E Diel, 1 Nëntor 2026

Newsweek: Shqipëria, në listën shteteve më të mira

Ka gjëra për të cilat vendi ynë është në pesëshen e të parëve në botë

Vendi ynë ka lënë pas të gjitha vendet në zhvillim apo të ngjashmit e vet, sipas revistës prestigjioze amerikane Newsweek, duke u renditur e para në këtë kategori në tri subjekte: Arsim, shëndetësi dhe cilësi jete. Nga ana tjetër, ka gjëra për të cilat vendi ynë është në pesëshen e të parëve në botë. Për shembull për shpejtësinë me të cilën mund të hapësh një biznes, në vetëm pesë ditë, kundrejt 6 të rivalëve më të afërt, përfshi këtu edhe vende të Bashkimit Evropian si Italia, Gjermania, Austria dhe 30 e më shumë vende, si Rusia apo rreth 20 në vende si Kroacia e Bullgaria. Në mjaft statistika të tjera Shqipëria renditet jo keq, duke marrë një vend të 57-të në botë. Vendosja e Shqipërisë në listën e prestigjiozes Newsweek ka sjellë edhe komentet e para. Bota e jashtme e sheh një vend të angazhuar për ndryshime demokratike. Newsweek ka renditur Shqipërinë si vendin më të mirë me të ardhura të ulëta dhe e përshkruan atë me komplimente: "kjo demokraci e re në fakt tejkalon të gjitha vendet e tjera me të ardhura të ulëta - në vazhdimësi ajo renditet më lart në arsim, shëndet dhe cilësinë e jetës". Fjalë me vlerë, që do të kenë ndikim e do të forcojnë besimin e investitorëve dhe vathë lavdërimi në veshët e Kryeministrit Berisha, - shkruan faqja në web Helium, në lidhje me renditjen nga prestigjiozja Newsweek e Shqipërisë si vendi më i avancuar mes vendeve në zhvillim. 

Nuk ka asnjë dyshim që z. Berisha ka vullnet për ta hapur vendin për investimet e huaja dhe siguruar lehtësinë e të bërit biznes, një plus i madh për investitorët. Taksat e korporatave dhe ato personale janë ulur në dhjetë për qind dhe nuk ka kufizime mbi investimet e huaja, çka është një kombinim i mirë, - shkruhet më tej në artikullin që i fton investitorët të sjellin para në Shqipëri për të investuar në bregdet dhe kryeqytet.
Shqipëria dëshiron një shpërblim shtesë atë të bashkimit me BE, parashikuar brenda pesë viteve të ardhshme. Kjo garanton sigurinë e investimeve atje se qeveria do të bëjë gjithçka që të minimizoj rrezikun e biznesit në pritje të një ftese nga BE. Pesë vjet duhet të jetë kohë mjaftueshme për të parë rritjen e kapitalit në investimin që keni bërë tani me një sy për të dalë në krye, - shkruan Helium.

Në listimin e Shqipërisë bie në sy që vendi ynë lë pas shtete të mëdha si Kina në arsimim, Egjipti, Irani, Ukraina apo edhe vende të tjera ekonomia e të cilave është mjaft e madhe dhe në shpërthim, por që dështojnë në shifrat e tyre me analfabetizëm të lartë, vetëvrasje në shkallë të madhe (9 në 100 mijë banorë për Ukrainën) dhe cilësinë e jetesës. Kështu përballë Ukrainës, Shqipëria rezulton më mirë edhe për moshën mesatare të jetës së një njeriu si i shëndetshëm. Në Shqipëri një njeri jeton i shëndetshëm deri në 64 vjeç, krahasuar me 60 në Egjipt dhe Ukrainë. Ndërkohë, mosha mesatare e jetës në Shqipëri konsiderohet e barabartë me atë të vendeve të pasura si Gjermania.

Pikat e forta të Shqipërisë

Në arsim: Vendi i 50-të, më e mira ndër vendet me të ardhura të ulëta

Në shëndetësi: Vendi i 52-të, në 5 më të mirat në vendet me të ardhura të ulëta

Në cilësi jete: Vendi i 53-të, në 5 më të mirat në vendet me të ardhura të ulëta

Newsweek: 10 më të mirët sipas kategorive

Finlanda

Vendi më i mirë

Me gjithë dimrat e ftohtë, Finlanda është një vend fantastik, më i miri në fakt. Ajo është renditur më e mira në përgjithësi dhe gjithashtu më e mira ndër vendet e vegjël, vendi me të ardhurat më të larta dhe vendi me sistemin arsimore më të mirë. Studentët finlandezë shënuan pikët maksimale në shkencë dhe dolën të dytët në letërsi dhe matematikë në testin e fundit për nivelin e studentëve të realizuar në mënyrë ndërkombëtare.

Australia

Vendi më i mirë me madhësi popullsie mesatare

Me një shkallë papunësie të vogël - 5.6 për qind në 2009 - dhe me një ekonomi që është një nga më të shëndetshme, edhe gjatë krizës globale, Australia ka shumë më shumë për të ofruar se plazhet. Në indeksin e përgjithshëm ajo renditet e katërta. Në kategorinë e vendeve me numër popullsie mesatare, ajo është në vend të parë për klimën politike dhe është barazim me Spanjën për kujdesin shëndetësor. Gjithashtu qytetarët e saj kanë edhe cilësinë më të lartë të jetesës mes këtyre vendeve.

Japonia

Vendi më i mirë i madh

Vendi i ndryshimeve të mëdha, i cili i solli botës Sushin, Nintendo dhe Protokollin e Kyotos është edhe një nga vendet me qytetarë më të shëndetshëm. Një burrë jeton në Japoni deri në 82 vjeç dhe një grua deri në 86 vjeç, që i bën ata edhe gratë më jetëgjata në botë. Çfarë e shpjegon jetëgjatësinë e japonezëve? Asnjë nuk e di me siguri, por ka shumë mundësi të jetë një bashkëveprim i ilaçeve parandaluese, dietës, edukimit mbi shëndetin dhe standardeve të larta të jetesës gjatë moshës madhore dhe një kujdes mjekësor universal. Japonia renditet e para mes vendeve të mëdha në edukim dhe e katërta për cilësinë e jetesës.

Polonia

Vendi më i mirë me të ardhura mesatare

Si një anëtar i ri i Bashkimit Evropian Polonia ka vazhduar të lërë pas të shkuarën komuniste dhe për mirë. Si vendi më i mirë mes atyre me të ardhura mesatare, Polonia është një fitues në këtë listim. Klima politike e saj është më e mira në këtë kategori. 

Shqipëria

Vendi më i mirë mes atyre me të ardhura të ulëta

Shqipëria rrallë arrin të dalë në titujt e gazetave botërore dhe kështu është e vështirë që ajo të kthehet në një model për vende të tjera, por kjo demokraci e re, tani për tani i ka nxjerrë jashtë loje të 100 vendet e tjera me të ardhura të ulëta. Mes shteteve të kësaj kategorie ajo renditet e para për tri kritere: arsimim, shëndet dhe cilësi jete. Afërsisht 99 për qind e shqiptarëve janë të arsimuar. Edhe pse qytetarë të njërit prej vendeve më të varfra të Evropës, shqiptarët mund të presin të jetojnë deri në 78 vjeç për burrat dhe 81 vjeç për gratë, diçka mjaft e mirë, duke marrë në konsideratë se mosha mesatare e jetës së një gjermani në Gjermaninë e pasur nuk shkon më shumë se 79 vjeç.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›