Nevoja për alibi të re
Së dyti, Berisha po përpiqet të përdorë konfliktin e fundit me presidentin, po ashtu për të bërë sulme në bllok ndaj pushtetit gjyqësor. Korrupsioni i përhapur në drejtësi, në të vërtetë do të ishte një shans tashmë për të heshtur për çështjen ‘Gërdeci’, por fakti që prokurorët e çështjes nuk janë njerëz nën kontroll të qeverisë dhe më tej akoma, emërimet e mundshme në Gjykatë të Lartë po ashtu janë njerëz që po armiqësohen publikisht me kryeministrin, e motivon këtë të fundit ta thellojë konfliktin, që të ketë alibi për çdo lloj përfundimi të këtyre hetimeve.
Së fundi, njoftimet e pakonfirmuara nga prokuroria se familjarë të kryeministrit mund të thirren për hetim nga ky organ për lidhjet e tyre me personazhin e tragjedisë së Gërdecit, kanë rritur tensionin dhe kanë çuar në ekstrem reagimin kundër prokurorisë deri te letra e fundit refuzuese për imunitetin e Mediut, ku kryetarja e Kuvendit fajësonte ushtarakët, sikur të ishte anëtare e Gjykatës së Lartë, duke bërë madje fajtorë ata dhe për një vendim të qeverisë me nr. 138, të cilin e ka bërë vetë Sali Berisha. Kjo përpjekje për karshillëk të qartë, madje dhe kujdesi për të mos vrarë shumë mendjen për argument në këtë luftë mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, nuk ka asnjë shpjegim tjetër veçse nevojës për alibi për çdo hap të mëtejshëm të gjyqësorit në historinë e Gërdecit.
Kjo luftë pa sens dhe pa argument ka shqetësuar dukshëm faktorin ndërkombëtar dhe ka nxitur dje një reagim, ndoshta më të fortin që ka ndodhur ndonjëherë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kjo nuk ka për të pasur ndonjë ndikim te tendenca e qeverisë për konflikt me gjyqësorin. Qeveria luftën me gjyqësorin nuk e ka si luftë për ta fituar, as si betejë për ta nënshtruar, por e ka betejë politike për t’ia zhvlerësuar përfundimet e tij të mundshme. Kryeministri Berisha nuk do që të certifikohen vendimet që mund të marrë ky gjyqësor për çështjen ‘Gërdeci’, emrat që mund të nxjerrë dhe historitë e pazbuluara që mund të trondisin shqiptarët. Atij nuk i intereson më as “Silvia Konti” dhe as “Tano Karidët”, ai do konflikt me ta, për të thënë i qetë se “nuk po më gjykojnë, por po më paragjykojnë”. Ai ka nevojë për një alibi të re dhe, po ta dinte se do të shpërthente Gërdeci, ndoshta Dhori Sollaku do ishte më i mirë si prokuror për të.