E Diel, 1 Nëntor 2026

Diaspora e shqiptarëve të Maqedonisë akuzon Shkupin se po sillet si shtet racist

27-07-2013 / Gazeta 55

Ankesat për shpërfilljen e mërgimtarëve shqiptarë nga funksionarët shtetëror kanë ardhur nga Tefik Abdullai, nënkryetar i shoqatës “Prespa” nga qyteti Toronto i Kanadasë, pjesëmarrës në konferencën e katërt globale të diasporës, që u mbajt të mërkurën në Shkup. “Plot 15 vite prej se ne funksionojmë si shoqatë, ndjehemi të diskriminuar nga qasja që shteti jonë i lindjes po na e bën”, ankohet Abdullai

Nga pavarësimi i Maqedonisë e këndej, qeveritë e deritanishme jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për diasporën shqiptare, por edhe gjatë vizitave të bëra në Shtetet e Bashkuara  të Amerikës, asnjëherë nuk kanë shprehur dëshirë të takohen me organizatat shqiptare që veprojnë në shtete të ndryshme të SHBA-ve. Ankesa ka ardhur nga Tefik Abdullai, nënkryetar i shoqatës “Prespa” nga qyteti Toronto i Kanadasë, pjesëmarrës në konferencën e katërt globale të diasporës, që u mbajt të mërkurën në Shkup e që u organizua nga Agjencia për migracion dhe Diaspora e bashkuar maqedonase. “Asnjë ndihmë nuk kemi nga Qeveria e Maqedonisë. Shoqata ‘Prespa’ që nga formimi i saj në vitin 1999 luan rol aktiv falë ndihmesave të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Pra, Qeveria e Maqedonisë asnjëherë nuk ka shpreh interesimin të na takojë ne - mërgimtarëve shqiptarë gjatë vizitave zyrtare të bëra në Kanada, por ka takuar vetëm organizatat maqedonase. Plotë 15 vite prej se ne funksionojmë si shoqatë, ndjehemi të diskriminuar nga qasja që shteti jonë i lindjes po na e bën”, ankohet Abdullai.
Si ndihmë e vetme që shoqata “Prespa” e ka nga Maqedonia, janë librat dhe tekstet shkollore në gjuhën shqipe, që Agjencia e migracionit ua ka dërguar në këto dy vitet e fundit.
Në mungesë të iniciativave për njoftimin mes vete të diasporës, mërgimtarët shqiptarë të shteteve të ndryshme madje nuk njihen dhe nuk bashkëpunojnë mes vete, ashtu siç bashkëpunojnë shoqatat maqedonase nga kontinente të ndryshme. Mbajtjen e konferencës me mërgimtarët e konsiderojnë si  mundësi të mirë për të avancuar bashkëpunimin e shtetit me shoqatat shqiptare, të cilat e ndjejnë veten të anashkaluara në projekte në krahasim me ato maqedonase. “Me kolegët e shoqatave shqiptare të diasporës që janë prezentë në këtë konferencë dy ditore që po mbahet në Shkup po diskutojmë se si mund të shfrytëzojmë të njëjtat ndihma apo projekte që Qeveria e Maqedonisë ua ofron shoqatave të diasporës maqedonase. Deri më sot nuk e kemi pasur ndihmës e shtetit maqedon, përveç ndihmesave që na kanë ardhur nga Agjencia e migracionit, pra libra dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe për shkollat shqipe në Kanada dhe shkollës shqipe në Çikago”, deklaroi Abdullai. Ankesa për mosbashkëpunimin e shtetit me shoqatat e mërgimtarëve shqiptarë janë shprehur edhe nga përfaqësues tjerë të diasporës.   
Konferencën e katërt globale të diasporës së bashkuar maqedonase e hapi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. “Duke përforcuar lidhjet me diasporën jo vetëm që sigurojmë identitetin maqedon dhe identitetin e bashkësive tjera etnike që jetojnë në Maqedoni, por njëherit atyre u mundësojmë të kyçen në proceset reformuese si parakusht shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha kryeministri Gruevski, duke shtuar se lidhja e diasporës së Maqedonisë me atdheun është e pandërprerë dhe vendi është para sfidave të mëdha. Ne si Qeveri, tha më tej ai, presim përkrahjen e diasporës drejt arritjeve të sukseseve sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë konferencë dy ditore marrin pjesë rreth 117 përfaqësues nga 154 shoqatat e diasporës maqedone nga SHBA- ja, Australia, Kanadaja dhe shtete të ndryshme të Evropës si dhe 21 përfaqësues të shoqatave të diasporës shqiptare, por edhe shoqatave të bashkësive tjera të Maqedonisë. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›