E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vodafone Albania”, sërish në mbështetje të Lojërave Olimpike Speciale



Fondacioni “Vodafone Albania” mbështet për të dytin vit radhazi Lojërat Olimpike Speciale, të cilat do të zhvillohen në Tiranë prej datës 8 deri 10 tetor 2009. Në lojërat e sivjetshme do të marrin pjesë 250 atletë të rinj nga 9 rrethe të vendit, të cilët do t’i bashkohen rreth 2.000.000 atletëve të tjerë që janë pjesë e kësaj iniciative olimpike globale. Qëllimi i Lojërave Olimpike Speciale është thyerja e pengesave ndërmjet individëve me dhe pa aftësi speciale, përmes integrimit të tyre në aktivitete të përbashkëta sportive. Gjatë dy viteve të fundit, Fondacioni “Vodafone Albania” ka punuar me kujdes të veçantë për personat me aftësi speciale, duke bashkëpunuar ngushtësisht me organizata dhe institucione të tjera si Olimpiku Special Shqiptar, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Qendra Sociale “Don Bosko”, si dhe një rrjet i gjerë vullnetarësh, bashkëpunëtorësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile. Sot, në ditën e parë të Lojërave Olimpike Speciale, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi do të përshëndesë të gjithë pjesëmarrësit dhe do të shpallë fillimin të lojërave përmes ndezjes simbolike të Flakës Olimpike, e cila do të nisë rrugëtimin e saj prej Presidencës, për të vijuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Mbajtësit e flakës olimpike do të bëjnë një ndalesë përballë selisë së Këshillit të Ministrave, ku do të përshëndeten nga Kryeministri i Republikës, Prof. Dr. Sali Berisha, dhe një tjetër ndalesë përballë bashkisë së kryeqytetit, ku do të përshëndeten nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Edi Rama. Në fund të “shtegtimit” të saj, flaka olimpike do të mbërrijë pranë Qendrës Sociale “Don Bosko”, ku do të fillojnë garat. Lojërat Olimpike Speciale këtë vit përfshijnë 6 disiplina sportive: basketboll, futboll, atletikë, ping-pong, bowling dhe not. Sot, në pasditen e parë të aktivitetit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të argëtohen me lojërat dhe programin festiv, falë mbështetjes së një numri të madh vullnetarësh nga Korpusi i Paqes në Shqipëri (Peace Corps Albania), animatorëve socialë të Qendrës Sociale “Don Bosko”, pjesëmarrësve të programit të Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Kryqi i Kuq Shqiptar, si dhe punonjës të “Vodafone Albania”. Fondacioni “Vodafone Albania” i fton të gjithë të bashkohen dhe të mbështesin lëvizjen e Olimpikut Special nën moton “Sporti nuk njeh barriera. Bëhu edhe ti pjesëmarrës. Bashkë do të jemi më mirë e më shumë”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›