E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Apeninet në Ande(!)

"Nga Apeninet në Ande" ka qenë një novelëz e shkrimtarit të madh humanist italian, Edmondo De Amiçiz. (E përfshirë në librin e njohur "Zemra".) Bënte fjalë për udhëtimin e mundimshëm të një fëmije italian, në kërkim të nënës së vet. Udhëtimet për të cilat e kemi fjalën, nuk janë të motivuara këso. Megjithatë, ka një ngjashmëri përsa i përket ndjeshmërive njerëzore. Axhenda e krerëve të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tjera të tij, vazhdon të jetë mjaft e ngjeshur me vizita jashtë vendit. Në masë, ato vështrohen si kontribute për gjëra të rëndësishme: Kosova, anëtarësia në NATO, problemet e biznesit dhe të ekonomisë shqiptare, këto duket se janë aspektet kryesore që frymëzojnë lëvizjet e paprera nëpër botë. Nuk është mirë të paragjykohet veprimtaria e administratës dhe e krerëve të saj, madje duhen vlerësuar kontaktet që iu shërbejnë realisht temave të mësipërme dhe që, për hir të së vërtetës, janë shumë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë, për opinionin publik, vajtje-ardhjet e vazhdueshme, sidomos ato në hapësira nga më të largëtat e botës, nuk mund të mos konsiderohen të tepruara. Qeveria aktuale kishte premtuar se do të ishte një qeveri "në dietë"; me shtegtime të vazhdueshme, vend e pa vend, zor se "mbahet dietë". Problemi tjetër që skicohet menjëherë në këtë temë, është efektiviteti i këtyre vizitave. Kur ato nuk prodhojnë asgjë, fatura bëhet edhe më e rëndë. Më së fundi, për vetë rrethanat, kujdesi për raportet me vendet e rajonit, do të duhej të ishte më i dukshëm. Nëse marrim në sy shkëmbimet tregtare dhe interesat ekonomike, këto kanë të bëjnë pikërisht me vendet e rajonit dhe ato të BE-së. Pasqyrat e shkëmbimeve tregtare flasin për një përparësi të dukshme të interesave rajonale dhe me vendet e BE-së. Kështu, gati 60 për qind e eksporteve tona zhvillohen me Italinë, rreth 8 për qind e tyre me Greqinë, 6.2 për qind me Kosovën, 4 për qind me Turqinë, 3.6 për qind me Maqedoninë, 2.7 për qind me Gjermaninë e kështu më tej. E njëjta paradigmë për importet; përmbi 27 për qind e tyre zhvillohen me Italinë, 18.2 për qind me Greqinë, 8.1 për qind me Turqinë, 4.9 për qind me Gjermaninë, 3.8 për qind me Serbinë, 2.6 për qind me Maqedoninë, 2.5 për qind me Bullgarinë, etj.
Nëse konsiderojmë si pjesë të axhendave qeveritare dinamikën e marrëdhënieve me vendet ku gjenden në masë emigrantët shqiptarë, kontributin për integrimin e tyre, çka lë për të dëshiruar, pasqyra është po ajo; administratë e opinion publik, janë të bindur për këtë. Kërkimi i partnerëve dhe i mbështetësve të problematikave shqiptare larg e më larg, nganjëherë bëhet qëllim në vetvete, aq më tepër që shumë zgjidhje ekonomike e politike janë këtu përqark. Ashtu siç është e vërtetë që treguesit e shkëmbimeve ekonomike, në masë, i takojnë rajonit dhe vendeve të BE-së, pothuaj e njëjta gjë mund të thuhet për qëndrimin ndaj problemit të Kosovës apo në lidhje me marrjen e ftesës nga NATO. Kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, gjenden në rajonin tonë; e megjithatë, komunikimi me ta paraqitet në nivele modeste. Pak a shumë - dhe sërish e njëjta gjë - mund të thuhet për nevojën e nxitjes së lëvizjes së lirë. "Kufizimet" rajonale dhe ato me vendet e BE-së, përbëjnë shqetësimin e vërtetë dhe real të qytetarëve shqiptarë, edhe të biznesmenëve e njerëzve të angazhuar në fushat e dijes apo të kulturës. Zv/Kryeministri i Maqedonisë, Aliu, komentoi përpara disa ditëve (mos)veprimet e autoriteteve shqiptare në lidhje me përcaktimin e procedurave për vizat me shtetin fqinj. Edhe pse pati një përgjigje nga Ministria e Jashtme, thelbi i raportit të ri me fqinjët - përsa i takon pistës së lëvizjes së lirë të qytetarëve - mbetet po ai, një ngërç i pajustifikuar.
Nuk ia vlen të merremi me raste konkrete dhe me teprime konkrete, sepse ato janë të dukshme. (Para disa kohësh, njëri pas tjetrit, vizituan Kanadanë dy prej krerëve më të rëndësishëm të vendit e të politikës, nga i njëjti spektër pushteti.) Po ashtu, disa aludime duhen ritheksuar, sepse ne harrojmë shpejt dhe përsërisim të njëjtat refrene, që nuk prodhojnë asgjë. Përpara disa vitesh, një delegacion i madh (nga Dhomat e Tregtisë), por edhe me nëpunës e drejtorë dhe me Ministrin e Jashtëm të asaj kohe në krye, shkuan gjer në Argjentinë; nuk mund ta themi me siguri, por ndoshta edhe në Brazil. Një mundim i madh, ndoshta edhe një qejf i madh; por mbi të gjitha, një mjerim i madh, duke menduar se si keqpërdoren taksat e qytetarëve - ndër më të varfrit në rajon - për show demagogjik. Ja cilat janë edhe sot kësaj dite - pas kaq e kaq kohe nga kjo vizitë e lavdishme - raportet tregtare me këto vende: Në zërin "Të tjera", ku ato vende, me gjithë respektin dhe ndjesën pse i përmendim, nuk kanë "zë" fare, importet përbëjnë 8.8 për qind dhe eksportet 2.9 për qind. (Është fjala për një sërë shtetesh që i takojnë termit "Të tjerë".) Edhe në të dhënat për vitin 2006, vlera e përgjithshme e tregtisë me këto vende është minimale; (me Brazilin aty tek 980 mijë dollarë (USD), kurse Argjentina pothuaj nuk gjendet në statistikat e disa institucioneve(!) Kjo nuk do të thotë aspak se dialogu politik apo rrethi i përparësive në miqësi e bashkëpunim dhe i marrëdhënieve tregtare ose edhe më gjerë, duhet të jetë i kufizuar, i paragjykuar. Çështja shtrohet që axhendat e përfaqësuesve të nderuar të administratës, të jenë më të përkora, por edhe më efektive.
Ne aspak nuk iu japim ministrave dhe drejtuesve të shtetit një axhendë tjetër, të sforcuar. Është e vërtetë se jetojmë në një botë që përjeton ndryshime dhe zhvillime të papara. Një nga figurat e njohura të biznesit evropian, Peter Sutherland, Kryetar i "British Petroleum", thotë se efektet e globalizimit kanë qenë jashtëzakonisht të mira. E nxitur nga liberalizimi i paparë, tregtia botërore vazhdon të zgjerohet më me shpejtësi sesa prodhimi i përgjithshëm ekonomik global, duke i dhënështysë një vale të prodhimit dhe efektshmërisë, si dhe duke krijuar miliona vende pune. (Manfred B.Steger "Globalizimi") Por çështja shtrohet se ku e gjejmë veten ne, në këtë oqean ndryshimesh dhe zhvillimesh. Nëse edhe në strategjitë (e redaktuara herë pas here) shkruhet për përparësitë në marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe të BE-së, atëherë kjo lipset verifikuar. Dhe nëse është e mundur, edhe duhet korrigjuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›