Nevoja e një dokumenti për Zonat Ekskluzive Ekonomike
Prof.dr. Edmond Panariti/ish-ministër i Jashtëm
Nuk ka përparësi më të madhe për diplomacinë, qarqet akademike dhe shkencore, historianët, specialistët e së drejtës së detit dhe të asaj ndërkombëtare, hartografët dhe ekspertët e GIS, se sa puna për njohjen, shpalljen dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë mbi zonat e ekskluzivitetit ekonomik të saj. Zona e ekskluzivitetit ekonomik përfaqëson një hapësirë detare, mbi të cilën shteti zotëron të drejta ekskluzive për eksplorimin dhe shfrytëzimin e burimeve detare, përfshirë edhe ato nëntokësore të gazit dhe naftës. Nga vlerësime paraprake, rezulton se hapësirat ujore të Jonit verior janë potencialisht bartëse të rezervave të konsiderueshme të naftës dhe gazit dhe, për rrjedhojë, si Shqipëria ashtu edhe Greqia janë të interesuara për të njohur dhe përcaktuar bashkërisht me anë të një marrëveshje, se deri ku shtrihet e drejta e tyre mbi këto zona dhe burime. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për rrëzimin e marrëveshjes detare të vitit 2009 midis Shqipërisë dhe Greqisë përcakton edhe rrugën që palët duhet të ndjekin për arritjen e një marrëveshjeje të re. Përmbyllja e një marrëveshjeje të re, të pranueshme dhe të qëndrueshme me fqinjin tonë jugor, përbën vetëm aktin final të një pune paraprake serioze përgatitore, që duhet kryer nga qarqet e mësipërme; për t’u materializuar më pas me hartimin e një dokumenti apo platforme kombëtare për këtë qëllim. Kjo platformë duhet të shërbejë si udhërrëfyes dhe bazë për grupet tona të punës dhe ato negociuese, që do të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje të re. Për këtë arsye, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, gjatë kohës që ushtrova këtë funksion, ftova dhe kërkova që përfaqësues të botes shkencore dhe akademike, ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë të së drejtës së detit dhe të asaj ndërkombëtare të mblidheshin, diskutonin dhe të punonin në kuadrin e një konference, rreth një dokumenti teknik dhe juridik për të drejtat to- na sovrane mbi hapësirat ujore të përbashkëta. Burimet njerëzore dhe logjistike u siguruan dhe aktiviteti u planifikua të mbahet në 20 vjetorin e Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit. Është plotësisht e mundur dhe e nevojshme që kjo konferencë të zhvillohet. Pa asnjë dyshim, produkti i saj do të përbënte një ndihmesë të vyer për qeverisjen e re të pas 23 qershorit, sepse do ta zgjeronte dhe konsolidonte bazën e vendim- marrjes për një çështje mjaft delikate dhe madhore të sovranitetit shtetëror dhe të pasurive kombëtare. Ashtu sikundër fqinji ynë jugor, Greqia, ka përgatitur dhe depozituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara një dokument mbi Zonat e Ekskluzivitetit Ekonomik të saj, tashmë është koha që edhe Shqipëria të ketë këndvështrimin, qëndrimin dhe dokumentin e saj mbi këto zona.