Raporti i 2007-ës, Ina Rama mbron punën e Sollakut
Në Raportin Vjetor të 2007-ës të Prokurorisë, ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku vlerësohet se ka arritur rezultate
TIRANË- Pavarësisht akuave të mazhorancës për punë të dobët, organi i Prokurorisë gjatë kohës që drejtohej nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku ka arritur rezultate pozitive. Vlerësimi për punën e Sollakut kësaj radhe nuk vjen nga opozita, apo ndonjë forcë tjetër politike, por nga pasuesja e tij, kryeprokurorja Ina Rama. Në materialin informues për gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri për vitin 2007 (kohë gjatë së cilës organi i prokurorisë drejtohej nga Sollaku), që ka mbërritur së fundi në Kuvend, Kryeprokurorja evidenton që në fillim faktin se nga analiza e treguesve të veprimtarisë së këtij organi në të gjitha nivelet, rezulton se në përgjithësi ka progres, sidomos në rritjen e organit të akuzës në ushtrimin e përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese. “Falë angazhimit të prokurorëve në drejtimet me kryesore të ushtrimit të funksioneve dhe detyrave të tyre në veprimtarinë e organit që drejtoj, vihet re rritje e treguesve të volumit të punës, efektivitetit dhe ligjshmërisë në ndjekjen penale dhe mbikëqyrje të vuajtjes së dënimit. Mund të themi se të dhëna pozitive evidentohen gjithashtu edhe në rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe veprave penale të lidhura me të”,- shprehet kryeprokurorja, gjithmonë lidhur me punën e kryer nga prokuroria gjatë kohës që drejtohej nga Sollaku. Nga ana tjetër, kryeprokurorja Rama i është drejtuar edhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për nevojën e një komunikimi normal midis institucionit të akuzës dhe Kuvendit. “Jemi të vetëdijshëm se duhet të ndërmerren dhe masa të tjera të domosdoshme, për të garantuar rritjen e suksesit në luftën kundër krimit, duke kërkuar mbështetje në komunikimin me ju dhe me strukturat e tjera të shtetit”,- shprehet Rama në raportin e saj të depozituar në Kuvend.
Hetimet paraprake
Por më shumë se konstatimet verbale të Kryeprokurores, rezultatet pozitive të Prokurorisë gjatë vitit 2007 vërtetohen edhe nga shifrat që paraqiten në këtë raport. Kështu, prokuroritë e Shkallës së Parë, gjatë vitit të shkuar, në fazën e hetimeve paraprake kanë ndjekur në total 19649 procedime penale, me rreth 11 mijë të pandehur dhe me 2600 persona të arrestuar. Shifra këto që krahasuar me një vit më parë, pra me 2006, kanë një rritje me rreth 11 për qind më shumë. Ndërkohë që janë përfunduar hetimet për 15757 procedime penale me rreth 9500 të pandehur, shifër edhe kjo që e krahasuar me një vit me parë, rezulton që të jetë përsëri rreth 9 për qind më e lartë. Gjithashtu organi i akuzës ka ngritur akuzë në gjykatë për 6489 procedime dhe 7674 të pandehurve, ose thënë ndryshe, 5 për qind më shumë se një vit më parë. Prokuroria ka pushuar çështjen në 4936 procedime me rreth 1861 të pandehur, çka shënon një rritje të numrit të rasteve të pushuara për mungesë provash. Në numrin e madh të çështjeve të pushuara, siç bëhet e ditur në raport, ka ndikuar dhe zbatimi i ligjit për dhënien e amnistisë. Për shkak se autori i veprës penale nuk njihet, janë pezulluar hetimet dhe vazhdon gjurmimi nga policia për zbulimin e autorëve për 4330 procedime penale, ndërkohë që janë rifilluar hetimet për 655 procedime të mëparshme.
Çështjet në gjykatë
Gjatë vitit 2007, prokurorët e Shkallës së Parë kanë përfaqësuar akuzën në gjykime penale të 5613 çështjeve në ngarkim të 6922 të pandehurve, prej të cilëve 2028 persona me masë sigurimi arrest me burg. Krahasuar me një vit më parë, kjo shifër ka pësuar një ulje në masën e 3%-shit. Pushimet e çështjeve dhe akuzave nga gjykatat zënë 12.4 për qind të të pandehurve të gjykuar, ndërsa pafajësitë kanë një tendencë në ulje dhe përbëjnë vetëm 2.5 për qind të rasteve të pandehurve të gjykuar. Ndërkohë që në ndjekjen e çështjeve në shkallët e tjera të gjykimit janë angazhuar edhe prokurorët e Apelit dhe ata të zyrës së Prokurores së Përgjithshme. Megjithëse numri i çështjeve të ankimuara krahasuar me vitin 2006 kanë një rënie të lehtë, ai vazhdon të mbetet relativisht i lartë. Kjo, sipas Kryeprokurores lidhet me faktin se në shumë çështje penale janë evidentuar gabime të shkallëve më të ulëta të gjykimit, për shkak të mangësive profesionale apo të interesave jashtëligjore. Në këtë kontekst, Apeli është konsideruar si mundësi për më tepër drejtësi. Në raportin e saj Kryeprokurorja evidenton edhe faktin e mosrespektimit të ligjit nga prokurorët, pasi nga inspektimet e bëra janë vërejtur raste kur prokurorët nuk kanë respektuar të drejtat e njeriut, sidomos gjatë procedurave të kontrollit të shtëpive.