E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia i kërkon ndihmë FMN për daljen nga kriza

Nën trysninë e Bashkimit Europian që kërkon marrjen e masave shtesë,
Greqia ka mundësi t'i drejtohet për ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Megjithë përgënjeshtrimin e qeverisë, ka ekspertë që e vlerësojnë këtë mundësi si zgjidhjen më më të mirë, ndërkohë që analistët thonë se ky mund të jetë një skenar për të neutralizuar presionet e Brukselit.
Përballë reagimeve në rritje ndaj masave shtrënguese që synojnë kryesisht uljen e shpenzimeve në sektorin publik, qeveria greke përpiqet të japë garanci se do të avancojë në këto masa duke ruajtur të ardhurat e punonjësve.
Bashkimi Europian ka kërkuar ndër të tjera që brenda muajit mars, qeveria të heqë pagën e 14-të mujore që u jepet si shpërblim punonjësve të sektorit publik.
Duke marrë parasysh se numri i punonjësve në administratën shtetërore është rreth njëmilion vetë, nga zbatimi i kësaj mase vlerësohet se do të kurseheshin përnjëherë më shumë se njëmiliard euro. Por grupimet sindikale të sektorit publik kanë kërcënuar me përshkallëzim të reagimeve të tyre.
Ministri i Financave, Jorgos Papakonstandinu, pas përfundimit të mbledhjes së ECOFIN-it, tha se qeveria do të garantojë të ardhurat e punonjësve.
"Mund të them në mënyrë kategorike se qeveria do të bëjë ç'të mundet që të ruajë të ardhurat e punonjësve grekë".
Ministri shtoi se kjo do të realizohej me çdo mënyrë dhe përsëriti se ishte kategorik në deklaratën e tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›