Nevoja për “karantinë” ndaj berishizmit
Robert Qafzezi / artist
- Për 23 vjet, shqiptarët vuajtën, u asfiksuan, u mbytën nga institucionet e “bunkerizuara” të berishizmit, nga këto institucione të “shurdhëta” që arritën të kthehen edhe në xhelatët e tyre, duke u marrë edhe jetën…Për gjithë këto vite, të një euforie që ishte e njëjta me ato të kohëve të largëta të shkuara, largimi nga realiteti, e duke e parë atë realitet mbrapa një “flluske sapuni”, bëri që klasa e mesme e vendit, ajo e prekura deri në palcë nga kjo eufori të shprehet: “Ne rrojmë sa të gjejmë dheun e lirë për t’u varrosur!...
Në Tufinë... apo në Sharrë...”! Më tragjike jeta se vetë vdekja! Berishizmi, euforizmi i një njeriu, të cilit i mungoi çdo gjë, përveç vrullit të një “zetoristi” të kooperativës “kapitaliste”, asfiksoi lirinë që e keqpërdori për të tjerët, duke e përdorur për vete dhe familjarët e tij...
Në emër të këtyre “institucioneve” amorfe, të asfiksuar, që nuk kishin gjë tjetër pëveç disa fasadave, pllakave tepër të fërkuara e të limuara si vetë fytyrat e atyre “hijeve” që bënin sikur punonin, u bë e mundur që njerëzit të ulen në gjunjë për një kafshatë bukë. Kjo, do të thosha, ishte “shqyerja” e lirive individuale, që erdhi në ngjitje deri sa mbaroi si një “opera tragjike” në bulevardin qendror të Tiranës. Berishizmi mendoi se mund të vrasë idetë duke qëlluar me “top”; kjo tregoi edhe një herë kapadaillëkun, arrogancën e injorancën e thellë të këtij regjimi. Mediat, këto institucione, këta mercenarë të pushtetit, këta “çamçakizë të syrit” të lodhur të popullatës, vazhduan të gllabërojnë edhe vetë ajrin, i cili u bë tepër “toksik”.
Pra detyra e parë e qeverisë së re duhet të jetë oksigjenimi, riorganizimi mbas demontimit të këtyre “strukturave” “liri -brejtëse”. Vetëm hapja e horizonteve të reja, duke shkuar drejt hapjes së kuadrit të lirisë për të gjithë, duke mposhtur e kaluar pengesat e tkurrjes, të varfërisë, mund të bëhet e mundur ngjitja e shoqërisë në një nivel evropian. Gjatë këtyre dy dekadave, çdo gjë u ndërtua rreth “autoritetit” të një njeriu; humbi “drita”humbi e vërteta, humbi liria. Por Dielli kur ngrihet, ngrihet për të gjithë.