Withers: Larg duart nga "Gërdeci
Withers: Kuvendi të trajtojë imunitetin e Mediut TIRANË- Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers ka qenë mëse i qartë dje në qëndrimin e tij rreth hetimit për tragjedinë e Gërdecit, pas një takimi të zhvilluar me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Pa kaluar as 24 orë nga përpjekja e mazhorancës për të mos futur në kalendarin 6-javor të punimeve, votimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, Ambasadori amerikan i ka bërë apel Kuvendit, që çështjen në fjalë ta trajtojë në mënyrë të menjëhershme. Madje, sipas ambasadorit Uidhers, qeveria amerikane do të shihte e alarmuar çfarëdo përpjekje për t'ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. "Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çfarëdo përpjekjeje për t'ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e Prokurores së Përgjithshme, dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj, pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo, është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar",- tha dje Uidhers, pas takimit me Ina Ramën. Kjo e fundit, ka informuar Ambasadorin mbi aspektet publike të një serie hetimesh në vazhdim, përfshi në mënyrë specifike atë të Gërdecit. Nga ana e tij, Ambasadori e siguroi Prokuroren e Përgjithshme që qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore. "Qeveria e ShBA, nuk do të paragjykojë përfundimin e ndonjë procedimi ligjor, por pret që vetëm faktet do të jenë përbërësi kritik për të përcaktuar gamën dhe natyrën e hetimit",- tha ai. Ambasadori amerikan vijoi qëndrimin e tij, duke theksuar se: "Qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik, bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit". Takimi i Ambasadorit amerikan Xhon Uidhers me kreun e organit të akuzës Ina Rama vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme të Partisë Demokratike dhe asaj Republikane për të zvarritur zbardhjen e së vërtetës, lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Kjo u duk qartë edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve ku deputetët e djathtë, përmes disa pyetjeve tejet sipërfaqësore, nuk trajtonin thelbin e çështjes, por mënyrën se si organi i akuzës kishte depozituar dosjen ndaj Mediut. Madje Kryetarja e Kuvendit, e cila është edhe drejtuesja e Këshillit, në emër të deputetëve të djathtë, i kërkoi dokumente shtese Kryeprokurores, duke e zvarritur akoma më shumë çështjen e imunitetit të Mediut. E gjitha kjo përpjekje, arriti kulmin kur dy ditë më parë, Kuvendi vendosi që të mos përfshijë në kalendarin 6-javor, pikërisht imunitetin për Mediun, duke rrezikuar pushimin e kërkesës së organit të akuzës, lëvizje këto, që nuk kanë kaluar as pa vëmendjen e ndërkombëtarëve. Kështu, vetëm një ditë më pas, Ambasadori amerikan ka lënë të kuptohet qartë se Kuvendi jo vetëm duhet ta trajtojë në mënyrë të menjëhershme, por vetë politikanët duhet t'i mbajnë larg duart nga hetimi i çështjes së Gërdecit.