E Diel, 1 Nëntor 2026

New York Times: Kriza në eurozonë kërcënon sistemin bankar

Në një analizë të gjatë Jack Ewing, editorialist në të përditshmen prestigjioze New York Times, thekson se kriza ekonomiko-financiare në eurozonë kërcënon sistemin bankar në tërësi dhe sidomos në vendet e Europës Juglindore. “Shumë banka të huaja me një prezencë të madhe në Europën Juglindore janë nën një stres të egër dhe serioz në vendet e tyre, veçanërisht institucionet bankare greke, si Alpha Bank dhe Piraeus Bank. Këto janë të parat të cilat kanë shtrirë aktivitetin e tyre në vendet fqinjë, si Shqipëri dhe Bullgari, pas rënies së komunizmit, por tani po vuajnë pasojat e rënda të kredive të këqija nga borxhet e vendeve të tyre dhe zhytjen e ekonomisë”- citohet në analizën e Ewing të New York Times. Duke u kthyer në retrospektivë, ai shkruan se në mars 2009 rreth 40 bankierë dhe zyrtarë qeveritarë mbipopulluan klasën e institutit ekonomik të Vjenës për të folur sesi mund të shpëtohej Europa Lindore nga destabiliteti financiar. Por në muajt që pasuan, vijon analiza, ata mbështetën një pakt që u njoh si iniciativa e Vjenës, për të parandaluar katastrofën e anëtarëve të rinj të BE-së, si Hungarinë dhe Rumaninë. Tani, vijon analiza, zyrtarë dhe ekonomistë kanë nisur të pyesin se a ka ardhur koha për një mbledhje të tillë. Kriza e borxheve sovrane në zonën euro po thellohet dhe po përfshin edhe vende si Polonia, e cila nuk i përket fare zonës euro, por që varet nga Europa Perëndimore përsa i përket tregtisë dhe kapitalit. Edhe një herë sistemi bankar është i kërcënuar. Të njëjtën logjikë ndjek Ewing i New York Times për Shqipërinë dhe vendet e tjera, të cilët deri tani e kanë përballuar me sukses krizën, por, sipas tij, duke qenë se vendi ynë tregtinë e ka më shumë të zhvilluar me Italinë dhe Greqinë, gjithashtu edhe numri më i madh i emigrantëve ndodhet në këto dy vende fqinjë e në të njëjtën kohë edhe institucionet bankare që operojnë në vend janë bija të nënave të tyre në Greqi e Itali, Shqipëria kërcënohet seriozisht përsa i përket sistemit bankar në veçanti dhe për rrjedhojë edhe ekonomisë në përgjithësi. “Jam shumë i shqetësuar sesi po shkojnë gjërat në rajon,” citonhet në analizë Erik Berglof, shef në BERZH dhe njëkohësisht një nga liderët e iniciativës së Vjenës. Duke gjykuar se rrethanat janë të ndryshme sot, z. Berglof mendon se lind nevoja për një koordinim mes bankave, bankierëve qendrorë, rregullatorëve dhe politikëbërësve. Z. Berglof, ekonomist i BERZH-it,thotë se është e vështirë të imagjinosh që bankat e vendeve të Europës Perëndimore mund të jenë në gjendje të mbështesin bankat në vendet e Europës Lindore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›