E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevila Nika: Dokumentet e Arkivit, me anije ne Beograd



“Jemi një popull, që fatkeqësisht, kurrë nuk patëm fatin të dëgjojmë të vërtetën ose disa variante të një të vërtete. Duke mos e ditur atë, ne, gjithnjë përsërisim gabimet e mëparshme”, - Nevila Nika, drejtore e Arkivave të Republikës së Shqipërisë, prej 30 vitesh arkiviste - e mbyll intervistën, me pohimin e mësipërm. Historia bardhë e zi e shqiptarëve është pjesë e paditurisë dhe mbi këtë sensibilizim Nika tregon për 60-vjetorin e themelimit të arkivit. Paradigma e evoluimit të shtetit që instalohet për herë të parë në një linjë muzeale modeste, brenda arkivit në një dhomë të vogël - informacioni që vjen është material fizik, dokumente, letërkëmbime, skrivani, rafte të vjetër librash, makina shkrimi e deri tek kompjuteri. Është historia e administratës së shtetit shqiptar, çfarë kulture kemi trashëguar si shtet - si dokumentet që tregojnë kush je, kaluan sa në dorë të jugosllavëve, rusëve apo kinezëve derisa u mbërthyen politikisht. Dokumentacionit administrativ, kulturor, shkencor dhe historik i jepet goditja e parë, kur Arkivi vihet nën shërbimin e Ministrisë së Brendshme, si një sektor i injoruar, gjithnjë me drejtorë ushtarakë. Nevila Nika tregon pse Arkivi i Shtetit njeh si datë themelimi 9 qershorin e 1947-s

Arkivi i Shtetit mbush 60 vjet nga themelimi. Pse vjen tani ky përvjetor?

Arkivi i Shtetit?! Duhet saktësuar, ky emërtim që ka mbetur qysh nga koha e themelimit dhe njerëzit kështu e kujtojnë gjithnjë Arkivin e Shtetit. Por në fakt, kohët kanë ndryshuar, dhe ne jemi Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Republikës së Shqipërisë, nuk e kemi më shtetin. Por Arkivi Qendror Shtetëror është i vetmi në rang republike, që mund të quhet fare mirë Arkivi Qendror Historik Kombëtar sepse në të ruhet kujtesa jonë si popull, komb, si shtet dhe vazhdon të pasurohet nga dita në ditë. Normalisht i binte ta kremtonin më 9 qershor, por duke qenë se ishte një periudhë e nxehtë politike, ne, nuk e bëmë në ditën e caktuar, për shkak se Arkivi dhe me ligj është një institucion i depolitizuar, mbarëkombëtar - të cilit jam munduar t’i jap ngjyrim kombëtar. Pra, nuk është një institucion që i shërben dikujt apo një grupimi të njerëzve, është në shërbim të të gjithëve, qytetarit të thjeshtë, institucionit shtetëror, institucioneve e enteve private dhe natyrisht mbi të gjitha komunitetit të kërkuesve shqiptarë dhe të huaj.

Si është menduar të jetë kjo kujtesë, si do të prezantohet arkivi me historinë e saj?

Normalisht si çdo përvjetor, gjithnjë ka nga një gjë të veçantë sepse koha ecën. Nuk kemi bërë sesione shkencore. Kam gjykuar se njerëzit kanë më shumë dëshirë të shikojnë dhe të prekin vetë dokumentin, sesa të na dëgjojnë neve. Sesioni shkencor është shumë tradicional, ndoshta i ka kaluar edhe koha. Ndaj të gjithëve, stafit, na u duk më e arsyeshme që këtë herë të ngrinim një muze. Kësaj radhe do të jetë një muzeum i vogël, një mjedis i veçantë, që në perspektivë do ta pasurojmë gjithnjë e më shumë. Aty do të prezantohet historia e administratës shqiptare, ku ishim e ku jemi. Kemi një mjedis relativisht të mirë dhe një gjë të tillë e praktikojnë gjithë arkivat e botës. Do ta nisim me një penë pupël, si rend kronologjik si është shkruar më përpara, dhe do ta përfundojmë në xhiron e rreth-rrotullimit të kësaj dhome, deri tek kompjuteri që është fjala e fundit.

Pse e keni nisur ekspozimin në muze me administratën?

Nuk është histori e administratës së Arkivit, por histori e administratës shtetërore shqiptare, pasi Arkivi është themeli i shtetit. Dhe pa arkiv nuk ka kujtesë, histori, shtet. Ky muzeum do të jetë i përhershëm. Ndërsa ekspozita është një pjesë e këtij muzeumi, që do të thotë se krahas dokumenteve origjinale, meqë e kemi këtë privilegj, do ketë edhe foto, por edhe riprodhime të vlefshme për ekspozim. Periodikisht këto materiale do t’i rifreskojmë.

Bëhet fjalë për dokumente origjinale, të panjohura, çfarë do të përmbajë ekspozita?

Ne i kemi të gjitha, ku të gjitha janë të rëndësishme. Ne thjesht duam të tregojmë se si punohej në fillimet e shtetit shqiptar, ose pak më përpara dhe si ka ecur një makinë shkrimi e vjetër, që nuk përdoret më sot. Do të ketë dokumente origjinale nga më të ndryshmet, për shembull do të ekspozohet një ferman, diploma e marrjes së çmimit të parë nga Kol Idromeno në konkursin e parë të pikturës që është zhvilluar në Shqipëri. Gjithashtu do paraqesim sende dhe relikte për të treguar se me çfarë e krijonim dokumentin më parë, si për shembull një tavolinë të vjetër, një raft të vjetër, një skrivani siç kanë qenë përpara, telefon të vjetër, vulat, thithëset e bojës etj., që njerëzit sot i kanë harruar. Do të prezantojmë gjithashtu dhe sende që janë në arkiv si për shembull një dosje të vjetër, një këmishë dokumentesh ku ruheshin më përpara, si shkruheshin, që u takonin institucioneve të ndryshme si gjykatave, bankave etj. Po ju them një dokument tjetër si birra “Korça”, paraqitet me një logo shumë të bukur të kësaj fabrike, apo shoqëritë shqiptare etj. Pra janë gjëra, sende që tërheqin vëmendjen dhe kanë të bëjnë gjithmonë me dokumentin dhe me historinë e tij, si krijohej, si mbahej, si ruhej.

Arkivi gjithnjë është paragjykuar, pasi është luajtur me kartën e dosjeve, njerëzit që do të vijnë këtu do të kërkojnë të shohin diçka nga kjo e kaluar. Çfarë ka ndodhur me këtë pjesë të historisë së fshehur?

E para e punës, ne nuk kemi dosje. Institucioni i Arkivit Qendror Shtetëror nuk ka dosje të njerëzve, që, do të thotë se me ligj ne nuk i grumbullojmë ato. Them për dosjet, nëse bëhet fjalë për një dosje kuadri. Natyrisht nëse i gjejmë dhe rrezikohet jeta e këtyre lloj dokumenteve që kanë karakter shumë privat, ne vëmë dorë i mbrojmë dhe i marrim, por normalisht nuk merremi me këto dosje. Njerëzit kur vijnë tek ne nuk kanë të tilla dosje. Natyrisht, jemi të kujdesshëm për shkak se ka një ligj që e mbron jetën private të gjithsecilit prej nesh. Por, ne kemi bërë një gjë tjetër; meqenëse në arkiv ka një sasi tjetër dokumentacioni - të ardhur në rrugë jonormale, që do të thotë se në vitet e para kush burgosej, arrestohej, internohej apo mërgonte jashtë shtetit për motivin politik - pra, këto dokumente që merreshin nga organet e diktaturës, nuk ishin pjesë e Arkivit.

Arkivi nuk ka bërë pjesë asnjëherë edhe pse dokumentacionin e sillnin këtu. Ne pas rënies së regjimit komunist jemi munduar, e kemi vënë edhe në ligj, që familjarët apo trashëgimtarët e këtyre personaliteteve të cilido rang qofshin të fushës politike, shkencës dhe kulturës - u kemi dhënë të drejtën që ata të vënë kushtin se kush do të shikojë letrat e tyre, që kanë të bëjnë me jetën e tyre personale. Këtu hyn letërkëmbimi, të cilat ne nuk i japim, pasi janë të karakterit personal dhe ato nuk dalin jashtë Arkivit nëse nuk jep leje familja. Edhe pse nuk janë ata dorëzuesit me letra dhe dokumente të rregullt, sot është ndryshe. Familja Shuteriqi ka sjellë fondin e Dhimitër Shuteriqit, po kështu dhe familja e Mihal Hanxharit, Aleks Çaçi etj., janë shumë familje personalitetesh që vendosin mbi këtë fond, ndërsa ne nuk mund t’i japim. Ndërsa kur bëhet fjalë për krijimtari, nuk vë askush dorë.

Meqenëse është historiku se si ka funksionuar shteti, administrata - a mund të shërbejë ky dokumentacion i ekspozuar në muze, për të krijuar një përfytyrim mbi tendencat e zhvillimit të shtetit shqiptar?

Po, nga dokumentacioni që ka arkivi mund të krijojmë një ide mbi shtetin, evoluimin e tij. Sepse po të shohim dokumentet e periudhës para ’44-ës, ka një lloj standardizimi, ka një përpjekje për të vënë disa rregulla, bazuar në një përvojë italiane apo franceze po themi perëndimore. Kjo vinte për shkak të njerëzve që ishin shkolluar andej dhe sillnin këtë përvojë. Kishte këshilltarë dhe të punësuar për arkivat, protokollin, të paktën për institucionet shtetërore ka një lloj uniformiteti. Kush vjen në periudhën mbas, shikon se ka një lloj “partizanllëku” për të shkurtuar formatin e letrës, nuk është më standard, nuk ka më shkurtim lënde, nuk merret vesh kujt i drejtohet letra etj., ka ca gjëra që njeriu... Ka një humbje të jashtëzakonshme të kulturës administrative. Dhe ne këtë e shikojmë deri në vitin ’47-të, që shfaqet një lloj mbajtje me paterica të nëpunësisë së vjetër, shikon se ka një rënie drastike të rregullave. Më pas na vjen një përvojë ruse dhe jugosllave, apo kineze... Kalon në një drejtim tjetër, në një frymë, politizim të tejskajshëm, nga të cilat nuk shpëtonim dot në atë kohë. Por, ne, jemi munduar ta pasqyrojmë. Ka gjëra që nuk mund të shpjegohen dhe ndoshta vizitorët do të habiten në muze, por ne do të mundohemi që për brezat e rinj të ketë gjithnjë një ciceron, një shpjegues. Kjo do të pohojë njëkohësisht se çfarë do të thotë të kesh një arkiv të mirë, që do të thotë të mirëqeverisësh, të luftosh të keqen. Nuk luftohet pa letra.

Si u themelua arkivi? Në ç’rrethana u njoh për herë të parë Arkivi i Shtetit si institucion më vete?

Dikush do të na shohë dhe do të na kritikojë, sepse ka një ligj për krijimin e arkivës shtetërore. Ka një përpjekje fillestare qysh në vitin 1932, madje do të thosha që në qeverinë e Ismail Qemalit. Sepse perandoria osmane kishte një përvojë që e kishte marrë nga Bizanti dhe nga Roma dhe arkivat ishin gjithnjë gjëja më e rëndësishme. Kush kishte letrën në dorë kishte dhe pushtetin, kishte dhe fuqinë. Të gjithë e dimë të vërtetën e Gjergj Kastriotit që me një ferman mori Krujën. Kështu që nga Ismail Qemali e këtej pati përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur dhe për ta ngritur arkivin, sekretarinë dhe protokollin. Mund të na thonë pse nuk keni marrë ’32-in si ditë themelimi, apo vitin 1912, gjithsesi pak më përpara është krijimi i Institutit të Shkencave, pararendësi i Akademisë së sotme, dhe pasardhësi i Institutit të Studimeve Shqiptare për Arte dhe Shkencë, që ka qenë Mustafa Kruja e Koliqi. Në ’45-ën rithemelohet, por bërthama janë po të njëjtët shkencëtarë dhe njerëz të kulturës, Xhuvani, Çabej, Buda, Paskali etj., të gjithë vinin nga Instituti i Shkencave tek Instituti i Studimeve Shqiptare. Drejtori i parë ishte Selaudin Toto, një profesor në fizikë, nuk ishte i arteve, por gjithsesi brenda këtij instituti kishte një sektor të vogël, që ishte sektori i arkivit. Deri në ’47-ën, kur shkëputet Arkivi dhe del pak si në rang më të lartë, drejtori i tij, i pari është Zef Mala. Pati përpjekje që nga ’47-’49 që të mos ishte i varur më nga instituti, por të dalë më vete. Dhe në qershor të 1947 qeveria merr një vendim që të krijojë Arkivin e Shtetit. Ky nuk pati jetë të gjatë si institucion më vete, kishte pak personel që përveç prof. Zef Malës, ishte dhe Injac Zamputi, Lacaj, Jonuz Tafilaj etj., ishin disa njerëz që dinin gjuhët e rralla, ose të vdekura tashmë si osmanishtja, greqishtja e vjetër, apo latinishtja. Ata u munduan që të bënin një evidentim ku ka pasuri, monumente të kulturës të shkruar, që do të thotë nëse një gjeneral apo ministër i merrte mobiliet Eqerem Bej Vlorës, letra që kishte ruajtur ai, të vinin në Arkiv, e njëjta gjë dhe për Mithat Frashërin etj., dhe kështu u bë ndarja e Bibliotekës Kombëtare me Arkivin. Kjo ndodhi deri në ’50-ën, kur arkivi u përfshi në Ministrinë e Brendshme, kjo ishte goditja e parë mbi Arkivin si institucion i historisë, kulturës dhe shkencës. Rreth 10 vite qëndroi i përfshirë në strukturën e Ministrisë së Brendshme, të cilat ishin vitet më të errëta.

Pse cilësohen si më të errëtat, çfarë ndodhi në këto vite me Arkivin?

Ishin vitet më të errëta, sepse normalisht bëheshin shkurtime, kontrolloheshin dokumentet për motive politike, dikujt i merreshin në shtëpi, apo mund edhe të kenë humbur. Në ato vite ministër, më duket, se ka qenë Mehmet Shehu, kishte këshilltarë rusë, ndërkaq jugosllavët ishin larguar. Do të shikoni foto në muze kur vijnë të gjithë të veshur ushtarakë, oficerë, edhe drejtorët kanë qenë të tillë. Në vitin ‘62-‘63 u arrit që arkivi të shkëputej dhe u bë Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit.

Në dhjetëvjeçarin që përmendet më lart, si vite të errëta, a ka pasur humbje të dokumentacioneve, pasi shikohet ende me “terror” çfarë fshihte Ministria e Brendshme në atë kohë?

Ka pasur humbje edhe më papara se të futej në Ministrinë e Brendshme. Në periudhën që ishim me Jugosllavët ka shumë thashetheme, apo legjenda merreni si të doni, por mendohet se duhet të jenë shumë të vërteta, që gjëra me vlerë të kulturës sonë të shkruar kanë përfunduar në arkivin e Beogradit. Kjo duhet të jetë e vërtetë, që anije me dokumente të grumbulluara në Shqipëri janë çuar për karton për Jugosllavi. Kjo është e dokumentuar, se vëllezërit tanë kishin nevojë për kartonë etj., arsye qesharake. Në atë mori dokumentesh mund të ketë pasur gjëra me gjithë mend pa vlerë që duheshin çuar për karton, por ne gjykojmë se një vend i vogël si yni po t’i kishim ruajtur, nuk do bënim keq.

A është tentuar ndonjëherë lidhja me arkivat e Beogradit për këtë çështje?

Me Beogradin jo, asnjëherë, sepse ka qenë e pamundur futja në arkivat e Beogradit. Edhe pse marrëdhëniet diplomatike nuk u ndërprenë, po vazhduan, por ishin shumë të ulëta dhe gjithmonë ka qenë problemi politik midis nesh.

Në arkivat, ku njerëzit rrinë me vite mbrapa dere për të zbuluar një letër - kam parasysh këtu atë të Vatikanit, Venedikut, Siraguzës apo Stambollin - a ka tentuar ndonjëherë Arkivi të bashkëpunojë me to?

Arkivat e Vatikanit, Venedikut, ato italiane në përgjithësi, janë një thesar. Italia ka arkiva të jashtëzakonshme, që për një arkivist apo historian janë një përrallë. Aq më tepër për historinë tonë kombëtare. Natyrisht ekspedita janë bërë pothuaj në të gjitha arkivat e Italisë, kuptoj këtu më kryesoret, por gjithmonë është ana financiare që pengon, sepse kërkon shumë kohë. Por, sot ka një gjendje më të përmirësuar, sepse informatika ka hyrë në të gjitha arkivat. Marrëveshje kemi bërë, ku e kemi përcaktuar qartë se këmbimet me njëri-tjetrin, si fotokopje, apo mikrofilma, do të bëhen pa shpërblim, pa paguar, sepse është reciproke. Kështu jemi lehtësuar nga një shpenzim shumë i madh.

A keni të dhëna se cili nga shtetet zotëron më shumë dokumentacione mbi Shqipërinë dhe cilat vende kanë pasur më shumë interes për të bashkëpunuar me Arkivin shqiptar?

Mendoj se Italia duhet të jetë në krye të listës, por edhe Turqia. Duke pasur parasysh periudhën historike, që nga Turqia mund të marrim para 1912-ës, se më pas nuk ka ndonjë gjë të madhe për ne. Nga Italia kemi qysh nga mesjeta e hershme e deri në ditët tona, kohëzgjatja është më e madhe. Janë të natyrave të ndryshme, nga perandoria otomane kemi pjesën që i takonte administratës, ndërsa nga italianët janë të një natyre tjetër. Do të kujtoja këtu se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit të asaj kohe që më 1974 është anëtare me të drejta të plota e Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave. Mendoj se është i pari institucion shqiptar, përveç qeverisë, arkivat shqiptare u bënë anëtare me të drejta të plota gjë që nuk ishte pak. Edhe pse nuk shkonim në mbledhje dhe konferenca, na vinin materialet që të kishim mundësinë të shikonim më të renë se çfarë ndodhte me botën e arkivave. Arkivin tonë e kanë vizituar në vite, po lëmë rusët e kinezët, por kanë ardhur drejtues nga arkivat e Suedisë, Francës, Italisë, Turqia, Austrisë, mos të flasim për këto të rajonit.

Në çfarë gjendjeje ruhet fondi i Arkivit?

Sinqerisht ne dëshpërohemi kur shikojmë dokumente aq sa na është bërë si fiksim, sa kur kalojmë edhe afër kazanëve të plehrave, po pamë letra na bën përshtypje dhe mund të mos ketë vlerë. Arsyeja është këtu, se arkivi është gjithnjë një institucion në rritje. Sado që të hyjë teknologjia e re, që do të thotë kompjuteri, gjithsesi ka përsëri dokumentacion që është letër. Përpara ’90-ës kishim menduar se ishim gjithnjë nën tensionin e një lufte të mundshme, që kurrë nuk u bë, por gjithsesi ishin ndërtuar tre depo të mëdha, shumë larg Tiranës. Një depo ishte e Arkivit të ish-Partisë së Punës, për të cilat ishte shpenzuar mjaft para. Sot, kur nuk bëhet më fjalë për luftë, meqë depot ishin tepër larg, në vitin ’93 menduam që t’i afrojmë, pasi shpenzimet ishin shumë të mëdha. U detyruam të merrnim ndërtesa brenda në Tiranë, por nuk ishin llogaritur për arkiv. Arkivi ka një veçori specifike ku do të ruhet dokumenti, pra ndërtimi i një ndërtese, jo zyrat. Keni parasysh që për një metër katror sipërfaqe dhe një depoje arkivore, duhet të llogaritet që të mbajë 1600 kilogramë peshë, sepse janë raftet dhe letrat. Kështu që ne nuk i kemi këto kushte. Ka ardhur koha të mendohet për ndërtimin e një godinë për ruajtje, duhet një depo e madhe, natyrisht për një perspektivë të paktën 50-vjeçare.

Brenda Shqipërisë ka një rrjet arkivash, a bashkëpunoni me të?

Ne, tani, jemi një grup që merremi vesh me njëri-tjetrin. Jo se më parë nuk janë marrë vesh, por kjo sa vjen e përmirësohet për shkak se të dhënit e përvojës, anës metodologjike, vetëm në institucionin tonë është përqendruar. Kemi bërë vjet një stazh arkivor ndër-rajonal, brenda për brenda Shqipërisë dhe në të gjitha institucionet e shikojmë se sa vjen e rritet interesi. Çdo javë na vjen një letër nga institucionet me shënimin për t’u kualifikuar punonjësit. Ka një lloj ndërgjegjësimin, sepse tani të gjithë e kuptojnë se nuk shkohet...

A ka koordinim midis arkivave që të plotësojnë dokumentacionin e humbur për një personalitet a ngjarje për shembull me Arkivin e Filmit, a ndonjë tjetër?

Ne nuk kemi punë me arkivat audiovizuale në kuptimin që me Arkivin e Filmit i kemi marrëdhëniet shumë të mira, por gjithsesi në momentin që dikush do të bëjë një dokumentar, a do të shkruajë diçka në një organ shtypi, - iu drejtohet edhe atyre, e ka këtë mirëkuptim nga ata, sepse ligji për arkivat vlen dhe për ata. Ndërsa kur bëhet fjalë për pasurimin e njëri-tjetrit, normalisht i kemi pak a shumë të ndara fushat. Kushdo që vjen këtu dhe më kërkon një dokument për shembull për Ministrinë e Jashtme nuk hezitoj të rekomandoj t’i drejtohen atij institucioni. Kështu do të bëjnë edhe ata për mua.

Në fakt po mendojmë më shumë për dëshmitë letrare, dosjen e Vilsonit Blloshmit, nëse gjenden dokumentacion edhe në Arkivin e Shtetit, ashtu siç dolën dokumentacione nga Ministria e Brendshme, apo në një rast tjetër nga arkivi i Institutit të Gjuhësisë...

Rasti i Vilsonit ka dalë nga Ministria e Brendshme... Në fakt këto janë disa probleme, për të cilat ne nuk jemi shumë në gjendje që këto materiale t’i grumbullojmë. Në qoftë se do marrim përsipër që të krijojmë arkivat letrare, ky është një problem për të cilin kemi shumë vite që përpiqemi. Ne kemi bërë një inspektim në të gjitha institucionet e krijimtarisë deri te shtëpitë botuese dhe kemi pasur fatin e krijimtarisë që do të thotë një skenograf, një kostumograf, një libretist në teatër, një pjesë teatrale - kemi shkuar, kemi parë gjendjen e këtyre arkivave të institucioneve që nuk vareshin nga ne. Kemi ngritur zërin tonë, por ligji për arkivat atëherë nuk na jepte shumë hapësirë. Ata e ndjenin veten të gjithëpushtetshëm se ishin më lart se sa ne, dhe nuk e patën bonsensin që të na sillnin çfarë duhej ruajtur përgjithmonë për shkak se mendonin se është prona e tyre. Kur fare mirë, ajo që tek ne, hyri shumë vite përpara me policinë, me oficerin e sigurimit, u ruajt dhe sot pa dritën e botimit. Po ju jap rastin e Musine Kokalarit. Askush nuk e preku veprën e saj, përveçse familjarëve të vet, që kur erdhi koha e morën.

A mendoni se ka ardhur koha që të bëhet një projekt midis arkivave të institucioneve për këto ngjarje, personalitete, të cilët e pësuan nga diktatura, pra çfarë mund të gjendet në arkivat e Punëve të Brendshme, Shërbimit Informativ etj.?

Ne kemi një projekt si institucione që të mbajnë ato dokumentacione që u takojnë natyrës së tyre, pasi një pjesë kanë ardhur në Arkiv. Kur ka vdekur Musineja, dokumentacioni i saj ka ardhur prej atyre institucioneve tek Arkivi. Vërtet ka një pështjellim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe do ta ndajmë këtë shumë shpejt.

Së fundi, ju jeni një nga arkivistet më të vjetra, mund të na tregoni çfarë ka qenë Arkivi në punën tuaj dhe çfarë mbetet si filozofi?

Kur një punonjëse të re i kërkova një foto, ajo m’u përgjigj se ishin publikuar të gjitha. Iu ktheva që të kishte kujdes sepse është defekt profesional. Kjo do të thotë se, ne, bëhemi solucion i tejngopur dhe kur na pyesni juve nga jashtë se çfarë të duket më e rëndësishme, e shikoni se ne të gjithë hezitojmë, pasi na duket sikur të gjithë e dinë çfarë ka këtu. Ne i shikojmë të gjitha. Këtë unë e ndjej, ndaj mundohem ta mbaj veten dhe jap një përgjigje evazive, se “këtu ka shumë”. Pastaj në arkiv mundohem që gjithë të rinjve, që kemi rekrutuar këto vitet e fundit, t’ju them: gjejeni anën e bukur, që do të thotë se dita nuk i ngjan ditës. Ne nuk jemi kurrë monotonë. Edhe në një moment kur duhet të pushojmë pak, ne ngrihemi nga vendi për të parë edhe një gjë tjetër. Por është një gjë shumë e bukur sepse je gjithnjë në lëvizje. Aq më tepër ne, që, jemi një popull, që fatkeqësisht, kurrë nuk patëm fatin të dëgjojmë të vërtetën ose disa variante të një të vërtetë. Gjithmonë e kemi parë bardhë e zi, që vazhdojmë edhe sot e kësaj dite. Kjo të jep një lloj trishtimi. Historia jonë është shumë e bukur me të mirat dhe të këqijat e veta. Duke mos e ditur ne gjithnjë përsërisim gabimet e mëparshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›