E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë të bëjmë me limonët

22-06-2011 / Nga Thomas Friedman (Nju Jork Tajms)

Presidenti Barack Obama dhe sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, kanë bërë shumë gjëra si duhet në politikën e jashtme, por e kanë bërë një lëmsh të madh në marrëdhëniet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, ku i kanë shmangur të gjitha palët dhe kanë gjeneruar një progres të nivelit zero. Presidenti Barack Obama dhe sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, kanë bërë shumë gjëra si duhet në politikën e jashtme, por e kanë bërë një lëmsh të madh në marrëdhëniet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, ku i kanë shmangur të gjitha palët dhe kanë gjeneruar një progres të nivelit zero. Ata s’kanë qenë konsistentë – duke përkrahur fillimisht ngrirjen e kolonizimit, e pastaj duke u tërhequr – jokreativë dhe politikisht konfuzë. Dhe përsëri, aktorët me të cilët ata kishin punë, ishin të hidhur si limoni – një qeveri palestineze që ishte shumë e përçarë për të marrë ndonjë vendim jetik dhe një qeveri izraelite e krahut të djathtë që ishte shumë e fuqishme për të marrë vendime të mëdha, por s’kishte vullnet për të vepruar.
Por a e dini se çfarë thonë se duhet bërë me limonët, limonadë. Ekipi i Obamas nuk po lëviz vendi. Autoriteti Palestinez, duke qenë se ka humbur besimin në Izraelin dhe SHBA-në, po i mëshon fort planit për arritjen e njohjes së një shteti palestinez në Kombet e Bashkuara, brenda vijave kufitare të vitit 1967 në Bregun Perëndimor dhe në Gazë. E nëse do ta arrijë këtë, Autoriteti Palestinez do të mund të fillonte një shtytje botërore për t’i bërë presion Izraelit të tërheqë kolonët dhe forcat e sigurisë, ose të përballet me sanksione dhe delegjitimim. Nuk ka dyshim se Izraeli do ta kundërshtojë këtë lëvizje. SHBA-ja nuk është e interesuar ta mbështesë një rezolutë të njëanshme, e cila do t’i acaronte izraelitët dhe amerikanët hebraikë. Por edhe nuk dëshiron ta përdorë veton ndaj një rezolute të tillë, e cila vetëm do ta ndërlikonte qëndrimin e Amerikës në botën myslimane-arabe.
Si një alternativë, SHBA-ja po punon të afrojë palët në rikthim të bisedimeve paqësore rreth një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të bazuar në propozimet e presidentit, të bëra publike në mes të majit – dy shtete për dy popujt, me kufijtë e vitit 1967 si pikë fillestare, dhe pastaj do të pajtohet me çdo marrëveshje që do të arrihej ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Por nëse palët nuk e pranojnë këtë – dhe tani po i rezistojnë – atëherë në shtator do të arrijmë në një rrëmujë reale në Kombe të Bashkuara sikur të ishte një përplasje treni.
Po pse të mos mendojmë një qasje ndryshe? Nëse palestinezët duan ta kthejnë gjithë këtë problem aty ku kishte nisur – në Kombe të Bashkuara – them hajde ta shohim. Po hajde të mendojmë pak më shumë dhe me më shumë imagjinatë. Më 27 nëntor të vitit 1947, Kombet e Bashkuara miratuan Rezolutën 181, duke ndarë Palestinën në dy shtëpi për dy popuj – përshkruar si “Shtetet e Pavarura Arabe dhe Hebraike”. Kjo është e rëndësishme. Saktësisht kështu e përshkruan Rezoluta 181 rezultatin e ndarjes: një shtet “arab” pranë një shteti “hebraik”. Po pse të mos e modifikojmë  Rezolutën 181 dhe ta dërgojmë në Këshillin e Sigurimit me më shumë nam? Do të ishte një rezolutë e re e thjeshtë e OKB-së: “Ky trup rikonfirmon se zona e Palestinës historike duhet të jetë e ndarë në shtëpi për dy popuj – një shtet palestinez arab dhe një shtet hebraik. Vija kufitare duhet të jetë e bazuar në linjat e vitit 1967 – me aranzhime sigurie të përbashkëta për të dyja palët. Ky trup e njeh shtetin palestinez si një anëtar i Asamblesë së Përgjithshme dhe i inkurajon të dyja palët të nisin bisedimet për të zgjidhur të gjitha çështjet e tjera të lëna pezull”.
Shumë e thjeshtë.
Secila palë do të fitonte diçka vitale për t’i dhënë palës tjetër atë që kërkon. Palestinezët do ta fitonin shtetin e tyre të pavarur dhe do të merrnin anëtarësimin në OKB, brenda kufijve të kushtëzuar, dhe me Amerikën dhe Izraelin që do të votonin në favor të kësaj. Dhe Izraeli do ta merrte njohjen formale të OKB-së si një shtet hebraik – me palestinezët dhe arabët duke votuar në favor të kësaj. Me fjalë të tjera, palestinezët do të nisnin bisedimet bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe izraelitët do të merrnin garancinë e OKB-së dhe SHBA-së që vija përfundimtare e kufirit do të jetë rezultat i marrëveshjes së dalë nga bisedimet ndërmjet palëve, me shkëmbime territoresh, ku teorikisht do të kishim një ndërrim të territorit prej pesë për qind të Gazës – ku jetojnë më shumë se tetëdhjetë për qind e kolonëve hebraikë – me pjesët e Izraelit të para 1967-s. Të dyja palët do të kishin kornizat e tyre për rifillimin e negociatave me të cilat nuk do të kishin telashe të mëdha. Kryeministri izraelit, Bibi Netanyahu, i deklaroi Kongresit amerikan se ishte i përgatitur për një zgjidhje me dy shtete dhe për kompromise të dhimbshme, por dëshiron që Izraeli të njihet si një shtet hebraik me kufij të garantuar. Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka ngulmuar se kufiri i vitit 1967 të jetë bazë për çdo lloj negociatash, dhe dëshiron të negociojë me Izraelin si një shtet i barabartë sovran.
Në të njëjtën kohë, SHBA-ja më mirë sesa të qëndrojë në skutë me Izraelin, merita më të mëdha do të merrte nëse insiston në rifillim të bisedimeve – e të mos mbetet e ngujuar tek çështje e kolonive. “Shtatori mund të jetë një moment konfrontoues në pikën zero me pasoja të mundshme shkatërrimtare ose një moment për dalje prej qorrsokaku, nëse gjërat bëhen si duhet”, ka thënë Gidi Grinstein, president i Institutit Reut, një prej topgrupeve strategjike izraelite. “Izraelitët dhe palestinezët po bëjnë lojën e pulës. Lidershipi palestinez në Bregun Perëndimor njëmend nuk e dëshiron këtë rezolutë të OKB-së, e cila do të mund t’iu frynte flakëve të forcave populiste të cilat do t’i linin ata në hije. Izraeli e di fort mirë se bërja çmos për  t’i bllokuar palestinezët në OKB, pa ndonjë kundërpropozim, do të ketë pasoja jashtëzakonisht dëmtuese në Lindjen e Mesme edhe asht të mbërthyer në trazira. Një marrëveshje që njeh shtetin palestinez sipas kushteve që të marrë parasysh edhe shqetësimet izraelite, jo vetëm që do t’i ndihmonte të dyja palët në daljen prej qorrsokakut, por edhe do të përfundonte me një marrëveshje historike me dy shtete në vitin 2011”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›