Berisha kundër SHBA: Do miratoj dosjet
Kryeministri Berisha ka vendosur të mos marrë parasysh vërejtjet e opozitës dhe ndërkombëtarëve
Berisha: Sot votojmë dosjet pa Ramën
TIRANË- Mazhoranca ka vendosur përfundimisht që sot të kalojë për miratim në Kuvend draftin “Për pastërtinë e figurës”. Përmes një konference për shtyp, të zhvilluar pikërisht për këtë çështje dje, Kryeministri Sali Berisha nuk ka marrë parasysh vërejtjet e vazhdueshme të opozitës, por edhe ndërkombëtarëve. Krejt ndryshe nga qëndrimi i deritanishëm i ndërkombëtarëve se ky ligj ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe vetë qëndrimit të PS-së se drafti shkel plot 20 nene të saj, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se, ligji për lustracionin është thellësisht kushtetues. “Ligji ynë është disa herë më i butë se ligji polak, ndonëse kur polakët udhëtonin pa viza për në SHBA, apo prisnin Gregory Pack-un, duke mbushur sheshet e tyre, në Shqipëri, Xhelal Koprencka dhe bashkëvuajtësit e tij, të dënuarit e diktaturës ekzekutoheshin vetëm e vetëm se kishin kurajën të kërkonin që vendi i tyre të hapej drejt SHBA-ve. Ligji ynë i lustracionit është qartësisht shumë më i butë sesa ligji gjerman, ndonëse Gjermania Lindore prej 17-18 milionë banorësh, numëronte gjithsej 250 qytetarë të pushkatuar në 45 vjet nga gjyqet e regjimit komunist, kundrejt mbi 6 mijë qytetarëve të pushkatuar në Shqipëri. Ligji shqiptar i lustracionit, që votohet nesër në Parlament, është qartësisht më i zbutur sesa ligji çek, ndonëse, kur Çekia përjetonte pranverën e Pragës, ne, shqiptarët, përjetonim dënimet famëkeqe të pushkatimit dhe të histerisë. Pra, ky ligj është plotësisht kushtetues, aq sa është për Çekinë. Një ligj i tillë nuk mund të mos jetë kushtetues për vendin që përjetoi barbaritë më të egra të kalvarit komunist”,- tha Berisha. Kryeministri i vendit ka deklaruar gjithashtu se ligji për pastërtinë e figurave, ose siç cilësohet ndryshe, ligji i lustracionit, nuk synon hakmarrje, por një detyrim madhor dhe moral të dënimit të krimeve të komunizmit. Kreu i ekzekutivit theksoi se mazhoranca do ta votonte ligjin pa konsensusin e partisë më të madhe në opozitë. Madje, dje, Berisha nuk ka nguruar që të lëshojë akuza të ashpra ndaj liderit të opozitës, Edi Rama. “Edi Rama, me gjuhën që i ke lejuar vetes dy ditë më parë, mund të them shumë gjëra sot, mund të mobilizoj një fjalor të tërë, por unë do të përmbahem dhe dua të theksoj se, duke mbrojtur publikisht një grup personash që kanë urdhëruar varje, pushkatime, zvarritje kufomash në rrugët e qyteteve të Shqipërisë dhe kjo, edhe pas rrëzimit të murit të Berlinit, dëshmon se për ty, drejtësia shqiptare nuk duhet të jetë tjetër, veçse repart i asaj partie që ka kryer krime monstruoze dhe ka qenë arkitekte e krimeve të mëdha”, - tha Berisha. Ai hodhi poshtë faktin se ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, ka deklaruar se ligji shkel Kushtetutën. “Nuk di që ambasadori Withers të ketë thënë se ligji dhunon Kushtetutën”,- tha Kryeministri. Në fakt, pak ditë më parë, Ambasada Amerikane në Tiranë, sqaroi qartësisht se përmbajtja e një drafti të tillë ngre probleme serioze kushtetuese dhe ligjore. Po dje, Berisha përmendi Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut si një garantuese e të drejtave të njeriut, në rast se ky ligj prek padrejtësisht persona të caktuar, duke ftuar në këtë mënyrë gjithkënd që t’i drejtohet kësaj gjykate. Ai ka mohuar gjithashtu zërat që vijnë nga të katër anët e politikës, se miratimi i ligjit ka lidhje me çështje si ajo “Durrës-Kukës” apo tragjedia e Gërdecit. “Ky ligj ka shkuar në Parlament në tetor të vitit 2006, kur nuk ka ekzistuar asnjë prej këtyre dosjeve. Mendoni se këto dosje duhet të shërbejnë si imunitet për ata që kanë gjak në duart e tyre. Kjo nuk mund të ndodhë”,- tha Berisha.
Pas konferencës për shtyp të Berishës, reagon Ambasada Amerikane. Berisha reagon sërish
Fried, Berisha gënjen, Uidhers zbardh telefonatën
TIRANË- Është dashur vetëm reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që Kryeministri Sali Berisha të pohojë që gënjeu publikisht në një konferencë shtypi, ku tha se nuk kishte pasur asnjë telefonatë me nën/sekretarin amerikan të Shtetit, Daniel Fried, për ligjin e dosjeve. I pyetur nga gazetarët në daljen e së dielës mbrëma, ku konfirmoi se mazhoranca do të votojë sot projektligjin për dosjet, shefi i qeverisë e mohoi që të kishte pasur këtë telefonatë me përfaqësuesin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Madje, nuk nguroi të bëjë “humor”, duke i thënë gazetares “se ajo kishte më shumë informacion se ai vetë”. Deri këtu, duket se Kryeministri paskësh pasur të drejtë, por më pas, duke luajtur më shumë me termin e kohës, u përgjigj se pikërisht dje, ai nuk kishte kontaktuar me nën/sekretarin amerikan të Shtetit Daniel Fried. “Sot, nuk kam pasur asnjë bisedë me ndihmës sekretarin e Shtetit, Daniel Fried”,- tha preras Berisha në konferencën e djeshme për shtyp. Por vetëm pak minuta pas konferencës për shtyp, i kontaktuar nga disa media, Ambasada Amerikane në Tiranë pohoi se kishte pasur një bisedë mes Kryeministrit dhe nënsekretarit amerikan të Shtetit, me temë pikërisht draftin për dosjet. U desh ky reagim i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, që zyra e Kryeministrit të përgënjeshtronte atë që vetë Berisha deklaroi për gazetarët në konferencën për shtyp. Deklarata e qeverisë bënte lojëra fjalësh “se Berisha nuk ka biseduar sot (e diel), por ka biseduar të shtunën në orën 6 pasdite”. Madje, zyra e Kryeministrit njoftoi pas reagimit të Ambasadës Amerikane, se “biseda është zhvilluar në një frymë të hapur dhe miqësore dhe në të është diskutuar për dosjet dhe për probleme të tjera me interes të përbashkët”. Po dje në konferencën për shtyp, Berisha deklaroi se, “nuk kishte dijeni që ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, të kishte thënë se ligji dhunonte Kushtetutën”. Edhe në këtë rast Berisha përdori lojëra fjalësh, teksa prej ditësh, Ambasada Amerikane ishte shprehur se drafti ngrinte probleme serioze kushtetuese dhe ligjore, qëndrim të cilit, Ambasada iu përmbajt edhe mbrëmë pas konferencës së Kryeministrit.