E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e eksporteve mbush arkën e doganave në tetor

Eksportet dhe përkatësisht renta minerare kanë sjellë rezultate pozitive në planin e të ardhurave doganore për herë të parë që nga muaji mars. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë muajit tetor u arkëtuan në buxhetin e shtetit 11.34 miliardë lekë nga 11.27 miliardë të planifikuara, ose 100 milionë lekë më shumë. Rezultatet pozitive për muajin tetor i dedikohen rritjes së eksporteve, pasi gjatë këtij muaji eksportet kanë pësuar rritje si në sasi e vlerë krahasuar, me të njëjtin muaj të vitit 2010. Sipas zërave të të ardhurave që mbledhin doganat, bie në sy performanca e rentës minerare në eksport, që është rritur mbi baza vjetore me rreth 70.9 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes se eksporteve të burimeve natyrore si dhe ndryshimeve në normën e taksimit dhe në strukturën e taksës gjatë gjysmës së parë të vitit 2010. Kështu në një farë mënyrë të ardhurat nga renta minerare kanë kompensuar rënien e të ardhurave nga akciza. Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga akciza në doganë rezultojnë me rënie prej 4.9 për qind kundrejt një viti më parë. Ndërsa të ardhurat nga TVSH në import janë 6.4 për qind më të larta se një vit me parë dhe 1.9 për qind më shumë se parashikimi për periudhën sipas buxhetit të rishikuar. TVSH në Doganë ka patur ecuri pozitive veçanërisht gjatë muajit gusht, me rritje vjetore rreth 14 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›