Shkodër, festohet 50-vjetori i estradës profesioniste
Shkodër- Shkodra ka festuar 50-vjetorin e krijimit të estradës profesioniste. Me një koncert variete, ku merrnin pjesë artistët më të mirë të humorit shkodran dhe këngëtarët më të njohur të këtij qyteti, bashkia Shkodër dhe teatri “Migjeni” kanë kujtuar 50 vjetorin e estradës profesioniste. Materiale të interpretuara në vite, çmime e dekorata të dhëna nga këshilli bashkiak i Shkodrës, homazh për të gjithë ata aktorë, regjizorë, skenografë, libretistë etj, që nuk jetojnë më, por që kanë punuar dhe dhënë kontributin e tyre në këtë institucion, emocione e nostalgji kanë shoqëruar spektaklin “50 vjet këngë e humor”. Estrada profesioniste e Shkodrës u krijua si trupë e veçantë më 6 qershor 1958. Më 14 nëntor 1958 u dha premiera e parë e saj me titull “Në pavionin e operacionit të zemrës” , me regji të Paulin Sekujt, drejtues muzike Mark Kaftalli, skenograf Lec Fishta. Që nga ky vit, kjo trupë ka dhënë 224 premiera për të rritur e fëmijë në të gjithë qytetet e vendit si dhe në shumë fshatra. Aktorët aktualë të kësaj trupe si Zef Deda, Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Drande Xhaj, formacioni orkestral i drejtuar nga Ilirjan Zoga, këngëtarët shkodranë të brezave të ndryshëm sollën emocione të shumta në këtë ditëlindje të 50-të, të një prej trupave humoristike më të njohura në vend.