E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Konstantinopoja tek Rambujeja

Tri dekadat e luftërave të të „shkurtrit“ shekull të 20 - nga 1912-1922, 1939-1949 dhe 1991-1999 –u karakterizuan prej spastrimeve etnike në përmasa të jashtëzakonshme. Ndonëse qysh prej Marrëveshjes së Konstantinopojës 1913 midis bullgarëve dhe osmanëve e deri thellë në Luftën e Ftohtë shpërnguljet e popullsive ishin miratuar nga bashkësia ndëkombëtare dhe opinioni botëror si një mjet efikas i politikave shtetërore, në dekadën e luftës post-jugosllave u prezantua një ndërrim i paradigmës në favor të ndalimit të dëbimit dhe të së drejtës për kthimin e refugjatëve. Ajo çfarë ishte miratuar në letër më 1995 në Marrëveshjen e Paqes së Dayton-it për Bosnje-Hercegovinën, u bë më 1999 në Rambuje parim themelor i veprimit të bashkësisë ndërkombëtare – shprehur në formën e luftës ajrore kundër Jugosllavisës së mbetur të Slobodan Miloevi-it dhe politikës së tij të dëbimit në Kosovë.

Në shekullin e kaluar ndodhi një ndryshim thelbësor me perceptimin juridik të europianëve sa i përket shpërnguljeve të dhunshme, të motivuara etnopolitikisht dhe të inicuara nga shteti, ndryshim ky që mori formë konkrete për herë të parë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Që këtej e tutje spastrimet etnike u cilësuan si në kundërshtim me të drejtat universale njerëzore dhe për këtë arsye duheshin anulluar. Të përndjekurve iu njoht e drejta, si individuale ashtu dhe kolektive, për tu kthyer sërish. Më parë, të paktën deri në rregulloren e përkohshme greko-turke mbi çështjen e Qipros, e arritur kjo nën patronazhin e OKB-së në formën e një marrëveshje për shkëmbimin e popullsive 1975, vlente në thelb parimi i Paqës së Vestfalisë (Westfalen) 1648: „Cuius regio, eius religio“ (feja i takon, atij që sundon), pra përfytyrimi, se autoriteti zyrtar d.m.th. shteti kishte të drejtën të „përzgjedhë“ dhe të „modelojë“ nënshtetasit ose qytetarët e tij në mënyrë të tillë, që këta të fundit ose të mund t’i përshtateshin shtetit ose të braktisnin territorin e tij. Edhe postulati ngadhënjimtar në rrafsh kombëtar i shek. 19 mbi sovranitetin e popullit, përfshirë parimin e nacionalitetit dhe të drejtës së vetëvendosjes së popujve në rrafsh ndërkombëtar, nuk ndryshoi asgjë në këtë drejtim. Tashmë sipas mundësive, çdo „popull“ do të duhej të kishte shtetin e tij vetiak, veçse secili nga këto shtete përkatëse duhej të demonstronte një „popull“ të vetëm dhe të njësuar etnikisht. Në këtë perspektivë multi-etniciteti u konsiderua si reminishencë e një epoke të kaluar imperiale, si tipar tregues i prapambetjes që duhej mënjanuar. Paralajmërime mendjemprehta si ato të marksistit dhe presidentit të mëvonshëm federal austriak Karl Renner më 1902-in u shpërfillën me fjalët: „Përderisa shtetet coptojnë kombet, s’është çudi, që kombet duan të copëtojnë shtetet.“ Edhe historiani i historisë gjermane nga USA, Eric D. Weitz, ka konstatuar së fundmi një kapërcim nga „Sistemi i Vjenës“ 1815, që vinte theksin tek territori si burim kryesor i sovranitetit shtetëror, tek „Sistemi i Parisit“ 1919, që vinte theksin tek popullsitë – si shumicat dhe pakicat – kapërcim ky që pati njëherazi një komponent pozitiv, siç ishin të drejtat dhe mbrojta e minoriteteve, por edhe një komponent negativ, siç ishte shpërngulja e detyruar deri në genocid.

Heqja e pluralizmit etnokulturor të supozuar si i dalë mode, filloi të zbatohet në Europën e fundshekullit të 19 dhe 20 kryesisht në katër mënyra të ndryshme:

Së pari, spastrimet etnike të shkallës së gjerë u konsideruan në kohë lufte si teknika luftarake ose së paku si dëmshpërblime potenciale lufte, rezultatet përfundimtare të të cilave në mbarim të luftës u pranuan dhe u ligjëruan si fakt i kryer. Spastrimi etnik mund të shprehej si në formën e dëbimit, ashtu edhe në formën e katastrofave nga mosushqimi, valë përdhunimi dhe vrasje masive të planifikuara nga shteti.

Së dyti, kufijtë e atyre shteteve të reja nacionale, që u krijuan nga popujt e mbetur të perandorive të fundosura, pra të Perandorisë Habsburge, Ruse dhe Osmane, u caktuan në atë mënyrë, që në to (a) përkatësisht vetëm një grup i madh etnik, tanimë i ashtuquajturi kombi titullar, zotëronte shumicën absolute, dhe (b) që shteti i ri të kishte sa më pak që ishte e mundur pakica kombëtare – edhe ky term mori një kuptim të ri.

Së treti, në kohë paqjeje shtetet ndërmorën politika asimilimi nëpërmjet pagëzimeve të detyruara, ndryshimit të imponuar zyrtar të emrave ose të ndërrimit të detyruar të vendbanimit brenda një shteti, po ashtu edhe përmes presioneve më pak të rënda si pengesat për të hyrë në shkollë ose në administratën shtetërore.

Dhe së katërti e së fundi u pëdor një mjet, që u cilësua me eufemizëm dhe teknicizëm si transferim popullsish apo, si nënkategori, si shkëmbim popullsish, - pra shpërngulja masive e grupeve të mëdha të qytetarëve ose banorëve të një shteti mbi bazën e marrëveshjeve qeveritare dypalëshe ose shumëpalëshe. Ky inovacion special i të drejtës së popujve është një shpikje e fillimshekullit të 20. Në themel të saj qëndronte pikëpamja e pranuar në mbarë Europën, që homogjenitetin e çmonte si qëllim final të shtetit, madje si të shenjtë – krejt ngjashëm me të drejtën islamike të Sheriat-it, e cila i lejon myslimanëve vendbanime brenda shteteve jo myslimane vetëm në raste shumë të veçanta dhe nën rregulla strikte. Po ashtu, në perspektivën europiane diversiteti u klasifikua si vërtet kërcënues për shtetin.

Në fakt Rusia dhe Perandoria Osmane kishin rënë dakord qysh në vitet 1860 mbi shkëmbimin e popullsive kufitare, por ishte Marrëveshja e Paqjes bullgaro-osmane e 29 shtatorit 1913, e nënshkruar në Konstantinopojë (Stamboll), e para marrëveshje e sanksionuar ndërkombëtare mbi shkëmbimin e popullsive. Të dy shtetet ranë atëkohë dakord që banorët e atyre zonave, të cilët mbi bazën e marrëveshjes do të ndryshonin përkatësinë shtetërore, do të duhej të „grupoheshin“ sipas kritereve etno-fetare dhe në rast mos

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›