’kanë kohë të merren me mitingje. I presin punë të tjera, ligjet e reja dhe reformat demokratike; ngritja e mëtejshme e mirëqenies ekonomike, turizmi, industria dhe tregtia private, transporti dhe bujqësia e përparuar; kultura bashkëkohore, arsimi, universitete, integrimi në Europë etj.

Gjatë emisionit “Ora e debatit”, kryeministri Berisha bëri të ditur se së shpejti pritet të nisin punimet për autostradën që lidh Tiranën me Elbasanin, e cila do të shkurtojë distancën në vetëm 25 kilometra për 18 minuta me automjet. Sipas kryeministrit, ndër tre projektet është zgjedhur varianti me pikënisje nga nyja e Unazës së Re të Tiranës, për të vijuar në Lundër, Mullet, Ibë, duke përshkuar Kërrabën me anë të një tuneli prej mëse dy kilometrash e duke dalë në anën tjetër në Luginën e Bradasheshit. Autostrada do të jetë me katër korsi dhe do të shmangë rrugën e vështirë nëpër Qafë Kërrabë. Ky variant do t’i shërbejë korridorit të jugut, Elbasan, Kuçovë, Berat, Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë. Rruga do u shërbejë edhe vendeve fqinje, si Maqedonisë, Kosovës e Greqisë.

Ky është një lajm i mirë. për gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut dhe jo aventurat e ylberistëve apo Don Kishotëve e Sanço  Pançove me autobuza në luftë me mullinjtë e erës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›