Nexhmije Hoxha: Xhevahir Spahiut mos i jepni poste me rëndësi
Nuri Dragoj prezanton librin Sfidat e poetit
Poezia për Teodor Laçon, që e futi në bela me Enverin dhe përgatitja e arrestimit.
Salla Aleks Buda pranë Akademisë së Shkencave rrallëherë kishte parë kaq shumë njerëz. Miq, kolegë, gazetarë. Të gjithë ishin aty për Xhevahir Spahiun. Dje, shkrimtari dhe studiuesi Nuri Dragoj prezantoi monografinë kushtuar Spahiut Sfidat e poetit. Një libër mbi 400 faqe që sjell gjithë jetën e poetit, qysh se ishte kërthi e deri në ditët tona. Një jetë e vështirë, e komplikuar, mbushur me drama, me gracka, por plot vargje e shaka, që jo rrallë i hapnin belara me pushtetin. Për autorin e librit, nuk ka qenë e thjeshtë të ngrinte një vepër të tillë, mbi një jetë kaq të mbushur si ajo e Spahiut. Kishte qenë në dilemë në duhej apo jo ta botonte në të gjallë të poetit, por ishte shkrimtari Dritëro Agolli që i kishte mbushur mendjen, duke i thënë: Lum kush gëzon në gjallje! Në ceremoninë e prezantimit u thanë plot fjalë të mira për poezinë e Xhevahir Spahiut, e cila shquhet për muzikalitetin dhe figuracionin e pasur. Agim Vinca, Aleksandër Peçi e shumë të tjerë folën mbi veprën e poetit. Nga libri Sfidat e poetit, botuar nga AlbPaper, kemi shkëputur disa pjesë të shkurtra që dëshmojnë përplasjet e poetit me pushtetin, më së shumti me Enver dhe Nexhmije Hoxhën.
Pjesë nga libri

Kopertina e librit
Vjersha e titulluar Poezia u diskutua gjatë një mbledhjeje të sektorit të propagandës në Komitetin Qendror. Poeti Xhevahir Spahiu mori një fshikullimë të fortë nëpërmjet paralajmërimeve zyrtare. Sipas zyrtarëve të lartë, vjersha ishte shkruar enkas kundër Enver Hoxhës.
Xhevahir Spahiu nuk ishte një poet i mirëfilltë disident, sepse poetë të tillë në Shqipëri nuk ekzistonin. Edhe ata që dyshoheshin, arrestoheshin në vend, madje ndonjë edhe pushkatohej, siç qe rasti i poetëve nga Librazhdi Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Pra, Xhevahiri nuk ishte disident, por këtu gjërat vlejnë të sqarohen, pasi çdo poet, kur shkruan, vendos në vargjet e poezisë së tij shpirtin. Xhevahiri në shumë prej poezive, po të lexohen sot, duket si armik i hapur i Partisë së Punës dhe diktaturës. Kjo ndodh, sepse në thelb poeti është shpirt i lirë dhe, kur vjen rasti për të shfryrë kundër burokracisë, ai i shtyp të gjitha sustat e marshit të tij, duke e nxjerrë jashtë urrejtjen dhe përbuzjen ndaj zyrtarëve dhe burokratëve, gjë që në thelb është përbuzje për sistemin. Thuhej shpesh se poezia Xhevahirin e ngatërronte kot së koti, por nuk ishte kështu. Ishte vetëdija e poetit, që donte të ngatërrohej kundër ingranazheve të sistemit politik. Po marrim një shembull: Një herë ai shkroi për zogjtë. Në atë kohë në redaksinë e tyre punonte edhe Teodor Laço, i cili njihej si njeri që nuk i dëgjonte dot cicërimat e zogjve. Atij i krijohej menjëherë dhimbje koke, sapo diku jashtë strehëve dëgjohej ndonjë cicërimë e vetmuar. Ngrihej menjëherë për të mbyllur dritaren. Nuk e duroj dot zhurmën, thoshte ai. Ndërsa Xhevahiri çohej e rihapte dritaren, pikërisht për ta dëgjuar deri në fund atë cicërimë. Për këtë shkak grindeshin shpesh të dy. Sikur të mos mjaftonte kjo, Xhevahiri shkroi një poezi të bukur për zogjtë dhe cicërimat e tyre. Vjersha fillonte me fjalët: Zogj, kini një armik për vdekje. Kjo poezi u botua dhe u pëlqye shumë, megjithëse Teodori u mërzit. Por fataliteti ndodhi më vonë, kur atë vjershë e lexoi Nexhmije Hoxha. Ajo u pre në fytyrë dhe tha: Kjo vjershë është kundër Enver Hoxhës dhe lihet të kuptohet sikur armiku i zogjve, d.m.th. i poetëve, është vetë Enveri.
Natyrisht, kjo poezi i hapi shumë punë Xhevahirit. U përpoq të sqarojë një pjesë të opinionit letrar se vjersha i kushtohej Teodor Laços dhe jo Enver Hoxhës, por nuk mjaftonte. Te zyrtarët e lartë mbeti përsëri shija e hidhur e mosbindjes dhe keqkuptimit.
Gjithkujt që lexonte dhe lexon ende sot atë vjershë, i lë të nënkuptojë se është shkruar kundër Enver Hoxhës. Pse ndodh kjo? Sepse vetëdija e Xhevahirit kishte parasysh agresivitetin e diktatorit Enver Hoxha dhe gjente një justifikim për Teodor Laçon, duke ia veshur atij kushtimin e krijimit. Por, në thelb, kuptohet lehtësisht se ajo vjershë ishte qepur për kostumin e kreut të partisë-shtet Enver Hoxhës. Më poshtë po japim disa nga vargjet e kësaj poezie, që rastësisht titullohet Poezia (1973):
Zogj kini një armik për vdekje/Do tju shkulë pendët e do tju thyejë krahët/do tju kthejë në gurë të palëvizshëm e pa zë…/ Zogj, keni një armik për vdekje/Ju për të, të pakapshëm?/Ai u turret poetëve./Armiku juaj është armiku ynë/e do pa krahë poezinë…
Porosia e Nexhmijes: Mos i jepni poste Xhevahirit

Poeti Xhevahir Spahiu
Enveri informohej sistematikisht për Xhevahir Spahiun nëpërmjet Nexhmijes. Kjo e fundit i merrte informacionet direkt nga zëvendëministri i Arsimit për Kulturën, Anastas Kondo, i cili e njihte mirë Xhevahirin. Nexhmija kishte të dhëna të hollësishme për çdo lëvizje, gabim apo shaka të poetit, por asnjëherë nuk i kishte thënë Spiro Dedes të mos rrinte me Xhevahirin, sepse, në thelb, ajo vetë dukej e bindur që Spahiu nuk përbënte rrezik politik për përmbysje pushteti, porse rrezikshmëria e tij (sipas saj) ishte në poezi. Te Nexhmija, por sidomos tek Enveri, ishte ngulitur ideja se Xhevahiri ndikohej nga letërsia moderniste e planetit, të cilën vetë Enveri e kishte cilësuar letërsi borgjezo-revizioniste. Natyrisht, Nexhmija lexonte shumë dhe thuajse çdo ditë. Ajo nuk konsiderohej ndër drejtueset injorante, prandaj përpiqej ti kompensonte mungesat e veta me lexime të gjithfarëllojshme, pa kriter zgjedhjesh. Sidoqoftë, pas leximeve, nxirrte përfundime të mbrapshta, duke i seleksionuar librat në dy grupime: letërsi me partishmëri dhe letërsi kundër partishmërisë proletare, që binte ndesh me realizmin socialist. Në këtë mënyrë ajo vetë ishte një etalon i keq i provës për shkrimtarët. Madje, ishte aq e deformuar në shije, saqë ata pak shkrimtarë të vërtetë thoshin midis tyre: Po të pëlqeu Nexhmija, nuk vlen. Ajo nuk e preferonte Xhevahir Spahiun dhe, njëlloj si Enveri, i keqkuptonte dhe keqinterpretonte figuracionet e mrekullueshme letrare të tij. Kjo ndodhte se Nexhmija me gjithë shumëkënd që e rrethonte, nuk guxonin ti afroheshin asaj që quhej letërsi universale, për të gjithë njerëzit, racat dhe kohët, në thelb të së cilës nuk ka rëndësi çfarë thua, por si e thua dhe me çfarë mjete shprehjesh e interpreton mendimin tënd. Një nga inatet personale të saj ishte fakti se përmbajtja e tematikave të Spahiut nuk kishte shumë tituj për Enverin, për Partinë etj., etj. Dhe këtë ajo nuk mund tia falte. Mbajeni afër dhe caktojeni me detyra shoqërore, por asnjëherë në poste me rëndësi, i kishte thënë ajo Anastas Kondos. Dhe, në këtë mënyrë, karriera e ardhshme e Xhevahir Spahiut ishte e djegur dhe e paracaktuar që të kalonte mes sakrificave të panumërta të mbijetesës.
Dosja e Arrestimit
Për poetin Xhevahir Spahiu po porositeshin pr