Berisha: 100-vjetori i Pavarësisë, festime të mëdha nga shqiptarët kudo që jetojnë
Kryeministri Sali Berisha priti në një takim drejtues të federatës panshqiptare “Vatra”, në SHBA
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim një përfaqësi të federatës panshqiptare në SHBA “Vatra”. Kryetari i kësaj federate Gjon Buçaj, u shpreh se “Vatra” do të vazhdojë mbështetjen e plotë të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës, për çka gjeti mirënjohjen dhe vlerësimin. e kryeministrit Berisha. Federata panshqiptare në SHBA, “Vatra”, i shprehu gjithashtu kryeministrit Berisha dëshirën që të marrë pjesë në organizimin e aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit, ndërkohë që vetë “Vatra” me 28 prill të 2012-ës, gjithashtu feston përvjetorin e saj të 100-të.
Kreu i qeverisë theksoi se “Vatra” do të jetë pjesë e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, si një nga organizatat më të fuqishme të shqiptarëve të diasporës.
Po ashtu kryeministri Berisha vuri në dijeni federatën se për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit, është krijuar dhe një komitet, i cili po punon që kjo ditë e shënuar të kremtohet gjerësisht nga të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Gjithashtu kreu i qeverisë bëri me dije dhe objektivin kryesor të Shqipërisë vend i zhvilluar, ku theksoi se periudha e largimit të shqiptarëve nëpër botë po merr fund.
“Ky projekt po mbështetet nga arritjet në infrastrukturë, në arsim, në krijimin e një klime të favorshme të biznesit, në zhvillimin e turizmit si dhe në shfrytëzimin e të gjithë potencialeve të vendit”, u shpreh kryeministri Berisha.