E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësim elektronik për provimet e Maturës

SHKRUAN: Jonida Tashi 04-11-2011 12:05

Parashikohet që kjo metodë vlerësimi të zbatohet për herë të parë në provimet e Maturës 2012, ndërkohë që falë saj do të hiqet dorë përfundimisht nga korrigjimi me dorë i provimeve, duke shkurtuar njëkohësisht edhe kohën e daljes së notave

Më shumë siguri dhe transparencë dhe më pak shanse për të kopjuar si dhe për t’u ankuar për notat e marra në provimet e Maturës. Ministria e Arsimit ka vendosur t’u japë fund këtyre debateve të vazhdueshme në çdo sezon të provimeve të Maturës, duke vendosur futjen e sistemit elektronik të vlerësimit. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka shpallur kërkesat për oferta, për ndërtimin e sistemit elektronik të vlerësimit të Maturës Shtetërore. Parashikohet që kjo metodë vlerësimi të zbatohet për herë të parë në provimet e Maturës 2012, ndërkohë që falë saj do të hiqet dorë përfundimisht nga korrigjimi me dorë i provimeve, duke shkurtuar njëkohësisht edhe kohën e daljes së notave. Qeveria shqiptare ka marrë një kredi nga Banka Botërore, Banka Europiane e Zhvillimit dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës kundrejt kostos së “Projektit Cilësi dhe Barazi në Arsim”, që synon të aplikojë pjesë të këtij fondi për ndërtimin e sistemit elektronik të vlerësimit të Maturës. Kjo kontratë do të jetë bashkëfinancim i Bankës për Investimet Europiane dhe nga Këshilli i Bankës për Zhvillimin Europian, ndërkohë që tenderi do të zhvillohet sipas rregullave dhe procedurave ligjore të Bankës Botërore. Në fakt, rishikimi i mënyrës së vlerësimit në provimet kombëtare është parashikuar edhe në Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2004-2015. Në kuadrin e reformës në arsim është krijuar tashmë edhe Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP), institucion që do të zhvillojë të gjitha provimet kombëtare që zhvillohen në arsimin parauniversitar, që janë ato të Lirimit dhe të Maturës. Aktualisht, publiku ka pak besim në sistemin aktual të provimeve, prandaj AKP-ja ka për detyrë që të kthejë integritetin dhe besimin e publikut në sistemet e provimeve. “Kjo qendër duhet të zhvillojë një sistem transparent, të sigurt dhe që të mos lejojë daljen e çfarëdolloj informacioni që lidhet me provimet. Procesi i zhvillimit dhe korrigjimit të provimeve duhet të rishikohet në mënyrë të tillë që të eliminohen mundësitë për kopjim. Mësuesit nuk duhet të lejohen të mbikëqyrin nxënësin e tyre; fletët e provimit duhet të jenë të koduara në mënyrë të çrregullt dhe jo me etiketa të lexueshme. Të gjitha konfliktet e interesave dhe situatat komprometuese duhet të eliminohen nga sistemi i menaxhimit të provimit”, - përcaktohet në Strategjinë Kombëtare të Arsimit. Po sipas këtij dokumenti, në të cilin janë bazuar shumë reforma në sistemin e arsimit parauniversitar, AKP-ja do të kryejë kërkime dhe do të konsultohet me grupe të ndryshme interesi për të organizuar dhe zhvilluar një provim të vetëm në klasën e 12-të. Ky provim duhet të shërbejë si tregues i njohurive të fituara nga nxënësit dhe si një kriter bazë për hyrje në universitet. Metoda e propozuar e gruplëndëve në kurrikulën e arsimit të mesëm do të lejojë artikulimin në programet universitare. Si rezultat, niveli i arritjeve në provimin e Maturës do të përdoret nga universitetet si kriter edhe për pranimet në universitete.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›