Damka e turpit e 10 mijëshit të shëmtuar të Edvinit
Kur një pastruese në spital regjistrohet nga Fiksi për mitëmarrje për të kryer një shërbim, infermierja është pushuar nga puna. Ndonëse ajo ka qenë në kushtet e mospërballimit të jetesës, veprimi i saj nuk ka gjetur asnjë mbështetje në opinionin publik. Të njëzëshëm, qytetarët e kanë quajtur një veprim të paligjshëm atë të infermieres. Dhe nuk është orvatur askush që të shqiptohet ndryshe.
Duket se korrupsioni është i dënueshëm më tepër si dukuri e dëmshme për shoqërinë, - si një veprim i pamoralshëm, që nuk e lë shoqërinë të ecë përpara, - më tepër sesa është gjykuar shkalla e përfitimit. Kjo e fundit ka të bëjë veçanërisht me organet ligjore që do të përcaktojnë vlerësimin, për të dhënë verdiktin. Por dëmi shumëfishohet kur ofrimi i lekëve për të kryer një shërbim bëhet në mënyrë masive dhe, për më tepër, hapur fare, ditën për diell. Ky është imoraliteti i Edvin Ramës për të rekrutuar njerëzit që të mblidhen e t’i mbajnë iso, në bojkotin e tij të protestës në funksion të diktatit të tij që të hapen disa kuti votimi të zgjedhjeve të 28 qershorit të 2009-s. Ndonëse mitingu bojkotues i Tiranës, qoftë edhe me këto mënyra korruptuese, i pati të gjitha tiparet e një bojkoti tërësisht të dështuar, E. Rama synon ta bëjë këtë hap të shtrembër, edhe në Berat. Madje ngulmon se do ta bëjë edhe në vende të tjera.
Më parë le të shprehemi për dështimin tërësor të kësaj lëvizjeje bojkotuese në Tiranë. Së pari, nuk u mblodhën dot më shumë se 2500, maksimumi 3000 veta, nga të gjitha qarqet e Shqipërisë. (Dhe, përveç korruptuesit, Edvini na del, këtu, edhe mashtrues, teksa thotë se ka mbledhur 10.000 firma!”). Paska mbledhur 10.000 firma nga 2500 veta! Gjer ku e çon marrëzia njeriun e çekuilibruar! Autobusët në shërbim të “bojkotuesve” dhe dhjetëmijë lekëshit në dorë për secilin, mezi i joshën pjesëmarrësit për në Tiranë, për të mbushur përplot,- siç do të dëshironte Edvini, - të gjithë bulevardin, nga Sheshi Nënë Tereza gjer në sheshin qendror, në atë të Monumentit të Skënderbeut. Siç po e vë ré lexuesi, këtë veprimtari bojkotuese nuk po e përmendim si të PS-së, por si të Edvinit. PS-ja s’ka asnjë atribut vendimmarrës, me një diktator në krye të saj, si E. Rama.
Le të përmendim njërin prej argumenteve: Edhe LMN-ja (Lëvizja për Mendimin Ndryshe), e cila është ndryshe sepse ka qartësinë të këqyrë sesi po zvetënohet përherë e më tepër, në rrjedhë të kohës, partia e saj. Veçse po dëshmon frikën përkundrejt këtij tirani. Është simptomatike që anëtarët e kësaj lëvizjeje bien në një kundërthënie, kur shprehen se janë kundër këtij bojkoti dhe, nga ana tjetër, thonë se nuk do të marrin pjesë në parlament dhe nuk do ta bojkotojnë bojkotin, jo se janë dakord me E. Ramën, porse këtë e bëjnë për “disiplinë partie!”. Në të vërtetë zëri i tyre është shpëtues që PS-ja të mos rrokulliset tejet në greminë. Nga ana tjetër është qartësuar se tanimë zëri i tyre nuk është vetëm ai i Blushit, i Malajt, i Islamit, i Sarasanit dhe i disa të tjerëve, por edhe i shumë intelektualëve e personaliteteve të dikurshme të PS-së, që janë larguar nga PS-ja jo me vendim të partisë, por me përbuzjen e Edvin Ramës. Tani numri i kontestuesve të Ramës, që po kuptojnë se ky është i privuar totalisht nga qëndrimi demokratik në parti, nga mungesa tërësore e transparencës, nga sjellja arrogante përkundrejt faktorit ndërkombëtar, ndaj vendimeve vetësore për bojkote të përçartura antiligjore, shkurt nga personalizimi i PS-së (duke e cilësuar E.R.-n si humbësin në vetë të parë të PS-së), - ky numër kontestuesish, pra, - është shumëfishuar. Megjithatë reformatorët e parë apo, siç quhen ndryshe, moderatorët, janë të kapluar nga kompleksi i përjashtimit. Nëse kjo pjesë e shëndoshë e PS-së, që e do partinë më shumë se Edi Rama, (dhe po bën çmos që ta shpëtojë PS-në nga zhbërja me autorësí përçarësin ER) do të futej me iniciativë në parlament, ç’do të mund të bënte Edi Rama? Do t’i përjashtonte nga partia? Si zor që mujshia e tij të arrinte gjer këtu!
Ndonjëri nga deputetët reformatorët ka pasur kurajën që të thotë se, në qoftë se në parlament do të shtrohej çështja e një rezolute apo vendimi parlamentar për të shprehur dëshirën unanime të popullit për të qenë anëtarë të BE-së, ai do të hynte në parlament që të jepte votën e tij, pro! Shqipëria, mbi gjithçka! Këtë do të mund ta bënte edhe Maqo Lakrori, i cili ka dhënë një kontribut vetjak për bindjen e tij të integrimit europian, ndonëse u përdor nga Edi Rama, si një rival marionetë, për “zgjedhjen” e paligjshme të tij si kryetar partie, duke qenë mandatprerë në mënyrë të parevokueshme. Maqua kishte mundësinë trimërore që të bënte atë që bënë Blushi dhe Malaj, për ta nxjerrë si të vetëm personin despotik që s’pyet askushin në vendimmarrjet 100 % vetjake, në partinë e tij!
Në bisedat me disa socialistë të pakomprometuar me zullumet e diktaturës dhe që janë me këmbët në tokë dhe me mendimin për një opozitë të domosdoshme në dobi të ecurisë përpara të një shteti demokratik, në mendimet e këtyre njerëzve të përkorë, kemi vërejtur besimin se do të vijë koha që do të hyjnë në parlament socialistët e guximshëm të cilët janë të bindur se vendimi i Ramës që t’i përjashtojë nga partia, edhe po të jetësohet, është nul! Sepse Rama nuk është Partia, - sipas tyre.
Duke folur sërish për ato lekët që iu jepen në dorë pjesëmarrësve për bojkot, dilet vetiu në disa përfundime: Njerëzit nuk vijnë me vullnet të lirë në këtë nismë personale bojkotuese të Ramës. Së dyti,- tepër e rëndësishme kjo, - Edvini nuk e ka për gjë që të marrë shërbime vetjake, me pagesë. A thua se është kaq i mangët në arsyetim, që të mos kuptojë se kjo që bën ai e ka emrin korrupsion? “Të jap lekë, që të më shërbesh”! Nuk quhen lekë nën dorë këto? Dhe s’duhet të lëmë pas dore arsyetimin që një gjë e tillë nuk bëhet e veçuar, si në rastin kur ai që paguan për të qenë në krye të radhës, për mundësinë e marrjes së një vize, për shembull. Në rastin tonë konkret kjo bëhet në shesh të mejdanit, në rrezet e diellit, për një mori njerëzish. Korrupsion në masë, i dënueshëm ligjërisht! Me ç’pare paguhen gjithë ata autobusë, në dispozicion të njerëzve që mund të quhen, edhe pa dashjen e tyre, të korruptuar?
Nga kjo mund të arrijmë edhe në një pyetje: A mund të flasë për zgjedhje të pandershme të 28 qershorit ky njeri që bën mitingje të pandershme, duke e ditur se bojkotin e tij nuk ia përkrahin as institucionet ndërkombëtare dhe as njerëzit e tij brenda partisë? Ç’kërkon të bëjë asqeri i tij, Gramoz Ruçi, kur flet hapur e me kapadaillëk, se partia e Edit (nuk mund të thotë “partia e tij”), as që do t’ia dijë për OSBE/ODIHR-in dhe as për personalitetet e shquara Euroatlantike , po ashtu edhe as për Raportin përfundimtar, sipas të cilit zgjedhjet e tanishme janë më të mirat e më të ndershmet e të gjithë periudhës së tranzicionit? Duan ta bunkerizojnë Shqipërinë, siç kishte bërë mentori i tyre, Enver Hoxha, që u detyrua të thoshte se do të hamë ( = do të hani) bar?!
Nga cilët kërkohet kjo hapje kutish? Nga PD-ja? Nga LSI-ja? Kjo nuk është në kompetencë të tyre! Nga KAAZ-të? Ato e kanë ndërvartësinë vetëm me KQZ-në. Kjo, po, e kishte atë kompetencë. Por vetëm në rastet kur në raportin përmbledhës të komisioneve vendore të viheshin ré parregullsitë, të shprehura nga KAAZ-të. Po kur këto kishin vendosur unanimisht për rregullshmëri, jo parregullsi, siç do të dëshironte E. Rama? KQZ-ja vendosi për zgjedhje të rregullta me votim 7:0. Përkundrejt këtij votimi unanim, Rama nuk mund t’i përvishet dot as KQZ-së. Atëherë kujt do t’i kërkohet hapja e kutive? Me vendimin e KLSH-së, procedura e votimeve quhet e përfunduar. Por kokëshkëmbi Rama, e kërkon këtë hapje me çdo kusht! Atëherë i ka zëmëruar të gjithë komisionerët e tij të PS-së, të zgjedhur një për një nga ai vetë, për besnikërinë e tyre. Tani thotë se ata i pret gjyqi!
Por është vetëm një blof! Se do të dilte se nuk ka më asnjë person të besuar në PS-në dhe kjo nuk do të quhej më një parti e tij, siç është bërë tani, konkretisht.
Po të shqyrtohet nga ana ligjore, del se ai kërkon hapje kutish, por s’di se kujt t’i drejtohet!
Ka gjetur, megjithatë, një individ megaloman në shkallën sipërore, që flet me duar e me këmbë, - meqë fjala e tij nuk tingëllon e besueshme, - që mund ta ndihmojë, të pashpresin, në këtë drejtim. Ky është një karrierist me K të madhe i cili, meqë paska një fakultet të jurisprudencës, i ka bërë sponsorizim vetes se është një njohës i jashtëzakonshëm i ligjeve (!). Veçse është një i ngërthyer nga llafomania dhe i pushtuar nga arrivizmi, që kujton se ligji është si një lëng i futur brenda enëve të tij komunikuese dhe mund të marrë formën që ai vetë dëshiron t’i japë! Ligji vetë, në një kuptimin metaforik, e ka bërë hasëm. Sepse ndryshe ishte ligjshmëria në gojën e tij në kohën kur ai ishte zëdhënësi i PD-së dhe krejt ndryshe kur ai, pasi doli deputet i PD-së, i vari buzët se nuk u bë ministër i Drejtësisë (mjerë Drejtësia në duart e tij!). Tanimë ngrefosej në sallën e parlamentit me bishtin shumëngjyrësh të palloit që e përshfaqte sa majtas-djathtas si një erashkë, kur merrte duartrokitjet e majtizmit parlamentar, paçka se e quante veten si demiurgun e së djathtës liberale, ku fjalët liberale i qëndronin si njeriut me opinga të grisura, që kishte vënë një kollare firmato!
Lexuesi e ka kuptuar se e kemi fjalën për një njeri që sheh ëndrra me sy hapur, sikur i ngjason Solonit, legjislatorit të 2500 viteve më parë. Apo Monteskië-së, akademikut francez të sh. XVIII, i cili punoi për katërmbëdhjetë vjet rresht për veprën madhore të tij, “Fryma e Ligjeve” (“ De l’esprit des lois”). Por të dy këta kolosë të ligjeve të shëndetshme kanë fshikulluar kaosin dhe dhunën, me përjashtim të vendeve nën pushtim.
Por a mos, vallë, na kujton të pushtuar ky njeri, që e ka emrin Spartak Ngjela, i cili na bën apologjinë e rrugaçërisë dhe të kaosit, e vetmja gjendje që Edvini kujton se mund të shpëtojë nga labirinti i Minotaurit ku e ka futur veten? Tezeu shpëtoi nga ky labirint me ndihmën e perit të Arianës. Por Taku vetëm sa diskrediton vetveten se mund të jetë në rol të Arianës. Sepse nuk ka aftësinë dhe as njohuritë ligjore për t’i dhënë vetes një atribut të tillë. Përndryshe do të na kishte treguar ligjërisht për të nxjerrë se kush ia ka fajin Ramës për të bërë bojkot dhe kundër kujt? Kundër komisionerëve të vet? Ligjërisht as PD as LSI nuk mund të vendosin vetë: “Të hapen kutitë!”. Sepse kutitë nuk i kanë mbyllur partitë, por një KQZ, i mandatuar edhe nga Rama, domethënë i njohur nga ai , për të vendosur në bazë të kodit zgjedhor. Edhe ky, me miratim të Ramës. Janë pak ose aspak ata që thonë se KQZ është përgjegjëse, me vendimin e saj unanim(7:0). Prandaj Rama u hakërrohet njerëzve të tij të besuar. S’di ku ta gjejë fajtorin! Përse nuk shprehet Ngjela, në gjetje të fajtorit? Kërkon edhe ai mjegull në kohë të kthjelltë ?
Dhjetëmijë – lekëshit dhe autobusët ( jo nga xhepi i Ramës, sigurisht), do të paraqiten edhe në mjedisin e veçantë të Beratit. Natyrisht, të shoqëruara me grindje e me zërin e Ramës si të Hitlerit, se u harxhuan paret më kot, meqë u mblodhën aq njerës sa nuk përmbushet dot as 1/5-a e firmave, ndonëse firmat janë marrë, duke e vënë unë për veten dhe për dy-tre të tjerë, që s’duken gjëkundi! Natyrisht edhe ai tjetri, për mua e për të tjerët!
Mjerë Shqipëria, nëse një aventurier prestigjiator i mbërthen për hunde dhe i vërtit si të dojë një numër njerëzish, nëse këta nuk do të kuptojnë në kohën e duhur, se kjo nxirje me bojë katran që i bëhet vendit, nuk është as në dobi të udhëtimit tonë me pasaporta Shengen, as në dobi të hyrjes sa më shpejt në Bashkimin Europian, domethënë është në dëm të progresit, vetëm e vetëm që një i krisur të bëhet medoemos kryetar partie!
Edi Rama ka vënë në përçarje, madje në krizë, jo vetëm PS-në, por e ka përgojuar pa të drejtë edhe Shqipërinë. PD-LSI-ja ka si prioritet Shqipërinë. Prandaj janë për Integrimin. Dhe jo vetëm tani. Janë interesa të përbashkëta, që kanë në epiqendër progresin e Shqipërisë. Kurse Edi Rama ka si makth të pashërueshëm personin e tij. Pa Shqipëria? Après moi, le déluge! (Pas meje, kiameti u bëftë!).
...