PD mbyll fushatën elektorale, Chris LaCivita: Besoni një mjek, do të shpëtojë të ardhmen e Shqipërisë

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Këshilltari i Fushatës së Partisë Demokratike dhe Koalicionit “Shqipëria Madhështore”, Chris LaCivita, në takimin përmbyllës elektoral në Tiranë, u shpreh se shqiptarët duhet t’i besojnë votën “doktor Berishës”.
“Ju keni një mundësi historike, një mundësi për t’i treguar botës se populli shqiptar i refuzon politikat e së shkuarës, se nuk do të intimidoheni dhe se nuk do të ndaloni së luftuari për familjet tuaja. Por kjo ndodh vetëm nëse ju dilni dhe votoni”, tha LaCivita
“Në një Shqipëri të re me Doktor Berishën, keni një njeri që ka shpëtuar jetë. Pse të mos ia besoni të ardhmen e Shqipërisë një mjeku? Një doktor që ka shpëtuar jetë, pse të mos ia besoni të ardhmen e vendit?
Një plan i vërtetë. Një plan i vërtetë për të rregulluar ekonominë dhe për t’i dhënë fund korrupsionit. Dhe një plan i vërtetë që do ta bëjë jetën tuaj më të mirë. Unë vij sot këtu tek ju si një amerikan që sheh një të ardhme të ndritur për një vend të madh dhe për një popull të madh. E gjithë bota po e ndjek këtë zgjedhje. Votoni për të ardhmen tuaj, ajo varet prej saj”, përfundoi LaCivita.
Eurodeputeti gjerman Peter Beyer, gjatë fjalës së tij tha se “Sali Berisha është i vetmi garantues që mund të ju sigurojë të rinjve që janë këtu pas meje një prespektivë drejt të ardhmen”.
Lordin Jackson tha se “E ardhmja e Shqipërisë është një e ardhme e madhe, e begatë, e lumtur. Ne ndodhemi në një udhëkryq. Ne mund të marrim rrugën e klientelizmit, korrupsionit, krimit narkotik, lakmisë vetjake, për përfitimin e një grupi të vogël njerëzish. Ose ne mund të zgjedhim një rrugë tjetër, të re, të lavdishme: lirinë, demokracinë, biznesin, punësimin, begatinë, që Shqipëria të zërë vendin që i takon jo vetëm në Europë, por në botë, si një vend i madh, me vizion, ambicie dhe përparim, që ofron të ardhme për të rinjtë e saj.
Fitorja është kaq afër. Dilni jashtë dhe tregojuni miqve tuaj, të afërmve tuaj për të ardhmen e fëmijëve tuaj për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e këtij vendi të mrekullueshëm. Trokitni në dyer, flisni me njerëzit dhe u thoni atyre: mbështesni Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe sillni një të ardhme të shkëlqyer”, tha Lordi Jackson.
Kandidati i PD për Tiranën dhe drejtuesi politikë në Tiranë i PD-ASHM, Belind Këlliçi tha se “meritokracia, transparenca e llogaridhënia do të rikthehen në limfën shtetare si përbërësit jetikë të shtetit ligjor dhe demokracisë. Kjo nuk është fitorja e një partie politike, por e Shqipërisë, jo asaj të parcelave me hashash, inceneratorëve fantazmë, krimit në pushtet, emigracionit masiv, skemave 5D apo 5B”.
“Është dita e Shqipërisë Madhështore, mbi pasaportën e rrënimit që prodhoi Edi Rama këto 12 vite. Dhe të dashur miq, meqë jemi te pasaporta rrënimit, ftoj sot çdo qytetar shqiptar që ditën e diel të bashkohet me PD për ta grisur njëherë e mirë pasaportën e narkoshtetit të Edi Ramës, këtij njeriu që vodhi, përzuri shqiptarët, dhe la djepin bosh”, tha Këlliçi.