E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dikush s’e do miqësinë e shqiptarëve me Selinë e Shenjtë”

22-06-2011 / Gazeta 55

Reagon Kisha katolike në Kosovë

Në deklaratë përmendet emërimi së fundi i Legatit Apostolik të Vatikanit për shtetin e Kosovës. Gazeta “55” publikon edhe një historik të shkurtër të kontributit që Papa Gjon Pali II dhe Benedikti XVI kanë dhënë për lirimin e shqiptarëve të Kosovës nga kolonizimi serb

Zyra Ipeshkvnore e Kishës Katolike në Kosovë ka shfaqur shqetësimin përmes një komunikate për tendencat e individëve që të dëmtohen raportet tradicionalisht të mira mes popullit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë.
Në komunikatë theksohet: “Kisha Katolike në Kosovë, si “Nënë dhe Mësuese e mirë”, për dashurinë që ka ndaj popullit të vet, ka qenë dhe mbetet gjithnjë në shërbim të mirës së tij dhe ndërmjetësuese e natyrshme mes shqiptarëve dhe Europës, nëpërmjet  mbështetjes së Selisë së Shenjtë – Vatikanit. Në kohën e fundit, shfaqen disa dukuri të huaja dhe të dëmshme për popullin dhe shtetin tonë, dukuri këto të cilat rrezikojnë, edhe ashtu, gjendjen e brishtë e jostabile që kemi. Aq më tepër na befason heshtja institucionale, politike, shoqërore dhe kulturore ndaj këtyre dukurive të dëmshme. Me shqetësim konstatojmë se qëndrimet dhe veprimet e papërgjegjshme, të kujtdo,  mundë të ndërrojnë orientimin e përcaktimit tonë të natyrshëm me demokracinë dhe qytetërimin perëndimor – europian, të cilit tashmë më shekuj i përkasim. Nisur nga kjo, e shohim të nevojshme ta japim vlerësimin tonë rreth këtyre çështjeve të ndërlikuara dhe të rrezikshme për kombin dhe njomësinë e shtetit të Kosovës. -Vërehen simptomat e qarta se si disa  individë dhe grupe po shprehin haptas tendenca për përkeqësimin e marrëdhënieve të shkëlqyera  historike dhe aktuale mes Vatikani dhe popullit tonë, sidomos Kosovës para, gjatë dhe pas Luftës. -Kjo po ndodh pikërisht tani, kur Vatikani kohë më parë e emëroi Delegatin e vet Apostolik për  shtetin e Kosovës, si një shenjë e dashurisë së vazhdueshme dhe domethënëse të përkrahjes ndaj nesh. -Papa i tanishëm Bendikti XVI asnjë herë nuk ka deklaruar se Kosova është ndonjë “djep” i popullit Serb, ose pjesë përbërëse e Serbisë, ashtu që keqinterpretimet në ketë drejtim jo vetëm se nuk janë të sakta, por sipas të gjitha gjasave kanë prapavijë njollosëse ndaj figurës morale të Atit të Shenjt. Kjo pa dyshim e dëmton vendin tonë, i cili edhe ashtu është në pritje për njohjeve nga shtet dhe vende, mes të cilave pritet me padurim që këtë gjë ta bëjë  edhe Vatikani. Prandaj, fuqimisht kërkojmë që institucionet shtetërore dhe kulturore,   akademikët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, të gjejnë guximin dhe mënyrën për t’iu përgjigjur  botërisht, vendosmërisht dhe në kohën e duhur të gjitha dukurive negative që  e çorientojnë të ardhmen tonë të përbashkët, hutojnë opinionin publik dhe promovojnë të pavërtetën. Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë, mund të bashkëndërtojmë të ardhmen e sigurt, bashkëjetesën në paqe dhe mbrojtjen e vlerave”, përfundon komunikata  e Zyrës Ipeshkvnore në Prishtinë.
    Historiku i marrëdhënieve të Selisë së Shenjtë me Kosovën/Të panumërta ndërhyrjet e Gjon Palit II për fatet e Kosovës e të shqiptarëve të krahinës, sidomos në vitet 1998-99, në çaste më dramatike për vendin e popullsinë.
8 mars 1998: në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shpreh shqetësimin për situatën dramatike në Kosovë dhe lutet për popullsitë e munduara.
7 qershor 1998: – Papa i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej nga vijojnë të vijnë lajme që flasin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”.
9 gusht 1998: – në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë shprehet: “Mendoj posaçërisht për banorët e Kosovës, ku dhuna dhe kushtet e jetesës të popullsisë vijojnë të bëhen gjithnjë më dramatike”.
4 tetor 1998: - Gjatë lutjes të Engjëllit të Tënzot, Papa i këshillon palët në konflikt të ecin në rrugën e dialogut, ndërsa i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të mos qëndrojë duarkryq, por të japë ndihmesën e vet që vlerat si mirëkuptimi, respekti reciprok, falja e pajtimi t’i zënë vendin dhunës e shkatërrimit.
9 nëntor 1998: - Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin e saj thellë për ndërhyrjen e mundshme të armatosur të Natos në Kosovë. Imzot Tauran, Sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, kujton fjalët e shqiptuara një të diel më parë në Split nga Gjon Pali II, pikërisht për gjendjen në Kosovë: “Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë sa më shpejt ndihmën e vet Kosovës”.
25 dhjetor 1988: - Në natën e Krishtlindjes 1998, drama e Kosovës është sërish në qendër të vëmendjes së Papës.
***
3 janar 1999: - Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Gjon Pali II thekson dramën e Kosovës, duke pohuar: “Drama e Kosovës, ku natën e Krishtlindjes pati ndeshje të reja të armatosura, është përherë e pranishme në zemrën time”.
11 janar 1999: - Ati i Shenjtë ndalet te situata në Kosovë gjatë takimit me Trupin Diplomatik akredituar pranë Selisë së Shenjtë, për shkëmbimin e urimeve të vitit të ri, duke theksuar: “Duhet bërë ç’është e mundur për t’i ndihmuar kosovarët e serbët të ulen në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që t’i jepet sa më shpejt fund mosbesimit të armatosur, i cili paralizon e vret”.
15 janar 1999: - Duke pritur në audiencë kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko, Gjon Pali II u ndal tek domosdoshmëria për gjetjen e rrugëzgjidhjes paqësore në Kosovë dhe tek gjendja e refugjatëve. Detyra kryesore – u theksua – është të ndahen kundërshtarët e të çarmatoset agresori; e këtë duhet ta bëjë ai që ka mundësi për ta bërë, dmth bashkësia ndërkombëtare. Pastaj, me afate të mesme e të gjata, do të jetë e nevojshme të rivendoset “respektimi i marrëveshjeve” e të ndihmohen serbët dhe shqiptarët të pajtohen”.
20 janar 1999: - Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa bën thirrje për paqe në Kosovë.
21 janar 1999: - Ati I Shenjtë shtron për zgjidhje problemin e Kosovës në një telegram drejtuar ipeshkvijve jugosllavë. Përballë ashpërsimit të krizës – shkruan – e ndjej për detyrë t’u shpreh të gjithë njerëzve të munduar, afërsinë time atërore, ndërsa u bëj thirrje sërish udhëheqësve të jetës publike t’i japin fund spirales së dhunës e të kërkojnë rrugën e dialogut ndërtimtar, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme të çdo njeriu”.
11 shkurt 1999: - Në emër të Papës, kardinali Angelo Sodano, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, bisedon me kryeministrin italian, Massimo d’Alema, mbi krizën në Kosovë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të lirisë fetare e të paqes në vend.
22 shkurt 1999: - publikohet një Komunikatë e sallës së Shtypit të Vatikanit mbi qëndrimin e Selisë së Shenjtë, përmes së cilës, pasi vihen në dukje ndërhyrjet e panumërta të Selisë Apostolike dhe personalisht të Papës Gjon Pali II, urohet të gjendet akoma një rrugëzgjidhje paqësore e afatgjatë që t’i japë fund konfliktit.
21 mars 1999: - Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Shenjtëria e Tij flet për situatën e tensionuar në Kosovë dhe i fton besimtarët të luten për bashkësinë shqiptare, që ka përshkuar një udhë të vërtetë kryqi e prandaj ka të drejtë të presë rrugëzgjidhje, që respektojnë historinë dhe të drejtën e saj.
24 mars 1999: - Në audiencën e përgjithshme Papa dënon sulmin ajror mbi Kosovë dhe i lutet Zotit për dhuratën e paqes në Krahinë e në mbarë Evropën;
26 mars 1999: Në kapelën e Tij Private ne Vatikan, Gjon Pali II Lutet për paqen në Ballkan;
28 mars 1999: gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së Larit, Ati I Shenjtë ngre zërin duke theksuar se është me popullin që vuan dhe u bën thirrje të gjithëve: Është ora e paqes! Mbi forcat e urrejtjes, duhet të ngadhënjejnë vëllazërimi e mirëkuptimi. Qofshin këto gema ulliri simbol i paqes që e dëshirojnë aq shumë popullsitë e zonës ballkanike – uron Papa.
Fillon ndërkaq ndërmjetësia e Vatikanit për paqen në Kosovë.
Më 31 mars 1999: - Papa dërgon në Shqipëri Imzot Cordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, organizëm i Vatikanit, i caktuar për të asistuar refugjatët e për t’u shpërndarë ndihmat humanitare. Në mesazhin dorëzuar Prelatit për refugjatët kosovarë, thekson: Fëmijëve, nënave, pleqve që do të takosh, thuaju se Papa është me ta e me ta do të jetë përherë, derisa të gëzojnë një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Tepër gjak e tepër lot ka parë të rrjedhin kjo popullsi gjatë gjithë shekullit XX.
Ndërsa më 1 prill 1999 dërgon Imzot Jean Louis Tauran, sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, në Beograd, me një mesazh të posaçëm për Presidentin e Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç.
2 prill 1999: - Në përfundim të Udhës së Kryqit në Koloseo, të Premten e Madhe, Gjon Pali II pohon: “I përbuzur e i dëbuar është Krishti në njeriun e munduar e të vrarë në luftën e Kosovës dhe kudo që ngadhënjen kultura e vdekjes”.
4 prill 1999: - Në Mesazhin e Pashkëve, Papa kujton situatën në Kosovë, falënderon dhe uron të gjithë ata që u qëndrojë pranë refugjatëve, duke i mirëpritur e duke i ndihmuar.
5 prill 1999: - Në të Hënën e Engjëllit, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare në Kosovë, ku – siç shprehet - kambanat nuk kanë rënë për festë e ku vijon shkatërrimi, shpërngulja e vdekja.
9 prill 1999: - Ati i Shenjtë u bën thirrje autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësitë të arrijnë ndihmat në kufirin e Kosovës, ku qenë grumbulluar masa të mëdha kosovarësh. Për solidaritetin nuk ka kufij – thekson Papa – por duhet të ketë gjithnjë korridore shprese.
11 prill 1999: - Duke uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkëve, Shenjtëria e Tij kujton se në ato ditë sytë e besimtarëve ishin plot me vdekje, prandaj bën thirrje që të heshtin armët e të rifillojë dialogu.
18 prill 1999 – Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa përsërit thirrjen për paqe në Kosovë e në Jugosllavi.
22 prill 1999: - Duke pritur në audiencë Fondacionin Gorbaçov, Ati i Shenjtë rikujton nevojën për ndërhyrje në favor të paqes në Kosovë, sepse situata e luftës rrezikon të destabilizojë gjithë Ballkanin.
27 prill 1999: - Në një letër personale drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Papa shkruan: “Selia e Shenjtë e vlerëson shumë faktin që Organizata të luajë rolin kryesor në zgjidhjen e një krize në të cilën është përfshirë mbarë bashkësia ndërkombëtare. Është urgjente që zëri i ligjit dhe i institucioneve të mos shuhet nga zëri i armëve.
2 maj 1999: gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për stabilizimin e situatës në Ballkan.
10 qershor 1999: - Publikohet një Deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit mbi tërheqjen e serbëve nga Kosova, nënshkruar në Kumanovë nga gjeneralët e Natos e të Beogradit. Kjo Deklaratë shënon edhe përfundimin e konfliktit.
4 tetor 1999: Gjatë vizitës në Kroaci, Papa i përshëndetë në gjuhën shqipe shqiptarët që jetojnë në vendin ballkanik.
6 tetor 1999: - Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës në Vatikan, Gjon Pali II falënderon shtegtarët e gjuhës italiane për sensibilizimin e opinionit publik lidhur me nevojat e popullsive të Kosovës, të sprovuara rëndë nga konflikti.
***
Për deklaratën e njëanshme të Pavarësisë së Kosovës.
Notë e atë Federiko Lombardit – transmetuar nga Radio Vatikani, më 17. 02. 2008. “Me rastin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, shumëkush pyet çfarë qëndrimi do të mbajë Selia e Shenjtë, e cila e ka ndjekur e vijon ta ndjekë ngjarjen me vëmendje të madhe e me urimin e përzemërt që në këtë çast delikat, ndjenja e përgjegjësisë e fryma e paqes, të fitojnë mbi çdo qëndrim tjetër, si nga ana e qeveritarëve, ashtu edhe nga ana e popujve.
Por për ta sqaruar sa më mirë që të jetë e mundur qëndrimin, është e arsyeshme të fillojmë duke bërë ndonjë hap mbrapa. Madje është mirë të nënvizojmë sa herë Selia e Shenjtë ndërhyu gjatë krizës së 1999-ës, si në nivel diplomatik, ashtu edhe në atë humanitar, për të kujtuar parimet, nga të cilat duhet të frymëzohen marrëdhëniet ndërmjet popujve e për të promovuar ndihmën për të shpërngulurit, në përkim me mjetet ndërkombëtare në fuqi.
Në vijim Selia e Shenjtë u impenjua aktivisht për stabilitetin e paqen në rajon, duke mbështetur çdo përpjekje, që synonte të shmangte rrugët e imponuara e të favorizonte bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për të arritur në një zgjidhje realiste, që të respektonte aspiratat e të dyja palëve. Gjatë negociatave të dy vjetëve të fundit, u prit me kënaqësi marrëveshja e arritur mbi disa çështje teknike, duke vijuar, nga ana tjetër, urimin që vullneti politik e elasticiteti të krijonin kushtet për të gjetur një rrugëzgjidhje konsensuale përfundimtare mbi statusin juridik të Kosovës.
Deklarata e njëanshme e pavarësisë kosovare – e mbështetur mbi bazën e rekomandimeve, që përmban plani i ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisari – krijon një situatë të re, e cila natyrisht do të ndiqet me vëmendje të madhe nga Selia e Shenjtë, që duhet të vlerësojë kërkesat e mundshme, lidhur me këtë çështje.
Por në këtë çast Selia e Shenjtë ndjen sidomos përgjegjësinë e misionit të saj moral e shpirtëror, që ka të bëjë edhe me paqen e rendin e drejtë në marrëdhëniet ndërmjet kombeve e, prej këndej, i fton në mënyrë të posaçme udhëheqësit politikë të Serbisë e të Kosovës për maturi e moderim, duke kërkuar një impenjim të vendosur e faktik për mënjanimin e reagimeve ekstremiste e shmangiet e dhunshme nga kursi, në mënyrë që të krijohen që tani kushtet paraprake për një ardhmëri, e cila bazohet mbi respektin, pajtimin e bashkëpunimin. Përveç kësaj, i duhet kushtuar vëmendje e posaçme mbrojtjes së demokracisë e të shtetit të së drejtës, e edhe në Kosovë duhen zbatuar standardet ndërkombëtare të respektimit të të drejtave të pakicave e të të gjithë banorëve, pa dallim etnie, feje, gjuhe ose kombësie, ashtu siç duhet edhe të vigjilohet për mbrojtjen e trashëgimisë së çmuar artistiko-kulturore të krishterë. Stabiliteti në rajon duhet promovuar me të gjitha impenjimet e mundshme, e prandaj është për t’u uruar edhe që Bashkësia Ndërkombëtare të japë kontributin e saj tejet të rëndësishëm. Nga ana e tij, Ati i Shenjtë vijon t’i shikojë plot dashuri popullsitë e Serbisë e të Kosovës, është shpirtërisht pranë e i siguron se lutet për ta, në një çast kaq të rëndësishëm të historisë së tyre”.

Benedikti XVI shpreson në një të ardhme në paqe e pajtim ndërmjet popullsive të Serbisë e Kosovës
Në fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë me 8 janar 2009, Papa Benedikti XVI, mes tjerash, kujtoi edhe Ballkanin e, në mënyrë të posaçme, Kosovën. “Selia e Shenjtë është e impenjuar për stabilitetin në jug lindje të Evropës e shpreson që të vijohet me krijimin e kushteve për një të ardhme në pajtim e paqe ndërmjet popullsive të Serbisë e të Kosovës, duke respektuar pakicat e pa harruar mbrojtjen e trashëgimisë së çmuar artistike e kulturore kristiane, që përbënë një pasuri për mbarë njerëzimit”.
***
10.02.2011 - Papa emëroi Nuncin imzot Juliusz Janusz, Legat Apostolik në Kosovë
Ati i Shenjtë ka emëruar Nuncin Apostolik në Slloveni, me detyrën e Legatit Apostolik në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij shumë të nderuar Imzot Juliusz Janusz, Kryeipeshkëv titullar i Kaorles, deri më tani Nunc Apostolik në Hungari. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova do të ketë Legatin apo të Ngarkuarin e saj Apostolik, personin që lidh Kishën katolike të vendit me Vatikanin. Në një komunikatë për shtyp të Selisë së Shenjtë thuhet: “Me rastin e emërimit të Nuncit Apostolik në Slloveni, u vendos që të enjten, më 10 shkurt, të publikohet emërimi i Shkëlqesisë së Tij, imzot Juliush Janush si Nunc Apostolik në Slloveni, me detyrën e Legatit Apostolik në Kosovë.
Përsa i përket këtij lajmi, saktësohet se emërimi i Legatit Apostolik hyn në funksionin organizativ të strukturës së Kishës Katolike, prandaj ka vetëm karakter kishtar dhe dallohet nga konsiderata, që kanë të bëjnë me situata juridike e territoriale, ose me çështje që kanë të bëjnë me aktivitetin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Misioni i një Legati Apostolik nuk është me natyrë diplomatike, por i përgjigjet kërkesës për të ndihmuar si duhet e lypet besimtarët katolikë në nevojat e tyre baritore”.

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›