Kërcënimet e Serbisë
Nëse ndokush nga njohësit e mirë të politikës serbe, qoftë në nivel të diplomacisë evropiane ka menduar se menjëherë pas çlirimit të Kosovës, Serbia do ta ndryshojë kursin e politikës ndaj Kosovës ai atëherë ka qenë në lajthitje. Në fakt, ofensiva e pandërprerë serbomadhe e Beogradit zyrtar në raport me Kosovën ka qenë dhe është vazhdimësi e politikës shtetërore të Serbisë që nga programi i “Naçertanisë” dhe deri në projektin hegjemonist millosheviqian. Kjo do të thotë se kjo politikë ekspansioniste e Serbisë nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por në thelb me çështjen shqiptare. Historia e pushtimeve serbe të territoreve shqiptare nuk është e largët dhe ajo histori dëshmon për projektet në vazhdimësi të Serbisë për të pushtuar territore shqiptare, për çka hapësirat tona etnike vazhdimisht u tkurren. Sot, me vërsuljet kaq agresive të Serbisë ndaj Kosovës, ndaj lirisë sonë ajo po e atakon çështjen shqiptare. Dhe ky fakt, kjo e vërtetë e madhe historike nuk do koment, por kërkon rritje të vigjilencës të faktorit shqiptar i cili duhet të jetë edhe më i organizuar ndaj hegjemonisë serbomadhe. Edhe më herët është thënë se e gjithë lufta diplomatike e Serbisë në lidhje me çështjen e Kosovës nuk është farsë diplomatike, por në fakt është vazhdim i betejave të reja dhe i luftës për përfitime territoriale. Kjo do të thotë se, në rastin e vërsuljes serbe ndaj Kosovës, Serbia nuk e ka në plan të parë çështjen e të drejtave të serbëve kosovarë as çështjen e miteve serbe, por ajo zhvillon betejën për territoret e reja. Prandaj, politika e sotme serbe, e mbështjellë dhe e motivuar, e diktuar nga hegjemonia serbe i ka bërë publike planet e saja. Dhe ato janë, ndarja e Kosovës ose sigurimi i autonomisë territoriale për serbët kosovarë në veri të Kosovës. Qoftë po të ndodhte plani serb për ndarjen e Kosovës apo edhe plani po ashtu serb për dhënien e autonomisë veriut të Kosovës, Serbia do të delte fituese, sepse do të krijonte kushte për t’i kontrolluar, përkatësisht zotëruar territoret që historikisht ishin dhe janë shqiptare. Serbia, qëllimisht në ofensivën e pandërprerë diplomatike, me ndërhyrjet e drejtpërdrejta në zhvillimet e brendshme në Kosovë ka arritur që politikën e Kosovës ta detyrojë që të vihet në pozicionin mbrojtës. Dhe, në vend se politika e Kosovës të jetë ajo e cila në rrafshin e diplomacisë evropiane, në raport me pretendimet e Serbisë ta diktojë kursin e politikës në raport me pretendimet dhe ndërhyrjet serbe, ne jemi të detyruar të vetëmbrohemi. Me vetë faktin, se në dyluftimin e pabarabartë diplomatik me Serbinë jemi në defansivë, jemi në pozicion mbrojtës tregon se pozicioni ynë në tavolinën e diplomacisë evropiane nuk është edhe aq favorizues, përkundrazi dëshmon për pa fuqi për ti lëvizur çështjet në të mirë të shtetit tonë. Natyrisht, këtij pozicioni të pavolitshëm diplomatik të Kosovës në arenën e diplomacisë evropiane po i kontribuon, jo vetëm mos organizimi ynë, jo vetëm inaktiviteti i diplomacisë së Shqipërisë, por mjerisht edhe pavendosshmëria e paparë dhe shumë e dëmshme e politikës së jashtme të BE-së në lidhje me disiplinimin diplomatik ndërkombëtar të Serbisë. Ky oportunizëm i diplomacisë evropiane, kjo lojë e hapur me standardet e dy-tre fishëta ndaj Beogradit zyrtar po e trimëron Serbinë në luftën e pashembullt diplomatike të saj kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Prishtina zyrtare është e pafuqishme që të ndikoj në ripozicionimin më aktiv të BE-së për të parandaluar ndërhyrjet e Serbisë në zhvillimet në Kosovë. Por, diplomacia e shtetit të Kosovës mund dhe duhet të jetë më e zëshme, më e guximshme duke i sinjalizuar qartë dhe vendosshmërisht në radhë të parë Beogradit zyrtar, pra edhe BE-së se loja serbe me Kosovën, integritetin dhe sovranitetin e saj ka kufi. Gjithsesi, është çasti që Prishtina zyrtare, e përkrahur guximshëm nga Shqipëria të kërkojë nga aleati ynë historik, SHBA-ja një rol më aktiv dhe më vendimtar në këtë stad të këtyre proceseve politike, për shumë çka të ndërlikuara dhe të kundërthënshme. Kjo, sepse, është e pa lejueshme, e pa pranueshme dhe shumëfish e dëmshme, që, BE-ja të hesht para ndërhyrjeve serbe ndaj zhvillimeve në Kosovë, konkretisht ndaj cenimit të hapur të integritetit dhe sovranitetit territorial të shtetit të Kosovës.
Autori është mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës