E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaferri promovon Shqipërinë në Asamblenë Botërore të Turizmit



Rreth 154 shtete të botës janë njohur për potencialet turistike që ofron Shqipëria, jo vetëm në resurset natyrore, por edhe nga ato kulturore, historike e fetare. Panorama është prezantuar nga ministri Ferdinand Xhaferri, i cili merr pjesë në Sesionin e 18-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore të Turizmit, në Astana, Kazakistan. Asambleja u përshëndet nga Presidenti i Republikës së Kazakistanit, z. Nursulltan Nazarbayev, si dhe nga i dërguari i posaçëm i sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon. Në këtë aktivitet të rëndësishëm marrin pjesë delegacione nga 154 shtete anëtare të OBT-së. Në përbërje të delegacioneve marrin pjesë mbi 90 ministra të turizmit nga vende të ndryshme të Evropës, Azisë, Afrikës dhe Amerikës. Në agjendën e asamblesë, krahas tematikave që lidhen kryesisht me krizën ekonomike dhe sfidat me të cilat shtetet po përballen për të rikuperuar situatën, ishte edhe zgjedhja e shteteve që do të kryesojnë Komisionet Rajonale të OBT-së nga të katër kontinentet, zgjedhja e shteteve anëtare të Këshillit Ekzekutiv të Organizatës, si dhe zgjedhja e sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës, një zgjedhje e cila bëhet çdo tre vjet. Në këtë asamble, ministri i MTKRS-së, Ferdinand Xhaferri, ka shpalosur potencialet që ofron Shqipëria për turizmin.

“Sipas rekomandimeve të organizatës, slogani i ditës botërore të turizmit për këtë vit ishte “Duke festuar diversitetin”. Me këtë slogan OBT na ka servirur edhe një përcaktim shumë të saktë, se ku duhet të synojmë për t’i bërë vendet tona tërheqëse në fushën e turizmit”, - deklaroi në takim Xhaferi. Ai theksoi se Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të pasur një turizëm të shumëllojshëm. “Krahas turizmit të diellit dhe të rërës, ne kemi një potencial të madh për të zhvilluar turizmin kulturor, historik dhe fetar. Mjafton të përmendim se qyteti antik i Butrintit, si edhe dy qytete të rëndësishme të vendit, Gjirokastra dhe Berati, tashmë janë shpallur pasuri botërore të njerëzimit nga UNESCO”, - ka deklaruar Xhaferri. Nga ana tjetër, ministri theksoi se investimet në sektorin e turizmit kanë qenë prioritet i qeverisë dhe do të vazhdojnë të jenë, duke nënvizuar se përfundimi gjatë katër vjetëve të shkuara i korridorit veri-jug, si edhe i disa akseve rrugore në shërbim të turizmit me vlerë investimesh mbi 1 miliard euro, kanë bërë të mundur një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë, krahasuar me një vit me parë. Me qëllim, nxitjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit tonë në fushën e turizmit, ministri jonë Ferdinand Xhaferri pati takime të veçanta me ministrin e Turizmit të Malit të Zi, ministrin e Turizmit të Republikës së Turqisë, Qipros, Bullgarisë, Sllovenisë, Egjiptit etj. Në qendër të bisedimeve ishin marrëdhëniet e bashkëpunimit në fushën e turizmit, kryesisht në drejtim të promocionit, shkëmbimit të eksperiencave në fushën e legjislacionit, trajnimeve, arsimimit etj. Në vazhdim të bisedimeve, ministri zhvilloi një takim edhe me ministrin e Turizmit dhe Sporteve të Kazakistanit, z. Termikhan Dosmukhambetov, të cilit i shprehu edhe falënderimet për organizmin e asamblesë, si dhe kryetarin e sapozgjedhur të Komisionit për Evropën, z. Marjan Hribar, nga Sllovenia.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›