Nga Dibra në Vlorë, Rama: Mandatet që do të marrë PS në 11 maj

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot në Tiranë takimin përmbyllës të fushatës elektorale.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, “”ky është bllof, ky është truk, kjo është propagandë”, thanë disa duke komentuar Memorandumin e Kuçit dhe pyetja ime është: Po pse nuk qenka e vërtetë, apo të paktën në mos e vërtetë, pse nuk qenka e mundshme?”.
“Ne kemi sot 74 mandate. A di kush të ma thotë, ku, në cilin qark, pse ne do ta humbim njërin nga këto 74 mandate? Në Kukës, në mos e marrshim dhe një tjetër, nuk kanë si na e marrin atë që kemi, apo jo, se nuk e lejon aritmetika është problemi. Aritmetika që unë kam mësuar në Liceun Artistik, jo ajo 7×7=6 milionë, apo ajo 50 mijë ranë në 60 mijë.
“Në Shkodër kemi 3 mandate, nga 11 që ka Shkodra, më pak nuk ka ku të shkojë. Pse do të humbim dhe një tjetër, apo mos vallë kryetari i bashkisë, antikomunisti lëkurëgri, Bardh hardhuca, ai që mundi Benet Becin 2 vjet më parë, po e “transformon” Shkodrën nga një vend plehrash, ferrash dhe pluhurash të mbledhura në 3 dekada qeverisje të PS-së për Shkodrën, në një vend të denjë për vizionin evropian të demokratëve dhe për statusin e kryeqytetit të veriut. Pra, unë them se me çfarë kemi bërë në 2 vjet për Shkodrën bashkë me Benetin është fare normale që të pretendojmë minimumi 1 mandat plus. Edhe pse të gjitha sondazhet thonë 2. Mbajini një çikë në mend, 1+”, u shpreh Rama.
“Vazhdojmë në Lezhë, kemi 3 mandate nga 7. Që ta humbim dhe një tjetër duhet që Lezha të dielën të gdhihet me bindjen se ndryshimet e mëdha në Lezhë, rilindja e Laçit pas tërmetit janë meritë e vjeshtorit personal të “bufit të kënetës”, “kryebashkiakut” faqekuq, kameleon Gjekmarkaj. Kjo zor të ndodhë, por më e mundur është të ndodhë që kameleon -vjeshtori ta humbë një mandat dhe ta fitojmë ne. Megjithatë nuk e llogaris këtë tek minimumi. Ta shohim”, tha Rama.
“Në Durrës kemi 8 mandate dhe mund të humbim 1 vetëm nëse njerëzit tani në fund do të kuptojnë se fuqia e vërtetë e ndryshimit të Durrësit është “kryebashkiaku” dyll i verdhë Oerd gjinkalla, i cili e ka kthyer Durrësin në kantier nga të 4 anët me mbështetjen e veçantë të SHQUP-it dhe nën kujdesin e atit të tij shpirtëror “bufit të kënetës”. Shkurt, 8 mandatet në Durrës janë një mur që nuk i lëviz dot as topi, ndërkohë që tulla e gjashtë e “kënetës” është duke rënë. Ta shohim”, theksoi Rama.
“Mandati i 9-të i Elbasanit na shpëtoi për një fije para 4 vitesh. Prandaj nëse zgjedhësit atje nuk do ta marrin vesh deri të dielën që edhe “Formula 1” do ta sjellë në Elbasan pasardhësi i Luçiano fake Pavarotit, Ludovik bej Alizoti, atëherë edhe një plus në Elbasan hyn pa asnjë zor tek minimumi ynë i 11 majit. U bënë 2”, tha Rama.
“Njëjtë edhe Fieri, ku nëse fierakët nuk do ia dinë për nder “kënetës” që i “shpëtoi” nga kanceri i Gjanicës, Gazi i botës atje nuk asnjë shans ta ndalojë mandatin e 10-të që kthehet në shtëpinë tonë. U bënë 3, apo jo?”, u shpreh Rama.
“Në Berat, Korçë, Gjirokastër, nuk i lëviz topi mandatet tona. Në Vlorë jo e jo, por mund ta marrim të 9-in. Por prapë i 9-ti i Vlorës nuk hyn tek minimumi, se minimumet tona janë llogari 100% të sigurta, siç ishte 74-a në zgjedhjet e kaluara, që rezultoi fiks minimumi i llogaritur”, tha Rama.
“Prandaj të 4-in plus që na çon në 78-të minimumi ne do ta marrim në Dibër, ku gratë, vajzat, burrat dhe djemtë e Dibrës do të bëhen për herë të parë në një palë zgjedhje politike shumicë shumë bindëse për PS-në”, tha Rama.
“Tani disa çyrykë nga ata të berberhaneve mediatike, ku të vërtet rruhen dhe qethen sipas “orekseve, interesave dhe trurit të tyre të dhjamur”, siç do ta quante Majakovski, thonë: “Rama i bën llogaritë me votat që blen”, sepse sipas tyre, “këtu s’ka zgjedhje, për sa kohë fiton PS-ja e Ramës”. Por ju, unë, të gjithë ne njerëzit e pararojës së kësaj armate të pandalshme elektorale dhe zëdhënësit e kësaj fuqie të pakonkurrueshme qeverisëse e dimë shumë mirë se ne nuk na ka mundur, nuk na mund dhe nuk do të na mundë dot askush për sa kohë do të sigurohemi të kemi me vete vizionin më modern dhe ambicien më të madhe për Shqipërinë, forcën më të madhe udhëheqëse dhe eksperiencën më të madhe qeverisëse, vendosmërinë më të madhe për ndryshim dhe nevojën më të pandalshme për vetë ndryshim ne jemi bartësit e palëkundur të shpirtit evropian të Shqipërisë në jetën politike shqiptare. Dhe përsa kohe ne do mbetemi të tillë asgjë dhe askush nuk do ta ndalë dot ngjitjen tonë me Shqipërinë në krahë në Bashkimin Evropian”, tha Rama.
/r.e/