E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Ramës: Dua dokumentet për Shtabin

TIRANË- Ashtu siç kishte paralajmëruar, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në cilësinë e kryetares së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve i kërkoi dje përmes një shkrese zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme dokumente të tjera shtesë, lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit republikan Fatmir Mediu për ngjarjen e Gërdecit, duke zvarritur pa afat çështjen në fjalë. Topalli thekson se, "dosja juaj (prokurorisë) për heqjen e imunitetit të z.Mediu, pa përjashtim nga të gjithë deputetët, të maxhorancës e opozitës, anëtarë të Këshillit të Rregullores u konsiderua e mangët për të faktuar pretendimet e kërkesës tuaj. Në mënyrë të veçantë, jo i bazuar, është gjetur pretendimi juaj se në proces nuk janë përshirë Forcat e Armatosura". Topalli vijon më tej në shkresën e saj se, "z.Mediu ka deklaruar para Këshillit se janë rreth 30 dokumente zyrtare që faktojnë se çdo gjë është e miratuar dhe e përcaktuar nga autoritetet ushtarake të të gjithë niveleve, sipas detyrës. Është në detyrën tuaj, t'i paraqitni Parlamentit dokumentet e plota, të cilat faktojnë pretendimin tuaj për mospërfshirjen e Forcave të Armatosura në këtë proces, në mënyrë që ky Parlament të gjykojë e të marrë vendimin që duhet". Kryetarja e Kuvendit shprehet se, për të shmangur çdo lloj keqkuptimi për njëanësi, Prokuroria e Përgjithshme duhet të sjellë çdo dokument që të faktojë, sipas saj, se ku është shmangur autoriteti ushtarak. Madje, Topalli ka shkuar më tej, duke përcaktuar edhe dokumentet që duhet të dërgojë Ina Rama, si; praktikën shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, detyrat që ka lënë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat që ai ka nxjerrë në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes, Nr.550, datë 25.4.2007, shkresa Nr.7395, datë 17.9.2007 e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes dhe praktika shoqëruese e saj, memo e datës 22.11.2007 nga Drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, memo e datës 22.11.2007 nga Drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm etj. Megjithatë, përpos kërkesës së Topallit, burime nga Shtabi i Përgjithshëm thanë dje për gazetën se informacionet e kërkuara nga Topalli kundrejt kryetares së organit të akuzës, Ina Rama, nuk janë gjë tjetër veçse letërkëmbime të brendshme që nuk janë të lidhura me thelbin e çështjes së hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›