Nevil Dede, trajneri i ri TiranësBashke me "mbrojtesin e hekurt" ne rolin e ndihmesit do te jete Devi Muka

Publikoje ne:
Nevil Dede (34 vjeç) dhe Devi Muka (32 vjeç), janë dy trajnerët e rinj të 24-herë kampionëve të Shqipërisë, duke pasuar kështu kroatin Ilija Lonçareviç, të vetëdorëhequr pas javës së 6-të të Superligës, pas barazimit 1-1 me Kastriotin.
Ky është vendimi i presidentit të rekordemenëve shqiptarë, Refik Halili.
Për “mbrojtësin e hekurt” Nevil Dede- 9 herë kampion i Shqipërisë, 8 herë me Tiranën e 1 herë me Elbasanin si lojtar – kjo është hera e parë që drejton një skuadër.
Kjo vlen edhe me Devi Mukën i bashkuar me Tiranën qysh nga viti 2002 (167 ndeshje, 55 gola, 5 tituj kampionë).
“Vlonjati fluturues” do të jetë njëherësh edhe lojtar me 13-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë.
Aventura e Nevil Dedes, një lojtari që ka provuar të luajë edhe në Kinë me Changsha Ginde (2008, 25 ndeshje), do të nisë me derbin kundër Dinamos (18 tetor), skuadrës që jo vetëm kryeson Superligën me 8 pikë më shumë se Tirana, por dhe që drejtohet nga një ish-teknik bardheblu, Shkëlqim Muça, njeriut që ka fituar tre tituj kampion më Tiranën.
Tirana në gjashtë ndeshjet e para nën drejtimin e Ilija Lonçareviçit grumbulloi 6 pikë: 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.
SUPERLIGA 2009-2010
LËVIZJET E TRAJNERËVE
Shkumbini: Gugash Magani (nga java 1-2). Kristaq Mile (nga java e 3-te)
Flamurtari: Eqerem Memushi (nga java 1-4). Gugash Magani (nga java e 5-të)
Gramozi: Ilir Qirjako (nga java 1-5). Agim Canaj (nga java e 6-të).
Vllaznia: Hasan Lika (nga java 1-5). Roland Luçi (nga java e 6-të)
Tirana: Ilija Lonçareviç (nga java 1-6). Nevil Dede (nga java e 7-të)
E Marte, 06 Tetor 2009