E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nexhmije Pagarusha: Çfarë s'më pëlqen nga klipi im

TIRANE - Ajo është ikona e muzikës shqiptare, ndërsa hiti i saj "Baresha" ende mbetet simbol i këngës, që i ka rezistuar dhe e ka tejkaluar kohën. Kjo e fundit, pas më shumë se 40 vitesh pritjeje, u bë së fundmi edhe me një videoklip, të cilin e ndihmoi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Muzeu i Kosovës.
Kënga në interpretim të ikonës së muzikës kosovare Nexhmije Pagarusha, së fundmi u plotësua edhe me një videoklip, dëshirë kjo që Bilbili i Kosovës e kishte prej disa dekadash. Kënga është e realizuar me muzikë të Rexho Mulliqit dhe tekst të Rifat Kukajt, dhe me orkestrën popullore të Radio Prishtinës, nën drejtimin e Isak Muçollit në vitin 1966.
"Kam pritur kaq gjatë që këngën ta sjellim si videoklip, jo pse i nevojitet, por gjithmonë kam pasur dëshirë që publikut t'i sjell edhe një kënaqësi tjetër me 'Bareshën'. Gjithçka është e krijuar vetëm për adhuruesit e mi dhe ka 50 vite që po kërkoj një realizim vizual të saj", - shton Pagarusha, pak ditë pasi videoklipi ka gjetur vend në televizionet tona.
Mirëpo, nëse e shikojmë videoklipin "Baresha" prej 8 minutash, vërejmë se vetë artistja shfaqet pak, gjatë tetë minutave të këngës, në shumicën e kohës aty shfaqen balerinat nga trupa e Baletit të Kosovës, e realizuar në pjesë të ndryshme malore, gjë e cila përkon me vetë mesazhin dhe fabulën brenda këngës. Videoklipi, me t'u plasuar edhe në portalet e internetit, duket se ka zgjuar një debat midis komentuesish.
Disa prej tyre thonë se videoklipi do të duhej të përmbante më shumë figurën e zonjës së këngës, sepse është ajo të cilën ata kanë pritur ta shohin, dhe jo fëmijët e vegjël e balerinat, sado që ato i japin hijeshi dhe rrëfejnë me anë të vallëzimit tregimin e këngës.
"Nuk e di pse tërë kohën dalin këto kinse baresha. Ne e duam Nexhmijën tonë. Do të ishte më mirë të kishim më shumë skena të saj", - thoshte njëri prej komentuesve. Rreth kësaj, edhe vetë Pagarusha thotë se do të donte të kishte më shumë hapësirë në videoklip, duke kërkuar të mos flitet shumë rreth kësaj pune.
"Ndonjëherë nuk e kuptoj artin e pasluftës. Ajo çka ka përfunduar nuk vlen të komentohet. Unë dua që sa më pak të flitet për këtë punë, por kam pritur edhe vetë që të jem më e pranishme në videoklip, jo pse dëshiroj, por e di që adhuruesit duan ta shohin Nexhminë që s'e kanë parë një kohë të gjatë në televizion.
Jam e lumtur që videoklipi ka dalë, e shpresoj t'i pëlqejë edhe publikut",- shton Pagarusha, duke thënë se nuk ka qenë asnjëherë natyrë e ankuar, por e kënaqur që ëndrra e kamotshme u finalizua.
"Gati 50 vite publiku e ka dëgjuar këngën, dhe me mua ose pa mua në videoklip, e di që prapë ata do vazhdojnë ta duan e dëgjojnë atë", - thotë në fund zonja Nexhmije Pagarusha.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›