E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Beqja te Fela, historia e të pathënave që s’i shqipton dot Gramozi

22-06-2011 / Nga Lavdrim Lita

Kryetari i Asamblesë Kombëtare, njëherësh kryetar i grupit kuvendor socialist, ish-ministrit të fundit i sigurimit Gramoz Ruçi akuzoi kryeministrin Berisha për sherrin e djalit të Xhelil Gjonit, Ilirit me vëllezërit Kokona. Edhe kësaj here Edi Rama përdori Gramoz Ruçin për sulmin politik ndaj kryeministrit për të mbrojtur dy deputetët socialistë që kanë shkelur ligjin në mënyrë flagrante. Është e freskët vula e Gjykatës së Tiranës mbi vendimin që penalizon deputeten socialiste Ermonela Felaj për shpifje ndaj kompanisë ‘Ferar’. Ish-prokurorja e Beratit një njohëse e mirë e ligjit ka shkelur në dërrasën e kalbur të një konference të urdhëruar për shtyp ku akuzonte kompaninë për marrjen e një konfensioni për ndërtim hidrocentrali në Bënçë.
Znj.Felaj në muajin janar diskreditoi në publik me akuza të forta ish-ministrit Genc Ruli dhe kompanisë në fjalë, por që gjykata i cilësoi si shpifje dhe vendosi të dënojë me 10 milion lekë deputetin socialiste, duke dhënë edhe një leksion politikanëve shqiptarë për deklaratat e tyre, shpeshherë të pafre. Vendimi jep një standard të munguar prej kohësh në Shqipëri, ku politikanët kinse të mbrojtur nga imuniteti deklamojnë të pavërteta sy të opinionit publik. Është e rëndësishme të kuptojnë akuzat e pabaza, pa prova dhe gjysmë të vërteta të hedhura në eter paraqesin një rrezikshmëri të lartë, duke qenë se mjetet audiovizive e japin mesazhin në mënyrë më të drejtpërdrejtë, më lehtësisht të perceptueshëm dhe ndiqen nga një publik i madh. Kësisoj perceptimet formojnë mendimet dhe eklipsojnë të vërtetën.
Sidozot Gramoz Ruçi sulmoi kryeministrin Berisha për dhunë, por mbrojti me heshtje dhunën që ish-deputeti socialist Ilir Beqja i bëri ndaj Kushtetutës. Kujtojmë këtu që deputetit të Shkodrës iu hoq mandati ngase kishte përfituar fonde publike në kundërshtim flagrant të ligjit në Bashkinë Durrës. Pas heqjes së mandatit të deputetit Ilir Beqja, asnjë nga deputetet e Partisë Socialiste nuk ka reaguar. Edhe njeriu i 100 e-maileve nuk dërgoi një letër proteste kolegëve të Tanja Fajon. E gjithë Partia Socialiste është mbuluar në një heshtje. Kreu i PS-së hesht, se kërkon që kjo njollë të kalojë pa u vënë re në media dhe në opinionin publik ... aq me tepër tani kur njerëzit s’e kane mendjen fare tek bojkotimi i  Parlamenti nga ana e PS-së, por tek numërimi i kutive në KQZ.
Mirëpo “deja-vu”-ja  e vrerosur për shtyp e Gramoz Ruçit kundër kryeministrit Berisha nuk ishte vetëm për të heshtur për dy deputetët, por edhe një refuzim ndaj propozimeve  të kryeministrit që ‘opozita të marrë të gjithë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit që i ka dhënë sovrani. Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet, me 3/5 do të ketë të drejtën të bëjë të gjitha amendamentet që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe maxhoranca t’i votojë’. Edi Rama përdor Ruçin për të shpërdoruar ofertën shumicës, që erdhi pas indikacioneve të Ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët i kërkuan maxhorancës dhe opozitës të vendosin urgjentisht dialogun mes tyre, dhe të plotësojnë me reforma 12 pikat kyçe të integrimit të Shqipërisë në BE. 
Sidoqoftë siç kemi shkruar edhe herë të tjera, ka ardhur koha për  vendime të rëndësishme të Shqipërisë, e cila i ka të gjithë potencialet për të kapur trenin Express të Oksidentit. Kemi shansin të tregojmë shumë në prag të 100 vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar se jemi të denjë për amanetin e rilindësve, që dhanë gjak e  djersë për këtë vend. Energjia pozitive e votës së zgjedhjeve lokale, që në shumë raste ishte indikative për një bashkëpunim, nuk mund dhe nuk duhet të shpërdorohet kot. Ndryshimi i pozicioneve dhe valencave politike është një parakusht pa të cilën demokracia nuk bën dot. Duhet të ndryshojmë. Pikë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›