E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, miratohet lexuesi i kartave

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Komisioni i Reformës Zgjedhore miratoi dje me konsensus vendosjen e lexuesit elektronik në qendrat e votimit.

PS: Votim vetëm me pasaporta biometrike. PD: Edhe me të vjetrat.

Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka miratuar dje një tjetër kapitull të rëndësishëm të Kodit, që ka të bëjë me identifikimin e zgjedhësve.
Pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura që zgjati rreth 60 minuta, u miratua me konsensus thuajse i gjithë kapitulli IX i ligjit elektoral, ku pika më kryesore është ajo e vendosjes së një pajisjeje elektronike, e cila do të lexojë kartat e identitetit përpara se zgjedhësi të marrë fletën e votimit dhe ti drejtohet dhomës së fshehtë. Ndërkohë palët nuk ranë dakord në një pikë të kësaj pjese të Kodit që ka të bëjë me dokumentet që duhet të paraqesin zgjedhësit për të votuar. Sipas PD-së, këto dokumente duhet të jenë karta e identitetit dhe pasaporta, ndërsa për PS-në duhet të specifikohet se pasaporta ditën e votimit duhet të jetë patjetër biometrike.
Pajisja elektronike
Me qëllim verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve në ditën e votimit, ngrihet sistemi elektronik i integruar për verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgje-dhësve në votim. Zgjidhja teknike duhet të integrojë të gjitha elementet e nevojshme, përfshirë pajisjet, programet, licencat ose certifikatat përkatëse, për të garantuar siguri dhe thjeshtësi në përdorim. Karakteristikat teknike të sistemit, pajisjeve dhe procedurat e funksionimit të teknolo-gjisë, përcaktohen me akt normativ të KQZ-së, thuhet në paragrafin e parë të këtij kapitulli që u miratua dje. Duke folur në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes së Komisionit, eksperti i PD-së, Oerd Bylykbashi, tha se sot u miratua futja për herë të parë në procesin e votimit të teknologjive elektronike në lidhje me identifikimin e zgjedhësve. Procedurat mbeten standarde në pjesën bazë të tyre. Nga ana tjetër, ne fusim në qendrën e votimit një pajisje, e cila bën të mundur regjistrimin automatik të të dhënave nga dokumentet e identitetit dhe më pas transmetimin e tyre të sigurt në KQZ. Këto pajisje do të administrohen nga personel jo politik për të shmangur keqpërdorimin e këtyre pajisjeve. Për këtë pikë, Komisioni i Reformës ka parashikuar edhe rastin kur pajisja elektronike, e cila do të jetë e lidhur me KQZ-në nuk punon, votimi do të vazhdojë manualisht si në zgjedhjet e fundit. Nëse pajisja nuk funksionon, votimi zhvillohet pa ndërprerje, sipas procedurave të nenit 105, duke shënuar në listën e zgjedhësve të QV-së numrin e dokumentit të identifikimit. Ky fakt shënohet në librin e protokollit të QV-së dhe njoftohet KZAZ-ja përkatëse, e cila duhet ta pasqyrojë këtë fakt në librin e protokollit. Kur pajisja rivihet në punë, procesi vazhdon duke përdorur pajisjen për verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve. Procedurat e komunikimit, zëvendësimit dhe raportimit sipas kësaj pike, përcaktohen në aktin normativ të KQZ-së, thuhet në pikën 3 të nenit 100/3 të Kodit.
Dokumentet e identifikimit
Maxhoranca dhe opozita, në mbledhjen e djeshme nuk kanë rënë dakord për pikën 1 të nenit 105, ku thuhet se zgjedhësit duhet të paraqiten në qendrën e votimit me kartë identiteti ose pasaportë. Sipas socialistëve, zgjedhësi mund të votojë vetëm me pasaportë biometrike, dhe jo me pasaportat e vjetra, të cilat, me vendim qeverie, janë bërë të pavlefshme. Nga ana e saj, PD-ja argumenton se heqja e së drejtës për të votuar me pasaportë të thjeshtë penalizon emigrantët që mund të vijnë në Shqipëri vetëm për të marrë pjesë në proces.

Pikat e miratuara në Kod
. Me qëllim verifikimin dhe regjistrimin e  pjesëmarrjes së zgjedhësve, në ditën e votimit  ngrihet sistemi elektronik i integruar për verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve në votim. Zgjidhja teknike duhet të integrojë të gjitha elementet e nevojshme, përfshirë pajisjet, programet, licencat ose certifikatat përkatëse, për të garantuar siguri dhe thjeshtësi në përdorim. Karakteristikat teknike të sistemit, pajisjeve dhe procedurat e  funksionimit të teknologjisë, përcaktohen me akt normativ të KQZ-së.

. Pajisja që përdoret në QV lexon dhe regjistron automatikisht informacionin që ndodhet në qarkun me kontakt dhe/ose pa kontakt të dokumentit të identifikimit. Të dhënat që lexohen dhe transmetohen janë: emri, mbiemri, datëlindja, numri i identifikimit personal dhe numri dokumentit të identifikimit.

. Nëse pajisja nuk funksionon, votimi zhvillohet pa ndërprerje, sipas procedurave të nenit 105, duke shënuar në listën e zgjedhësve të QV-së numrin e dokumentit të identifikimit. Ky fakt shënohet në librin e protokollit të QV-së si dhe njoftohet KZAZ-ja përkatëse, e cila duhet ta pasqyrojë këtë fakt në librin e protokollit. Kur pajisja rivihet në punë, procesi vazhdon duke përdorur pajisjen për verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve. Procedurat e komunikimit, zëvendësimit dhe  raportimit sipas kësaj pike, përcaktohen në aktin normativ të KQZ-së.

Hapja e votimit
Hapja e qendrës së votimit tani nuk do të bëhet më me vendim të KQV-së, por vetëm duke e shënuar në formularin për këtë qëllim. Pas kryerjes së detyrave të përcaktuara në nenin 101 të këtij Kodi, kryetari i KQV-së, në prani të anëtarëve të KQV-së dhe vëzhguesve, deklaron hapjen e votimit jo më përpara orës së parashikuar në nenin 11 të këtij Kodi. Ky fakt pasqyrohet në formularin e hapjes së votimit, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e KQV-së, thuhet në nenin 102.

Afati i Komisionit
Mbledhja e së enjtes e Parlamentit është e fundit përpara se Komisionit të Reformës Zgjedhore ti përfundojë mandati më 30 prill. Duke qenë se maxhoranca dhe opozita kanë ende disa kapituj të rëndësishëm për ti miratuar, pritet që në seancë të votohet sërish për shtyrjen e afatit të këtij komisioni. Burimet bëjnë të ditur se mundësia më e madhe është që Komisioni të ketë edhe 14 ditë të tjera punë për të mbyllur kapitujt e përbërjes së KQZ-së, numërimit të votave dhe ankimimit.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›